Skeda e pasurisë së deklaruar –Elva Margariti –Ministre e Kulturës
Lajme

Skeda e pasurisë së deklaruar –Elva Margariti –Ministre e Kulturës

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti zotëron pasuri familjare me vlerë 27 milionë lekë, mes së cilës edhe një apartament prej 110 mijë eurosh në Durrës, i blerë me hua në vitin 2018.Elva Margariti u emërua ministre e Kulturës në dhjetor 2018, pas një vale ndryshimesh që përfshiu kabinetin e kryeministrit Edi Rama si pasojë e protestave studentore. Margariti zëvendësoi në këtë post Mirela Kumbaron, e cila e drejtoi Ministrinë e Kulturës nga viti 2013 deri në fund të vitit 2018.

Elva Margariti ka përfunduar studimet universitare për Arkitekturë në Universitetin e Firences në Itali në fushën e projektimit, rikualifikimit dhe rijetëzimit të hapësirave të ndërtuara dhe bio-arkitekturës. Në vitin 2008, Znj. Margariti u licensua pranë Urdhrit të Arkitektit në Firence, ku ushtroi për disa vite profesionin në fushën e arkitekturës dhe planifikimit urban.

Në vitet 2015- 2018, Margariti punoi si koordinatore didaktike pranë Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, në bashkëpunim me Universitetin e Firences.

Në qershor 2018, ajo u emërua këshilltare për Territorin dhe Koordinatore Kombëtare për Programin e Integruar për Zhvillimin Rural [Programi 100 Fshatrat] në kabinetin e kryeministrit. [Lexo CV e plotë]

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së anëtarëve të kabinetit qeveritar nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI dhe ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e tyre të deklaruara.

Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti nga fillimi i detyrës publike deri në fund të vitit 2018. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar nga ministja e Kulturës, Elva Margariti.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi pasuri familjare me vlerë 27 milionë lekë në deklarimin për herë të parë në vitin 2018, pasuri e cila nuk ka pësuar ndryshime deri në fund të vitit 2018.

Pasuria familjare përbëhet nga një apartament me vlerë 110 mijë euro [13.5 milionë lekë] në Durrës, biznesi i bashkëshortit me vlerë të deklaruar 100 mijë euro [12.3 milionë lekë], automjet me vlerë 987 mijë lekë si dhe likujditete bankare prej rreth 145 mijë lekësh.

Të ardhurat familjare për vitin 2018 janë 2.8 milionë lekë, nga të cilat 53% kanë si burim të ardhurat nga biznesi i bashkëshortit. Rreth 23% e të ardhurave kanë si burim pagën e Znj. Margariti si këshilltare e kryeministrit, ndërsa paga e bashkëshortit zë gati 9% të totalit.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 1 vit të deklarimit, i cili rezultoi pa probleme.

Megjithatë, nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë u identifikua si “flamur i kuq” një hua në vlerën e 110 mijë eurove e përdorur për blerjen e apartamentit në Durrës, për të cilën nuk deklarohet asnjë shlyerje deri në fund të vitit 2018.

Deklarata Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2018

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *