Skeda e pasurisë së deklaruar –Petrit Çano –drejtues i Prokurorisë së Krujës
Skeda

Skeda e pasurisë së deklaruar –Petrit Çano –drejtues i Prokurorisë së Krujës

Drejtuesi i Prokurorisë së Krujës, Petrit Çano do të përballet të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.Drejtuesi i Prokurorisë së Krujës, Petrit Çano do të përballet të mërkurën më 5 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjyqësore që po kryen procesin e vetingut për të përbëhet nga Olsi Komici, Lulzim Hamitaj dhe Suela Zhegu.

Prokurori Petrit Çano e ushtron funksionin e tij prej më shumë se 20 vitesh në rolin e drejtuesit. Ai ka drejtuar Prokurorinë e Vlorës në vitet 2000-2008 si dhe atë të Lushnjes në vitet 2008-2015. Me dekret të presidentit të Republikës, Çano është emëruar drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë prej vitit 2015.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Petrit Çano nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurise se deklaruar nga prokurori Petrit Çano per vitet 2003-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori Petrit Çano zotëronte pasuri familjare me vlerë 4.5 milionë lekë në vitin 2003; kur deklaroi interesat e tij private pranë ILDKPKI-së. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e tij rezulton e katërfishuar me një vlerë totale prej 20.8 milionë lekësh.

Pasuritë e paluajtshme përbëjnë zërin kryesor të aseteve me vlerë të llogaritur në 14.9 milionë lekë. Çano deklaron gjithashtu 2.9 milionë lekë likujditete bankare, 1.5 milionë lekë kursime të akumuluara në cash si dhe ka dhënë hua 1.4 milionë lekë të tjera.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese 2003-2017 janë 37.4 milionë lekë. Burimi kryesor i të ardhurave është paga nga funksioni i prokurorit në masën 52%, ndërsa të ardhurat nga pagat e familjarëve zënë 19% të totalit.

Rreth 11% e të ardhurave ka si burim fitimin nga shitja e një apartamenti, ndërsa 9% të tjera burojnë nga aktiviteti privat i bashkëshortes në një kopësht për fëmijë.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 14 deklaratat që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, dy prej tyre rezultojnë me diferenca negative mes të ardhurave të deklaruara dhe aseteve.

Më konkretisht, prokurori Petrit Çano rezulton me pasuri të pajustifikuar nga burimet e deklaruara për vitin 2009 në vlerën e 1.8 milionë lekëve dhe për vitin 2011 në shumën 1.5 milionë lekë.

Në të dyja vitet, subjekti ka deklaruar si shtesë pasurie likujditete të konsiderueshme parash, të cilat i tejkalojnë të ardhurat e deklaruara.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” të ardhurat e deklaruara nga subjekti me burim aktivitetin privat të bashkëshortes së tij. Biznesi i vogël i një kopshti fëmijësh rezulton të jetë hapur në vitin 2005, por deklarohet për herë të parë në vitin 2006.

Ndërsa deklaron pagesën e qirasë për godinën ku ushtrohet aktiviteti privat i bashkëshortes, subjekti nuk deklaron investime të kryera për hapjen e tij. Megjithatë në vitin 2010, deklarohen të ardhura prej 1.4 milionë lekësh nga shitja e aseteve dhe e pajisjeve të biznesit.

Vlen gjithashtu për t’u shënuar se subjekti Çano ka deklaruar se ka dhënë hua në vlerën e 8.4 milionë lekëve gjatë viteve 2007 dhe 2008. Në vitin 2011, ai deklaron se ka blerë një apartament në Tiranë me burim kryesor huatë e kthyera në vlerën e 7 milionë lekëve.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë për vitit 2003

Deklarata e pasurise për vitit 2004

Deklarata e pasurisë për vitit 2005

Deklarata e pasurise për vitit 2006

Deklarata e pasurisë për vitit 2007

Deklarata e pasurisë për vitit 2008

Deklarata e pasurisë për vitin 2009

Deklarata e pasurisë për vitin 2010

Deklarata e pasurisë për vitin 2011

Deklarata e pasurisë për vitin 2012

Deklarata e pasurisë për vitin 2013

Deklarata e pasurisë për vitin 2014

Deklarata e pasurisë për vitin 2015

Deklarata e pasurisë për vitin 2016

Deklarata e pasurisë për vitin 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *