Skeda e pasurisë së deklaruar – Marsela Balili –gjyqtare e Gjykatës së Posaçme
Korrupsioni KPK Skeda Vendi

Skeda e pasurisë së deklaruar – Marsela Balili –gjyqtare e Gjykatës së Posaçme

Marsela Balili u rikthye në sistemin e drejtësisë pas pezullimit 6 vjeçar nga detyra për shkak të një hetimi për korrupsion. Ajo do të përballet të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.Gjyqtarja Marsela Balili, e caktuar përkohësisht si pjesë e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të përballet të hënën më 13 janar me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e rivlerësimit për Balilin përbëhet nga Xhensila Pine, Pamela Qirko dhe Etleda Çiftja.

Marsela Balili e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 si gjyqtare në Gjykatën e Vlorës. Në vitin 2004, ajo është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, detyrë të cilën e kreu deri në vitin 2009.

Me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Balilit iu hoq imuniteti dhe u pezullua nga detyra në vitin 2009, pasi Prokuroria nisi një procedim penal ndaj saj dhe bashkëshortit prokuror, Aleksandër Plepi për veprën penale të korrupsionit.

Në fund të procesit, Balili u shpall e pafajshme ndërsa bashkëshorti i saj u dënua me 1 vit burg. Marsela Balili u rikthye në sistemin e drejtësisë me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitin 2017 si gjyqtare në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Pas shkrirjes së kësaj gjykate, ajo u caktua përkohësisht anëtare e Gjykatës së Posaçme deri në marrjen e një vendimi nga institucionet e vetingut.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Marsela Balili nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar nga gjyqtarja Marsela Balili për vitet 2003-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtarja Marsela Balili zotëronte pasuri familjare me vlerë 4.1 milionë lekë në vitin 2003, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria e saj familjare rezulton të jetë rritur me 4 herë duke kapur vlerën e 17.3 milionë lekëve.

Në fund të vitit 2017, gjyqtarja zotëron familjarisht 8.8 milionë lekë pasuri të patundshme dhe rreth 8.5 milionë lekë likujditete bankare.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 28.5 milionë lekë. Paga nga funksioni bashkë me kompensimin e pagave për periudhën e pezullimit zënë 58% të të ardhurave familjare, ndërkohë që të ardhurat e bashkëshortit nga puna si prokuror dhe avokat zënë 16%. Rreth 25% e të ardhurave të deklaruara kanë si burim prindërit e subjektit të rivlerësimit.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 12 deklarata që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, tre prej tyre rezultojnë me probleme.

Subjekti Balili rezulton me diferenca negative për vitet 2010, 2011 dhe 2015 në shumat respektive të 390 mijë lekëve, 390 mijë lekëve dhe 257 mijë lekëve. Në këto vite, as Balili dhe as bashkëshorti i saj nuk kanë deklaruar të ardhura pasi subjekti ishte e pezulluar ndërsa bashkëshorti i saj ishte shkarkuar nga detyra e prokurorit.

BIRN identifikoi gjithashtu si “flamur të kuq” deklarimin e subjektit se gjatë viteve të pezullimit ka përdorur për jetesë të ardhura nga familjarët dhe nga puna informale; pa specifikuar as vlerën dhe as punën e kryer.

Në vitin 2014, subjekti deklaron marrjen e dy huave në vlerat e 40 mijë eurove dhe 10 mijë eurove, ku e para rezulton të jetë marrë për hapjen e një aktiviteti privat nga bashkëshorti. Në fund të vitit 2017, të dyja huatë rezultojnë ende të pashlyera.

Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar janë transaksionet e deklaruara nga subjekti në cilësinë e përfaqësueses me prokurë të dy prindërve të saj që ndodhen në SHBA për të blerë një apartament në Vlorë, tërheqjen e të ardhurave nga pensioni si dhe veprime të tjera bankare në emër të tyre.

Duke qenë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *