Skeda e pasurisë së deklaruar-Fuat Vjerdha-Kryetar i Apelit Shkodër
Skeda

Skeda e pasurisë së deklaruar-Fuat Vjerdha-Kryetar i Apelit Shkodër

Kryetari i Gjykatës së Apelit të Shkodrës, Fuat Vjerdha do të përballet të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.Kryetari i Gjykatës së Apelit të Shkodrës, Fuat Vjerdha do të përballet të hënën më 6 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Seanca dëgjimore me Vjerdhën do të drejtohet nga trupi gjykues i përbërë nga Olsi Komici, Pamela Qirko dhe Lulzim Hamitaj.

Fuat Vjerdha e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1994. Për më shumë se një dekadë, ai ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës, ndërsa në prill të vitit 2005 është emëruar anëtar i Gjykatës së Apelit Shkodër.

Paralelisht me punën si gjyqtar, Vjerdha ka ushtruar për pak vite aktivitetin e mësimdhënies si dhe ka qenë pjesë e trupës së arbitrimit në Federatën Shqiptare të Basketbollit. Ai drejton Gjykatën e Apelit të Shkodrës prej vitit 2014.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Fuat Vjerdha nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurise se kryetarit te Apelit te Shkodres, Fuat Vjerdha per vitet 2003-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Fuat Vjerdha zotëronte pasuri me vlerë 400 mijë lekë në vitin 2003, i cili përkon me deklarimin e tij të parë në ILDKPKI. Në fund të vitit 2017, pasuria e tij familjare deklarohet në vlerën e 5.3 milionë lekëve, duke shënuar një rritje me 13 herë në krahasim me vitin fillestar.

Gjyqtari Vjerdha zotëron likujditete me vlerë 4.4 milionë lekë, kursime në cash prej 496 mijë lekësh si dhe një automjet në bashkëpronësi me bashkëshorten në vlerën e 290 mijë lekëve. Kreu i Apelit deklaron gjithashtu pronësinë mbi dy apartamente, një garazh dhe një dyqan në qytetin e Shkodrës, por pronat e paluajtshme nuk përmbajnë vlerë financiare për shkak se janë përfituar nga trashëgimia.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 19.8 milionë lekë. Pjesa dërrmuese e të ardhurave janë siguruar nga paga për shkak të funksionit në masën 93%. Të ardhurat e tjera rrjedhin nga paga e familjarëve, mësimdhënia dhe dhënia me qira e dyqanit të përfituar nga trashëgimia.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për 14 vitet e deklarimit rezultoi pa probleme për kryetarin e Gjykatës së Apelit të Shkodrës.

Megjithatë, BIRN identifikoi në këtë analizë “flamuj të kuq” lidhur me përfitimin e pronave nga trashëgimia apo me shpenzimet familjare.

Më konkretisht, gjyqtari Fuat Vjerdha deklaroi në vitin 2016 se me vdekjen e nënës së tij ka përfituar si trashëgimtar i vetëm ligjor dy apartamente me sipërfaqe 175 m2 të lidhur me njëri-tjetrin, një garazh dhe një dyqan me sipërfaqe 41 m2 në qytetin e Shkodrës. Pronat sipas deklarimit janë përfituar nga kontrata e sipërmarrjes që nëna e tij e ndjerë ka nënshkruar në cilësinë e bashkëpronares së truallit. Gjyqtari shton gjithashtu se jetojnë në këto ambiente prej katër vitesh, por pronat nuk janë regjistruar ende në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Ai deklaron gjithashtu përfitimin nga trashëgimia të së drejtës së kompensimit mbi një truall 965 m2 në Tiranë, mbi të cilin është ndërtuar ambasada hungareze, pasi nëna e tij ka qenë bashkëpronarë e pjesës takuese ideale prej 18/216 e shtëpisë që ndodhej mbi këtë truall.

BIRN analizoi gjithashtu shpenzimet e deklaruara nga subjekti, të cilat për 6 vjet kanë qenë nën mesataren e konsumit familjar sipas INSTAT-it.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *