Skeda e pasurisë së deklaruar –Artur Kalaja –Gjykata e Apelit Tiranë
Korrupsioni KPK Skeda Vendi

Skeda e pasurisë së deklaruar –Artur Kalaja –Gjykata e Apelit Tiranë

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Artur Kalaja do të përballet të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij familjare nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.Gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Tiranës, Artur Kalaja do të përballet të mërkurën më 6 nëntor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjyqësore që po kryen procesin e vetingut për Kalanë përbëhet nga Firdes Shuli, Pamela Qirko dhe Alma Faskaj.

Artur Kalaja e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000. Ai ka punuar si gjyqtar i Gjykatës së Elbasanit, ndërsa në vitin 2006 është emëruar anëtar i Gjykatës së Apelit të Tiranës, detyrë të cilën vazhdon ta kryejë edhe pas 13 vitesh.

Në shkurt të vitit 2017, Kalaja u bë pjesë e një verifikimi të Këshillit të Lartë të Drejtësisë së bashku me 4 gjyqtarë të tjerë pas vendimit të diskutueshëm të pafajësisë për anëtarët e grupit të njohur me emrin “Hakmarrja për Drejtësi”. Rezultatet e verifikimit të KLD-së mbeten të panjohura.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Artur Kalaja nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF].

Skeda e pasurisë së deklaruar nga gjyqtari i Apelit të Tiranës, Artur Kalaja për vitet 2003-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Kalaja zotëronte pasuri familjare me vlerë rreth 2 milionë lekë në vitin 2003, ndërkohë që në fund të vitit 2017, pasuria familjare ka shënuar rritje me mbi 7 herë, duke kapur vlerën e 16.1 milionë lekëve.

Pasuria e patundshme përbën pjesën kryesore të aseteve, ndonëse në deklaratat e subjektit për ILDKPKI nuk rezulton e vlerësuar në lekë. Familja Kalaja zotëron një apartament, një zyrë dhe një sipërfaqe garazhi të përfituara përmes një kontrate sipërmarrjeje dhe shkëmbimi mbi një sipërfaqe toke në pronësinë e bashkëshortes së gjyqtarit.

Gjyqtari i Apelit të Tiranës deklaron gjithashtu familjarisht 12.9 milionë lekë likujditete bankare, automjete me vlerë 2.4 milionë lekë si dhe kursime në cash prej 800 mijë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 35.1 milionë lekë. Paga nga funksioni i Z.Kalaja zë 46%, ndërsa të ardhurat e bashkëshortes nga paga dhe aktiviteti i noterisë zënë rreth 32%. Rreth 17% kanë si burim shitjen e pasurive të patundshme, ndërsa dhuratat në cash zënë diku te 1% të totalit.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 14 deklaratat që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, asnjëra prej tyre nuk rezulton me diferenca negative mes të ardhurave dhe aseteve.

Megjithatë, BIRN ka identifikuar disa “flamuj të kuq” të cilat lidhen me transaksionet e pasurisë me burim një sipërfaqe trualli në pronësinë e bashkëshortes së gjyqtarit.

Më konkretisht në vitin 2003, Kalaja deklaronte se bashkëshortja e tij ka përfituar nëpërmjet dhurimit 1/12 pjesë të një shtëpie 2 kate dhe 800 m2 truall të dhënë për ndërtim. Në vitin e parë të deklarimit nuk ka të dhëna të tjera mbi kushtet e kontratës dhe pjesën takuese të sipërfaqes së ndërtimit.

Në vitin 2010, subjekti deklaron se ka përfituar nga kjo kontratë një ambient social zyrë prej 20 m2, ku shton se banon ai vetë dhe se qiraja është 200 euro/muaj. Në vitin 2013, Kalaja deklaron se mes bashkëshortes dhe shoqërisë Kamberi u lidh kontratë shkëmbimi, ku përmes shkëmbimit të truallit, bashkëshortja përfitoi një apartament me sipërfaqe totale prej 171 m2, zyrën dhe një garazh prej 31.72 m2.

Në vitin 2007, bashkëshortja e subjektit deklarohet se ka marrë 400 mijë lekë nga nëna e saj si pjesë e të ardhurave të përfituara nga shitja e një vile në Durrës.

Ndërsa në vitin 2015, gjyqtari Artur Kalaja deklaron se ka përfaqësuar me prokurë babanë e tij në ekzekutimin e një vendimi të Gjykatës së Tiranës, në të cilën babai ka përfituar nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave shumën prej 24 milionë lekësh. Në deklarim, subjekti sqaron se ai nuk zotëron asnjë pjesë të kësaj shume, ndaj vlera e mësipërme nuk rezulton e llogaritur në pasuritë e subjektit.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *