Skeda e pasurisë së deklaruar –Sokol Ngresi –Gjykata e Apelit Vlorë

Skeda
Gjyqtari i Apelit të Vlorës, Sokol Ngresi do të përballet të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij familjare nga viti 2005 deri në fund të vitit 2017.

Gjyqtari i Apelit të Vlorës, Sokol Ngresi do të përballet të mërkurën më 9 dhjetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i vetingut po kryhet nga trupa gjyqësore e përbërë nga Genta Tafa Bungo, Lulzim Hamitaj dhe Suela Zhegu.

Sokol Ngresi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në fillim të viteve 2000 dhe e ushtron funksionin e tij si gjyqtar i Gjykatës së Apelit Vlorë prej vitit 2005. Në vitin 2014, Ngresi u dekretua nga presidenti Bujar Nishani si anëtar i Gjykatës së Lartë, por ky vendim nuk mori pëlqimin e mazhorancës në Kuvend.

Ngresi është aktualisht një kandidat për Gjykatën e Lartë në procesin që po zhvillohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Sokol Ngresi nga viti 2005 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar nga gjyqtari i Apelit të Vlorës, Sokol Ngresi.

Në deklaratën e dorëzuar në vitin 2005, gjyqtari Sokol Ngresi deklaronte pasuri me vlerë 950 mijë lekë, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria familjare kap vlerën e 20.3 milionë lekëve.

Në vitin 2017, pasuria familjare e Z.Ngresi përbëhet nga 13.1 milionë lekë pasuri të patundshme, automjete me vlerë 3.2 milionë lekë, likujditete në bankë prej 1.9 milionë lekësh dhe kursime në cash në pothuajse të njëjtën vlerë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 32.6 milionë lekë, nga të cilat paga për shkak të funksionit zë gati 40% të totalit dhe paga e bashkëshortes 38%.  Z. Ngresi deklaron gjithashtu të ardhura nga shitja e automjeteve në masën 3.7% dhe të ardhura nga mësimdhënia në masën 1.7%.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 12 vite të deklarimit, njëra prej deklaratave rezultoi me probleme.

Subjekti Sokol Ngresi ka mungesë të deklaratave para vitit 2005. Në deklarimin e vitit 2008, Ngresi rezulton me burime financiare të pamjaftueshme në vlerën e 1.1 milionë lekëve, diferencë që vjen kryesisht nga shpenzimi i 17 mijë eurove për të paguar këstin e parë të një apartamenti me vlerë 33 mijë euro. (Në këtë analizë mungojnë të dhënat mbi të ardhurat e mundshme të  subjektit para vitit 2005).

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” transaksionet e kryera me pagesën e një kësti të apartamentit si dhe dhuratën nga familjarët.

Më konkretisht në vitin 2008, Ngresi deklaron se ka marrë një kredi bankare prej 16 mijë eurosh për të paguar këstin e dytë të apartamentit. Por këto para i janë kthyer mbrapsht nga sipërmarrësi për arsye të paqarta dhe kanë shërbyer si burim për dy depozita bankare.

Në vitin 2010, gjyqtari Sokol Ngresi ka përfituar përmes një kontrate dhurimi një apartament nga babai. Në vitin 2017, ai ia ka dhuruar këtë apartament një personi të tretë.

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006  

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë PF 2009 

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al