Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Skeda

Skeda e pasurisë së deklaruar-Shkëlzen Selimi-anëtar i Gjykatës së Lartë*

Shkëlzen Selimi, anëtar i Gjykatës së Lartë prej vitit 2013 do të përballet të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Pasuria e tij nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017 rezulton e rritur me 37 herë.Shkëlzen Selimi, anëtar i Gjykatës së Lartë prej vitit 2011, do të përballet të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i rivlerësimit për gjyqtarin Selimi është kryer nga trupi gjykues i drejtuar nga Xhensila Pine dhe me anëtarë Etleda Çiftja dhe Valbona Sanxhaktari.

Shkëlzen Selimi është anëtari i shtatë i Gjykatës së Lartë që përballet me procesin e vetingut. Më parë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë vendimet e shkarkimit për Admir Thanzën, Tom Ndrecën dhe Artan Zenelin si dhe ka konfirmuar në detyrë Edmond Islamajn, Xhezair Zaganjorin dhe Ardian Dvoranin.

Selimi është diplomuar në fakultetin e Drejtësisë në vitin 1996 dhe ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2000. Në tetor 1999 deri në shtator 2000, Z. Selimi ka ushtruar detyrën e gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe gjatë periudhës 2000-2011 ka ushtruar detyrën e gjyqtarit pranë Gjykatës së Vlorës.

Krahas ushtrimit të detyrës së gjyqtarit, Shkëlzen Selimi ka qenë edhe lektor në universitetet “Ismail Qemali” dhe “Pavarësia” në Vlorë. Aktualisht, ai është pedagog i jashtëm pranë Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë si dhe ekspert pranë Shkollës së Magjistraturës.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Shkëlzen Selimi nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko këtu për skedën]

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Shkëlzen Selimi zotëronte pasuri me vlerë 1.6 milionë lekë në vitin 2003-kur deklaroi për herë të parë në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Referuar deklaratës së tij të parë, Selimi zotëronte  vetëm 25 për qind të një apartamenti të familjes, të përfituar nga ligji i privatizimeve.

Gjyqtari Selimi rezulton të ketë rritur pasurinë e tij familjare me 37 herë gjatë karrierës së tij. Në fund të vitit 2017, pasuria e tij llogaritet në vlerën e 58.5 milionë lekëve.

Pasuritë e paluajtshme zënë pjesën kryesore të aseteve të anëtarit të Gjykatës së Lartë me një vlerë prej 45.1 milionë lekësh. Në fund të vitit 2017, ai është bashkëpronar i një pike karburanti të blerë për 250 mijë euro si dhe pronar i një apartamenti me sipërfaqe 155 metra katrorë me vlerë 85 mijë euro në Selitë të Tiranës.

Ai zotëron gjithashtu familjarisht 5.7 milionë lekë në likujditete bankare, 1.5 milion lekë kursime në cash dhe një automjet me vlerë 420 mijë lekë. Ndërkohë, gjyqtari Selimi ka dhënë hua edhe një vlerë të konsiderueshme prej 5.6 milionë lekësh.

Në anën tjetër, të ardhurat familjare të gjyqtarit Shkëlzen Selimi për të gjithë periudhën e deklaruar 2003-2017 kapin vlerën e 69.4 milionë lekëve.

Të ardhurat nga paga e tij, mësimdhënia si dhe nga paga e bashkëshortes-gjithashtu gjyqtare përbëjnë vetëm 53 për qind të burimit të të ardhurave të familjes Selimi. Prej vitit 2013, një burim i rëndësishëm të ardhurash është bërë pika e karburantit e dhënë me qera, e cila zë 36 për qind të totalit të të ardhurave, shitblerja e pronave 8.3 për qind dhe qeratë 1.9 për qind.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit, nga të cilat dy prej tyre rezultojnë me probleme.

Në vitin 2013, gjyqtari Shkëlzen Selimi ka nënshkruar një kontratë blerjeje të një pike karburanti në qytetin e Vlorës me vlerë 250 mijë euro. Për blerjen e kësaj prone, Selimi ka deklaruar si burim marrjen e një kredie bankare me vlerë 6.6 milionë lekë, shitjen e një apartamenti dhe një garazhi në Vlorë me çmim rreth 79 mijë euro si dhe kursimet e tij me vlerë rreth 20 mijë euro.

Analiza e të ardhurave dhe shpenzimeve tregon se gjyqtari Selimi nuk justifikon me burimet e deklaruara një vlerë prej 12.8 milionë lekësh në vitin 2013, pa llogaritur këtu shpenzimet jetike. Trendi negativ ka vazhduar edhe në vitin 2014, ku gjyqtari rezulton me mungesë burimesh në vlerën e rreth 640 mijë lekëve.

Në total, shuma e pajustifikuar për vitet 2013 dhe 2014 kap vlerën e 13.4 milionë lekëve.

Përveç problemeve me kontrollin aritmetik/logjik, BIRN ka identifikuar edhe disa “flamuj të kuq” në analizën e pasurisë familjare të gjyqtarit Selimi,

Më konkretisht, anëtari i Gjykatës së Lartë ka blerë në vitin 2006 një apartament dhe garazh në Vlorë në vlerën e 45 mijë eurove dhe i ka shitur ato në vitin 2013 për 79 mijë euro. Fitimi nga ky transaksion me pronat është 34 mijë euro.

BIRN identifikoi gjithashtu pasaktësi në lëvizjet e likujditeteve në bankë për vitet 2006 dhe 2013 si dhe fitime nga dhënia me qera e pikës së karburantit në vlerën e 24.9 milionë lekëve për vitet 2013-2017.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

*Ky artikull është ndryshuar për të reflektuar korrektimin e mëposhtëm:

Më herët Reporter.al raportoi gabim në skedën e pasurisë së Z. Shkëlzen Selimi, ish anëtar i Gjykatës së Lartë, se subjekti ka “ ka blerë në vitin 2006 një apartament dhe garazh në Vlorë në vlerën e 45 mijë eurove dhe i ka shitur ato tre vite më vonë për 79 mijë euro.” Shitja e apartamentit në fjalë ka ndoshur n vitin 2013 dhe jo në vitin 2009Ky tekst është amenduar për të korrigjuar gabimin.  Reporter.al kërkon ndjesë për gabimin dhe ne po punojmë që mos të përsëritet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *