Skeda e pasurisë së deklaruar –Kolë Hysenaj –Prokuroria e Tiranës
Korrupsioni KPK Skeda Vendi

Skeda e pasurisë së deklaruar –Kolë Hysenaj –Prokuroria e Tiranës

Prokurori Kolë Hysenaj i Prokurorisë së Tiranës do të përballet të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij familjare nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.Prokurori i Prokurorisë së Tiranës, Kolë Hysenaj do të përballet të premten më 18 shtator me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen vetingun për të përbëhet nga Pamela Qirko, Olsi Komici dhe Firdes Shuli.

Kolë Hysenaj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1997 dhe ka punuar për më shumë se dy dekada si prokuror në Prokuroritë e Lushnjes, Kavajës dhe Tiranës.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Kolë Hysenaj nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar nga prokurori Kolë Hysenaj për vitet 2003-2017.

Në deklaratën e parë të vitit 2003, prokurori Hysenaj deklaronte pasuri familjare me vlerë 1.9 milionë lekë, ndërkohë që në fund të vitit 2017, pasuria familjare kap vlerën e 40.8 milionë lekëve.

Pjesa kryesore e aseteve përbëhet nga pasuritë e patundshme, të cilat kapin vlerën e 30.5 milionë lekëve. Prokurori Hysenaj deklaron familjarisht edhe automjete me vlerë 8.9 milionë lekë dhe likujditete bankare prej 1.3 milionë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 64.3 milionë lekë, nga të cilat paga nga funksioni i prokurorit zë gati 24%. Të ardhurat e bashkëshortes nga paga dhe aktiviteti privat përbëjnë rreth 47% të totalit, 21% e të ardhurave burojnë nga shitja e pasurive të patundshme dhe 6% nga shitja e automjeteve.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit, tre prej deklaratave rezultojnë me probleme.

Prokurori Hysenaj rezulton me mungesë burimesh për të mbuluar shtesat e pasurisë në vitet 2011, 2015 dhe 2016, përkatësisht në shumat 3.1 milionë lekë, 3 milionë lekë dhe 11.7 milionë lekë.

Diferenca negative e vitit 2016 krijohet nga blerja e një trualli dhe banese në qytetin e Korçës me vlerë 125 mijë euro, me burim të ardhurat ndër vite. Subjekti dhe familjarët e tij kanë deklaruar të ardhura të mjaftueshme ndër vite për mbulimin e këtij aseti, por nuk kanë deklaruar kursime në fund të çdo viti kalendarik.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë rezultuan disa “flamuj të kuq”, që lidhen me të ardhurat, huatë dhe blerjen e një prone të patundshme.

Më konkretisht, bashkëshortja e subjektit deklaron në vitet 2007-2016 të ardhura nga aktiviteti i një bar-kafeje. Në vitin 2016, ajo saktëson se “në vitet e mëparshme, gabimisht janë referuar në lekë të vjetra”, pa saktësuar se cilat shuma kanë qenë deklaruar në mënyrë të pasaktë.

Në deklarimin e vitit 2003, prokurori Hysenaj deklaron hua nga vëllai në vlerën 300 mijë lekë dhe nga kunati në vlerën e 1.3 milionë lekëve. Borxhi i vëllait është falur në vitin 2006, ndërsa ndaj kunatit është shlyer në dy këste në vlerën 1.1 milionë lekë, e cila nuk përputhet me shumën e deklaruar fillimisht.

Në vitin 2011, prokurori Hysenaj deklaron blerjen e një toke me vlerë 11.2 milionë lekë në fshat si dhe ndërtimin e një shtëpie me sipërfaqe 270m2, për të cilën mungojnë të dhënat mbi koston e ndërtimit.

Gjatë viteve të deklarimit, subjekti deklaron disa herë shitblerje ose shkëmbime makinash, me kosto më të lartë sesa çmimi i blerjes.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *