Skeda e pasurisë së deklaruar –Nazmi Troka– Gjykata e Apelit Vlorë

Skeda
Gjyqtari i Apelit të Vlorës, Nazmi Troka do të përballet të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij familjare nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Gjyqtari Nazmi Troka i Gjykatës së Apelit të Vlorës do të përballet të martën më 2 nëntor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Lulzim Hamitaj, Firdes Shuli dhe Suela Zhegu.

Nazmi Troka e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe ka punuar për gati dy dekada si gjyqtar në Gjykatën e Beratit. Në vitin 2013, Troka u dekretua si gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Vlorës, ku vazhdon ta ushtrojë funksionin edhe aktualisht.

Në tetor, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i kërkoi Këshillit të Lartë Gjyqësor që të vendoste masën disiplinore “ulje me 40% të pagës për 1 vit” për Trokën, me pretendimin se kishte marrë një vendim për rishikim mase sigurie në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale.

Kërkesa e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u pezullua nga KLGJ deri në një vendim nga institucionet e vetingut.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar nga gjyqtari Nazmi Troka nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF].

Skeda e pasurisë familjare të deklaruar nga gjyqtari i Apelit të Vlorës, Nazmi Troka.

Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003, gjyqtari Nazmi Troka deklaronte pasuri me vlerë 2.6 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria familjare kap vlerën e 14.4 milionë lekëve.

Subjekti Nazmi Troka zotëron familjarisht pasuri të patundshme me vlerë 10.5 milionë lekë, likujditete bankare prej 1.2 milionë lekësh, kursime në cash prej 1.8 milionë lekësh si dhe një automjet me vlerë 600 mijë lekë. Ai deklaron gjithashtu një huadhënie ndaj vëllait në vlerën e 200 mijë lekëve.

Të ardhurat familjare për periudhën e deklaruar janë 29.8 milionë lekë, nga të cilat 52% kanë si burim pagën e tij si gjyqtar, 24% të ardhurat nga toka bujqësore dhe pemëtaria si dhe 22% nga të ardhurat e bashkëshortes.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” të ardhurat e konsiderueshme me burim nga toka bujqësore dhe pemëtaria.

Më konkretisht, subjekti Nazmi Troka deklaron në vitin 2003 pasuri të paluajtshme familjare në Kuçovë një  shtëpi banimi në vlerë 1,200,000 lekë dhe tokë arë me sipërfaqe totale 8,000m2, të përfituar nga ligji 7501. Gjatë viteve të deklarimit, nga kjo tokë bujqësore sigurohen të ardhura me vlerë 7,190,000 lekë në total.

Në vitin 2014 deklarohet shtesë apartamenti banimi në vlerë 67,000 euro, me burim financimi një kredi bankare prej 25,000 eurosh dhe kursimet e akumuluara ndër vite [depozita bankare në vlerë 5,113,590 lekë dhe cash në vlerë 1,787,017 lekë].

Në fund të vitit 2017, nga gjendja totale e kursimeve cash, 1,300,000 lekë i përkasin deklaruesit dhe 500,000 lekë babait të deklaruesit.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011  

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al