Skeda e pasurisë së deklaruar –Etleva Deda –Gjykata e Posaçme

Skeda
Gjyqtarja Etleva Deda e Gjykatës së Posaçme do të përballet të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Gjyqtarja Etleva Deda e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të përballet të mërkurën më 10 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për të përbëhet nga Roland Ilia, Valbona Sanxhaktari dhe Genta Tafa Bungo.

Etleva Deda e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2004 si gjyqtare e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Në vitin 2010, Deda e drejtoi përkohësisht këtë gjykatë si kryetare e komanduar. Me shkrirjen e Krimeve të Rënda, Deda kaloi te Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Për të siguruar emërimin, asaj I

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Etleva Deda nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar nga gjyqtarja Etleva Deda për vitet 2004-2017.

Në deklaratën e parë të dorëzuar në vitin 2003, gjyqtarja Etleva Deda zotëronte vetëm pjesë takuese në apartamentin e familjes, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria e saj kap vlerën e 16.7 milionë lekëve.

Pasuria kryesore përbëhet nga një apartament me vlerë 92 mijë euro [12.6 milionë lekësh], ndërkohë që subjekti deklaron kursime në cash të akumuluara vit pas viti në vlerën e 4 milionë lekëve.

Të ardhurat për periudhën deklaruese janë 27.2 milionë lekë. Rreth 70% e të ardhurave janë siguruar nga paga për shkak të funksionit të gjyqtares, ndërsa 29% kanë si burim shitjen e pasurive të patundshme.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 14 vitet e deklarimit të Znj. Deda, dy deklarata rezultuan me probleme.

Subjekti Etleva Deda rezulton me pasuri të pajustifikuar për vitin 2009 në vlerën e 4.4 milionë lekëve dhe në vitin 2011 në vlerën e 997 mijë lekëve. Diferencat negative lidhen me blerjen e një apartamenti në vlerën e 92 mijë eurove, të paguar përmes një kësti prej 72 mijë eurosh në vitin 2009 dhe 20 mijë eurosh në vitin 2011.

Gjyqtarja Deda nuk deklaron burim për pagesat e kësteve të apartamenteve, por mendohet që një kredi e butë prej 5 milionë lekësh e marrë në vitin 2006 të ketë shërbyer për pagesën e këstit të parë. Pjesa tjetër mbetet e pambuluar nga burimet e deklaruara.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” një hua prej 8 mijë eurosh, e cila rezulton e shlyer plotësisht në vitin 2013 si dhe kursimet në cash të deklaruara përgjatë 14 viteve.

Në fund të vitit 2017, këto kursime të akumuluara kapin vlerën e 4 milionë lekëve, ndërkohë që zyrtarët publikë nuk lejohen të mbajnë jashtë sistemit bankar vlera monetare më të mëdha se 1.5 milionë lekë.

Duke qenë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al