Skeda e pasurisë së deklaruar –Henrik Ligori –Shkolla e Magjistraturës
Korrupsioni KPK Skeda Vendi

Skeda e pasurisë së deklaruar –Henrik Ligori –Shkolla e Magjistraturës

Pedagogu i Shkollës së Magjistraturës, Henrik Ligori do të përballet të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij familjare nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017.Pedagogu i Shkollës së Magjistraturës, Henrik Ligori do të përballet të hënën më 1 shkurt me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kyen procesin e vetingut përbëhet nga Etleda Çiftja, Suela Zhegu dhe Alma Faskaj.

Henrik Ligori e ka filluar karrierën në sistemin e drejtesisë në vitin 1993 dhe nga viti 2004  ka mbajtur postin e zv/drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Në vitin 2018, Ligori dha dorëheqjen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi u emërua pedagog në Shkollën e Magjistraturës. Megjithatë, procesi i vetingut për të po kryhet në cilësinë e prokurorit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila është shkrirë prej më shumë se një viti.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Henrik Ligori nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar nga prokurori Henrik Ligori nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017.

Në deklarimin për herë të parë në vitin 2004, prokurori Henrik Ligori deklaronte pasuri familjare me vlerë 9.2 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2017 pasuria bruto ka shënuar një rritje me 7 herë, duke kapur vlerën e 70.9 milionë lekëve.

Pasuritë e paluajtshme familjare përbëjnë zërin kryesor të aseteve me vlerë 46.3 milionë lekë, likujditetet bankare vlerësohen në 15.4 milionë lekë, automjetet me vlerë 8.7 milionë lekë dhe kursimet në cash prej 450 mijë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 68.7 milionë lekë, nga të cilat gati 36% e totalit kanë si burim pagën e Z. Ligori dhe 32% aktivitetin privat të bashkëshortes si avokate. Rreth 21% e të ardhurave kanë si burim pagën e bashkëshortes dhe 5% e totalit burojnë nga mësimdhënia.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit, tre prej deklaratave rezultojnë me probleme.

Subjekti Henrik Ligori rezulton me burime financiare të deklaruara të pamjaftueshme për të mbuluar shtesën e aseteve gjatë viteve 2009, 2010 dhe 2016, pa llogaritur në këtë analizë shpenzimet vjetore për konsum familjar.

Në vitin 2009, bashkëshortja e subjektit të rivlerësimit deklaron blerjen e një apartamenti banimi me vlerë 250 mijë euro, me burim një kredi bankare prej 150 mijë eurosh dhe kursimet familjare ndër vite. Gjithashtu deklaron blerjen e një garazhi me vlerë 28 mijë euro, për të cilën ka paguar në 2009 vetëm këstin e parë prej 10 mijë eurosh.

Në analizë u zbritën kursimet e deklaruara të viteve të mëparshme dhe të ardhurat vjetore, por sërish rezulton një diferencë prej 6.7 milionë lekësh.

Në vitin 2010, deklarohet shlyerja e kredisë prej 96,594 euro që shërbeu për blerjen e apartamentit në vitin 2009, me burime të deklaruara pakësimin e kursimeve cash në vlerat 52 mijë euro dhe 37 mijë euro. Por subjekti dhe bashkëshortja e tij deklaruan pakësimin e kursimeve ndër vite me blerjen e apartamentit, duke rezultuar me burime të pamjaftueshme për të mbuluar shpenzimet në vlerën e 11.1 milionë lekëve.

Gjithashtu në vitin 2016, subjekti deklaron shtesë asetesh dhe likujditetesh me vlerë 8.4 milionë lekë dhe pavarësisht të ardhurave të konsiderueshme për vitin, rezulton me diferencë negative prej 1.1 milionë lekësh.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi ligjshmërinë e pasurive të subjektit, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *