Skeda e pasurisë së deklaruar – Ndini Tavani – kandidat për SPAK
Skeda

Skeda e pasurisë së deklaruar – Ndini Tavani – kandidat për SPAK

Prokurori i Tiranës, Ndini Tavani do të përballet të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2006 deri në fund të vitit 2017.Ndini Tavani, prokuror i Prokurorisë së Tiranës dhe kandidat për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK do të përballet të hënën më 7 tetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjyqësore që po kryen hetimin administrativ për Tavanin përbëhet nga Roland Ilia, Alma Faskaj dhe Brunilda Bekteshi.

Ndini Tavani ka përfunduar studimet për drejtësi dhe ka ushtruar profesionin e avokatit në vitet 2003-2004. Më pas, ai ka vazhduar studimet në Shkollën e Magjistraturës dhe pas vitit 2007 ka ushtruar funksionin e prokurorit në Durrës, Vlorë dhe Tiranë.

Tavani është gjithashtu një ndër 15 të përzgjedhurit e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, e njohur gjerësisht si SPAK. Për të marrë një emërim përfundimtar, prokurorit i duhet të kalojë edhe procesin e vetingut.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Ndini Tavani nga viti 2006 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar e prokurorit Ndini Tavani për vitet 2006-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori Ndini Tavani zotëronte pasuri familjare prej 6.8 milionë lekësh në vitin 2006, kur deklaroi interesat e tij private për herë të parë në ILDKPKI. Ai deklaronte asokohe pjesë takuese prej 1/3 e një apartamenti si dhe kursime prej 2.5 milionë lekësh të siguruara nga avokatia.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e deklaruar nga prokurori Tavani është 12.1 milionë lekë, me një rritje mesatare prej 442 mijë lekësh në vit. Ajo ndahet në 8.8 milionë lekë pasuri të patundshme, automjete me vlerë 2.2 milionë lekë, 90 mijë lekë likujditete bankare si dhe rreth 889 mijë lekë kursime në cash.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 19.1 milionë lekë. Ndër to, paga nga funksioni i prokurorit i Z.Tavani zë 64%, ndërsa paga e bashkëshortes rreth 32% të totalit. Rreth 2% e të ardhurave kanë si burim mësimdhënien, ndërsa prokurori deklaron edhe vlera të vogla si dhuratë.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 12 deklarata që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, asnjëra prej tyre nuk rezulton me probleme.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” një kredi bankare të deklaruar në vitin 2007 në emër të bashkëshortes për blerjen e një makine, por që autovetura nuk është blerë. Në këtë rast, destinacioni i kredisë është i paqartë.

Gjithashtu në vitin 2015, prokurori Tavani deklaron porositjen e një apartamenti me vlerë 4.5 milionë lekë. Në fund të vitit 2017, rezulton si detyrim i pashlyer ndaj kompanisë sipërmarrëse vlera prej 1.5 milionë lekësh.

Duke qenë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë për vitin 2006

Deklarata e pasurisë për vitin 2007

Deklarata e pasurisë për vitin 2008

Deklarata e pasurisë për vitin 2009

Deklarata e pasurisë për vitin 2010

Deklarata e pasurisë për vitin 2011

Deklarata e pasurisë për vitin 2012

Deklarata e pasurisë për vitin 2013

Deklarata e pasurisë për vitin 2014

Deklarata e pasurisë për vitin 2015

Deklarata e pasurisë për vitin 2016

Deklarata e pasurisë për vitin 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *