Skeda e pasurisë së deklaruar –Tritan Hamitaj –Gjykata e Apelit Durrës
Korrupsioni KPK Skeda Vendi

Skeda e pasurisë së deklaruar –Tritan Hamitaj –Gjykata e Apelit Durrës

Gjyqtari i Apelit të Durrësit, Tritan Hamitaj do të përballet të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij familjare nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.Gjyqtari i Apelit të Durrësit, Tritan Hamitaj do të përballet të enjten me 10 shtator me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i vetingut për të po kryhet nga trupa gjyqësore e përbërë nga Suela Zhegu, Lulzim Hamitaj dhe Genta Tafa Bungo.

Tritan Hamitaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe përgjatë dy dekadave ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Lushnjes, atë të Durrësit dhe Gjykatën e Apelit në Durrës. Hamitaj ka mbajtur edhe pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitet 2010-2015.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Tritan Hamitaj nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar nga gjyqtari i Apelit të Durrësit, Tritan Hamitaj për vitet 2003-2017.

Në deklaratën e parë të dorëzuar në vitin 2003, gjyqtari Hamitaj zotëronte pasuri familjare prej 6 milionë lekësh, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria familjare është rritur me tetë herë dhe kap vlerën e 48.6 milionë lekëve.

Pasuritë e patundshme përbëjnë zërin kryesor të aseteve me një vlerë të përllogaritur në 44.1 milionë lekë në fund të vitit 2017. Gjyqtari Hamitaj deklaron gjithashtu familjarisht likujditete bankare prej 3.1 milionë lekësh, kursime në cash prej 730 mijë lekësh dhe automjet me vlerë 600 mijë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 49.9 milionë lekë, nga të cilat paga për shkak të funksionit zë vetëm 35% të totalit dhe paga e bashkëshortes rreth 14%. Rreth 16% e të ardhurave deklarohen si dhurata në cash nga të afërmit, 11% nga shitja e pasurive të patundshme dhe gati 9%  si të ardhura të përfituara nga qiratë.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit, tre deklarata rezultuan me probleme.

Gjyqtari Hamitaj rezulton me burime të pamjaftueshme në vitet 2006, 2009 dhe 2015 në vlerën e 360 mijë lekëve. Në këtë analizë nuk janë llogaritur shpenzimet e konsumit jetik për familje.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi një sërë “flamujsh të kuq”, të cilët lidhen kryesisht me huadhëniet. Gjatë viteve të deklarimit, Hamitaj dhe bashkëshortja e tij deklarojnë t’u kenë dhënë hua 2.5 milionë lekë të afërmve të tyre.

Një kontratë tjetër huaje e nisur në vitin 2006 është bërë burimi i blerjes së një apartamenti dhe një garazhi në Rrushbull të Durrësit në vitin 2011. Më konkretish, subjekti i ka dhënë kompanisë Ekon Group 2.8 milionë lekë hua në vitin 2006 me afat 6-mujor dhe interes 10%. Të ardhurat e kësaj kontrate janë rikapitalizuar ndër vite dhe në vitin 2018 kanë kapur vlerën e 8.4 milionë lekëve. Kjo shumë u përdor në 2011 për blerjen e pasurive të patundshme nga e njëjta kompani në Rrushbull.

Në kategorinë e të ardhurave janë përfituar si dhurata në cash 994 mijë lekë nga nëna e bashkëshortes së gjyqtarit dhe një vlerë prej 50 mijë eurosh, e paguar nga një afërmve për blerjen e një apartamenti. Kjo shumë nuk trajtohet si hua apo detyrim nga subjekti.

Gjithashtu në vitet 2014-2015, subjekti merr hua nga vëllai vlerat 5000 euro dhe 4400 euro, të cilat rezultojnë të shlyera pjesërisht në fund të vitit 2017.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *