Skeda e pasurisë së deklaruar –Avni Kraja –Prokuroria e Tiranës

Skeda
Prokurori Avni Kraja i Prokurorisë së Tiranës do të përballet të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Skeda grafike tregon ndryshimin e pasurisë familjare ndër vite.

Prokurori i Prokurorisë së Tiranës, Avni Kraja do të përballet të premten më 16 prill me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjyqësore që po kryen procesin e vetingut përbëhet nga Lulzim Hamitaj, Genta Tafa Bungo dhe Alma Faskaj.

Avni Kraja e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1992 dhe përgjatë tre dekadave e ka ushtruar funksionin e prokurorit në Krujë, në Shkodër dhe prej vitit 2010 në Prokurorinë e Tiranës.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar nga prokurori Avni Kraja nga viti 2003 deri në fund të vitit 2015. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar nga prokurori Avni Kraja nga viti 2003 deri në fund të vitit 2015.

Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003, prokurori Avni Kraja deklaronte pasuri me vlerë 2.6 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2015, pasuria familjare kap vlerën e 15.4 milionë lekëve.

Në fund të vitit 2015, subjekti zotëronte familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 12.7 milionë lekë, likujditete të akumuluara në cash në vlerën 2.5 milionë lekë, automjet me vlerë 639 mijë lekë si dhe likujditete bankare prej rreth 277 mijë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 25.5 milionë lekë, nga të cilat 49% burojnë nga paga e Z. Kraja dhe 29% nga paga e bashkëshortes. Rreth 19% e të ardhurave totale kanë si burim të ardhurat nga shitja e pasurisë së patundshme dhe gati 2% nga shitja e pasurive të luajtshme.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 12 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” transaksionet e kryera për blerjen e një apartamenti si dhe kursimet jashtë sistemit bankar.

Në vitin 2007, subjekti deklaron porositjen e një apartamenti me vlerë 121,770 euro, nga të cilat paguan fillimisht 40,000 euro me burim shitjen e një shtëpie ekzistuese, ndërsa detyrimi ndaj kompanisë ndërtuese është 81,770 euro. Në vitin 2008 shlyhet detyrimi prej 65,000 euro me burim pakësimin e gjendjes cash dhe një kredi bankare prej 35,000 euro. Diferenca e mbetur prej 16,770 euro zbritet nga detyrimi ndaj kompanisë ndërtuese, pasi subjekti deklaron se do të kryejë vetë një pjesë të punimeve të parashikuara në kontratë.

Me datë 31.12.2015, subjekti Avni Kraja rezulton me gjendje Cash progresive në vlerën 2,500,000 lekë, ndërkohë që kufiri i lejuar për t’u mbajtur Cash nga zyrtarët publikë është 1,500,000 lekë.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al