Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Skeda

Skeda e pasurisë së deklaruar-Bledar Abdullai-gjyqtar i Gjykatës Tiranë

Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Bledar Abdullai, i cili është kandidat për Këshillin e Lartë Gjyqësor do të përballet të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Skeda e pasurisë së tij për vitet 2003-2017.Bledar Abdullai është gjyqtar i Gjykatës së Tiranës dhe kandidat për Këshillin e Lartë Gjyqësor. Ai do të përballet të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit si pjesë e listës prioritare të vetingut.

Seanca dëgjimore me gjyqtarin Abdullai do të zhvillohet paraditen e së enjtes, ndërkohë që trupi gjykues drejtohet nga Genta Tafa (Bungo), Pamela Qirko dhe Suela Zhegu.

Bledar Abdullai e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000. Prej më shumë se 15 vitesh, ai ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Bledar Abdullai nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar e gjyqtarit Bledar Abdullai për vitet 2003-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Bledar Abdullai deklaronte vetëm ¼ e pjesës takuese në tokë bujqësore dhe një apartamenti 2+1 në Kutalli të Beratit, që për shkak të përfitimit nga ligji 7501 apo ai i privatizimeve nuk ka vlerë të shënuar në lekë.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e deklaruar nga gjyqtari Abdullai kap vlerën e 18.8 milionë lekëve-pasuri e cila zotërohet në pjesën më të madhe nga bashkëjetuesja e tij. Analiza e deklaratave të pasurisë tregon se bashkëjetuesja e gjyqtarit me aktivitet Noterie zotëron një apartament 118 metra katrorë dhe një garazh 20 metra katrorë në Tiranë si dhe një apartament të dytë me sipërfaqe 98 metra katrorë në Golem, të cilat kapin së bashku vlerën e 16.5 milionë lekëve.

Ajo zotëron gjithashtu një automjet “Toyota” me vlerë 1.4 milionë lekë si dhe kapital me vlerë 100 lekë në një kompani në likujdim e sipër. Likujditetet familjare në bankë kapin vlerën e 910 mijë lekëve.

Të ardhurat e bashkëjetueses ndër vite zënë gjithashtu zërin kryesor të të ardhurave me 67 për qind të vlerës totale prej 42.8 milionë lekësh në periudhën deklaruese 2003-2017. Të ardhurat e gjyqtarit Abdullai nga paga dhe mësimdhënia zënë 33 për qind të të ardhurave.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit dhe asnjëra prej deklaratave nuk rezulton me probleme.

BIRN ka evidentuar megjithatë si “flamur të kuq” faktin që gjyqtari Bledar Abdullai nuk ka deklaruar asnjë llogari bankare dhe as kursime për një periudhë të gjatë. Ai ka deklaruar për herë të parë llogari rrjedhëse në deklaratën periodike të vitit 2016.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *