Skeda e pasurisë së deklaruar- Luan Hasneziri-Gjykata e Krimeve të Rënda
Skeda

Skeda e pasurisë së deklaruar- Luan Hasneziri-Gjykata e Krimeve të Rënda

Gjyqtari i Krimeve të Rënda, Luan Hasneziri, i cili kandidon për një post në Gjykatën Kushtetuese do të përballet të hënën me KPK-në. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.Gjyqtari I Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Luan Hasneziri do të përballet të hënën më 27 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për Hasnezirin përbëhet nga Suela Zhegu, Lulzim Hamitaj dhe Alma Faskaj.

Luan Hasneziri e ka filluar karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1999 si gjyqtar i Gjykatës së Vlorës. Ai është emëruar gjyqtar i Krimeve të Rënda në vitin 2005, ndërkohë që vazhdon të mbajë këtë pozicion prej gati 15 vitesh.

Hasneziri është gjithashtu një nga kandidatët në garë për Gjykatën Kushtetuese. Ai ka aplikuar për një nga vendet vakante të shpallura nga Gjykata e Lartë.

Paralelisht me punën si gjyqtar, Hasneziri e ka zhvilluar karrierën e tij edhe në fushën akademike. Ai ka dhënë mësim prej vitesh në fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës si dhe në disa universitete private në vend si dhe është autor i disa librave, si “Filozofia e së drejtës”, “Leksione të së drejtës së pronësisë” etj. Ai mban gjithashtu titujt “Master” dhe “Doktor i Shkencave”.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Luan Hasneziri nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurise se gjyqtarit Luan Hasneziri per vitet 2003-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Luan Hasneziri nuk zotëronte asnjë pasuri në vitin 2003; kur deklaroi për herë të parë interesat private në ILDKPKI. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e tij kap vlerën e 9.9 milionë lekëve, duke shënuar një rritje mesatare vjetore prej 709 mijë lekësh.

Pasuria përbëhet nga një apartament me vlerë 5.9 milionë lekë, kursime të akumuluara në cash prej 3.8 milionë lekësh si dhe 150 mijë lekë likujditete bankare.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 22.2 milionë lekë. Rreth 80% e të ardhurave burojnë nga paga si gjyqtar, 11% nga mësimdhënia dhe shitja e librave si dhe 8% nga paga e bashkëshortes.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për 14 vitet e deklarimit rezultoi 12 vite pa probleme dhe dy vite me probleme.

Sipas kontrollit aritmetik-logjik, gjyqtari Hasneziri rezulton me diferencë negative prej rreth 704 mijë lekësh në vitin 2008 dhe 68 mijë lekësh në vitin 2010. Në këto vite, gjyqtari deklaron shlyerje me këste të një kredie bankare dhe të një huaje, që së bashku me shumat e kursimeve i tejkalojnë të ardhurat e deklaruara.

Ndërsa analiza cilësore e deklaratave të pasurisë ka identifikuar si “flamuj të kuq” kryesisht huamarrjet e deklaruara nga gjyqtari i Krimeve të Rënda. Kështu në vitin 2006, subjekti deklaron se ka marrë 5.9 milionë lekë hua për blerjen e një apartamenti në Tiranë. Huaja është shlyer në vlerën 4.9 milionë lekë brenda vitit me disbursimin e kredisë bankare, ndërsa pjesa e mbetur është shlyer me këste deri në fund të vitit 2014.

Gjithashtu në vitin 2014, gjyqtari Hasneziri ka deklaruar se ka marrë një hua të dytë prej 40 mijë eurosh si garanci për marrjen e një vize nga ambasada amerikane në Tiranë. Huaja është shlyer brenda vitit “për shkak të refuzimit të vizës”.

Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar në këtë analizë është vlera e akumuluar e kursimeve në cash që gjyqtari Hasneziri deklaron vit pas viti. Në fund të vitit 2018, kjo shumë rezulton 3.8 milionë lekë, ndërkohë që kufiri i lejuar ligjor për kursimet jashtë sistemit bankar është 1.5 milionë lekë.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *