Skeda e pasurisë së deklaruar –Dritan Gina – Prokuroria e Tiranës
Korrupsioni KPK Skeda Vendi

Skeda e pasurisë së deklaruar –Dritan Gina – Prokuroria e Tiranës

Prokurori Dritan Gina i Prokurorisë së Tiranës do të përballet të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij familjare nga viti 2003 deri në fund të vitit 2018.Prokurori Dritan Gina do të përballet të premten më 16 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Etleda Çiftja dhe Xhensila Pine.

Dritan Gina përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe u emërua si prokuror në Prokurorinë e Lushnjes. Më pas, ai e ushtroi funksionin si prokuror në Prokurorinë e Durrësit, drejtues i komanduar i Prokurorisë së Elbasanit dhe prokuror në Tiranë.

Në maj 2018, Dritan Gina dhe bashkëshortja e tij, Rovena Gashi u pezulluan nga detyra nga kryeprokurorja e kohës, Arta Marku, pasi Prokuroria e Durrësit i procedoi ata për veprën penale të fshehjes së pasurisë.

Bashkëshortët Gashi dhe Gina e kontestuan në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Markut, por kërkesa e tyre nuk u mor parasysh. Ndërsa procedimi penal u mbyll pa rezultate, bashkëshortja e subjektit, Rovena Gashi u shkarkua nga vetingu për “deklarim të pamjaftueshëm” të pasurisë.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar nga prokurori Dritan Gina nga viti 2003 deri në fund të vitit 2018. [Kliko për skedën në PDF].

Skeda e pasurisë familjare të deklaruar nga prokurori Dritan Gina.

Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003, prokurori Dritan Gina nuk zotëronte asnjë pasuri, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria e tij familjare kap vlerën e 14.4 milionë lekëve.

Gina zotëron familjarisht pasuri të patundshme me vlerë 11.1 milionë lekë, automjet me vlerë 2 milionë lekë, kursime në cash prej 747 mijë lekësh dhe likujditete bankare prej 447 mijë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 27.6 milionë lekë, nga të cilat 57% kanë si burim pagën e Z.Gina si prokuror, 24% pagën e bashkëshortes, 17% nga dhuratat në cash dhe 0.7% nga mësimdhënia.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 15 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” deklarimet e paplota të subjektit, dhuratat në cash si dhe dhurimin e një apartamenti.

Subjekti Dritan Gina ka paregullsi në deklarimet vjetore. Në deklaratën e vitit 2004 nuk raportohet asnjë e dhënë, ndërsa gjatë vitit 2005 vetëm kursime cash në vlerë 500,000 lekë, pa deklaruar as të ardhura page nga funksioni.

Në vitin 2010, subjekti deklaron një kredi leasing të marrë nga bashkëshortja në vlerën 12,000 euro për blerjen e një autoveture me vlerë 15,100 euro.

Në vitin 2011 deklarohet si shtesë pasuri e paluajtshme një apartament banimi në Durrës me vlerë 80,000 euro, me burim financimi një kredi bankare në vlerë 45,000 euro dhe 35,000 euro dhuratë në cash.

Në vitin 2013 deklarohet shtesë pasuri e paluajtshme, apartament banimi në Tiranë me sipërfaqe 121.3 m2, pa vlerë financiare. Ky apartament deklarohet si i dhuruar nga babai i bashkëshortes së deklaruesit, i cili e ka poseduar këtë pronë që prej vitit 2004.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Deklarata e pasurisë së vitit 2018

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *