Skeda e pasurisë së deklaruar-Fatmir Lushi-drejtues i Prokurorisë së Fierit

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Skeda
Drejtuesi i komanduar i Prokurorisë së Fierit, Fatmir Lushi do të përballet të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2008 deri në fund të vitit 2017.

Drejtuesi i Prokurorisë së Fierit, Fatmir Lushi do të përballet të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i rivlerësimit për prokurorin Lushi po kryhet nga trupa gjyqësore e përbërë nga Suela Zhegu, Brunilda Bekteshi dhe Xhensila Pine.

Fatmir Lushi ka kryer shkollën e Magjistraturës përgjatë viteve 2006-2009. Në vitin 2009, ai është emëruar prokuror i Prokurorisë së Shkodrës, ndërsa në vitin 2014 është transferuar në Prokurorinë e Elbasanit. Në janar të vitit 2017, Lushi u komandua drejtues i Prokurorisë së Fierit, detyrë të cilën e kryen edhe aktualisht.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Fatmir Lushi nga viti 2008 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurise se kreut te prokurorise se Fierit, Fatmir Lushi per vitet 2008-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori Fatmir Lushi zotëronte vetëm 2 mijë metra katrorë tokë në një fshat të Elbasanit në vitin 2008, e përfituar në bazë të ligjit “Për tokën”. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e tij kap vlerën e 8.6 milionë lekëve.

Pasuritë e paluajtshme përbëjnë zërin kryesor me vlerë të deklaruar 5.1 milionë lekë. Referuar deklaratave të tij, Lushi zotëron një apartament 102 metra katrorë në qytetin e Elbasanit si dhe rreth 200 m2 tokë në Farkë e Madhe Tiranë, e blerë për 72 450 lekë në vitin 2011.

Prokurori zotëron gjithashtu familjarisht likujditete bankare me vlerë 1.8 milionë lekë, kursime në cash prej 1.3 milionë lekësh si dhe një automjet me vlerë 380 mijë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 13.6 milionë lekë dhe kanë si burim pagën nga funksioni i prokurorit dhe pagën e bashkëshortes.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Drejtuesi i Prokurorisë së Fierit iu nënshtrua kontrollit aritmetik/logjik për 10 vite të deklarimit, nga të cilat njëra prej deklaratave rezulton me probleme.

Analiza e kryer nga BIRN tregon se prokurori Lushi rezulton me pasuri të pajustifikuar në vitin 2013 në vlerën e 3.7 milionë lekëve. Këtë vit ai deklaron se ka blerë një apartament prej 102 metrash katrorë në qytetin e Elbasanit me vlerë rreth 5 milionë lekë, por nuk deklaron burimin e kësaj pasurie.

Deklarata e pasurisë Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al