Skeda e pasurisë së deklaruar –Tomor Skreli –gjyqtar i Apelit Gjirokastër

Skeda
Gjyqtari Tomor Skreli i Apelit të Gjirokastrës do të përballet të hënën në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij familjare nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Gjyqtari Tomor Skreli i Apelit të Gjirokastrës do të përballet me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të hënën më 3 shkurt. Trupa gjyqësore që po kryen procesin e rivlerësimit për Skrelin përbëhet nga Olsi Komici, Xhensila Pine dhe Pamela Qirko.

Tomor Skreli e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998. Prej më shumë se 15 vitesh, Skreli ka punuar si gjyqtar dhe kryetar i Gjykatës së Apelit Gjirokastër. Gjyqtari Skreli është gjithashtu anëtar i Kolegjit Zgjedhor.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Tomor Skreli nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar nga gjyqtari i Apelit të Gjirokastrës, Tomor Skreli për vitet 2003-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Në deklaratën e parë të vitit 2003, gjyqtari Tomor Skreli zotëronte pasuri familjare me vlerë 5.4 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria e deklaruar e tij është rritur me 4 herë, duke kapur vlerën e 23.3 milionë lekëve.

Në fund të vitit 2017, pasuria ndahet në 8.8 milionë lekë likuiditete bankare, 7 milionë lekë pasuri të patundshme, rreth 6.1 milionë lekë kursime të akumuluara ndër vite në cash si dhe automjet me vlerë 1.2 milionë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 35.5 milionë lekë. Rreth 63% e të ardhurave familjare kanë si burim pagën si gjyqtar të Z. Skreli, ndërsa paga e bashkëshortes zë rreth 17%. Subjekti deklaron gjithashtu të ardhura nga interesat bankare në masën 12% dhe të ardhura nga qiratë rreth 7% të totalit.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 14 deklarata që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, njëra prej tyre rezultoi me probleme.

Në vitin 2010, gjyqtari Skreli deklaron shtesë kati me preventiv në vlerën e 1.5 milionë lekëve. Duke konsideruar se punimet janë kryer në këtë periudhë dhe shpenzimet i përkasin këtij viti, ai rezulton me mungesë burimesh financiare në masën e 291 mijë lekëve.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” detyrimin financiar që gjyqtari Skreli i ka një kompanie ndërtimi si dhe mospërputhjen e kursimeve të deklaruara në cash.

Më konkretisht në vitin 2016, subjekti deklaron lidhjen e një kontrate kapari për blerjen e një apartamenti 36 m2 në Sarandë me vlerë 1.6 milionë lekë. Deri në fund të vitit 2017, gjyqtari kishte shlyer vlerën e 200 mijë lekëve, ndërsa pjesa tjetër rezulton si detyrim ndaj kompanisë.

Sa i përket gjendjes së kursimeve në cash, subjekti dhe familjarët e tij deklarojnë teprica që në mënyrë të akumuluar kapin vlerën e 6 milionë lekëve deri në vitin 2015. Por pa sqaruar nëse kursimet janë pakësuar apo jo, Skreli deklaron në vitin 2015 se zotëron në gjendjen cash vetëm 50 mijë lekë.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurise se vitit 2011 

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al