Skeda e pasurisë së deklaruar –Violeta Shkurta– Prokuroria e Fierit
Korrupsioni KPK Skeda Vendi

Skeda e pasurisë së deklaruar –Violeta Shkurta– Prokuroria e Fierit

Drejtuesja e përkohshme e Prokurorisë së Fierit, Violeta Shkurta do të përballet të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj familjare nga viti 2003 deri në fund të vitit 2018.Violeta Shkurta, drejtuese e Prokurorisë së Fierit, do të përballet të enjten më 18 nëntor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i saj i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Firdes Shuli, Xhensila Pine dhe Olsi Komici.

Violeta Shkurta e ka nisur karrierën si oficere e policisë gjyqësore në vitin 1989 dhe punon prej gati dy dekadash si prokurore në Prokurorinë e Fierit. Prej vitit 2019, Shkurta është promovuar si drejtuese e përkohshme e Prokurorisë së Fierit.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar nga prokurorja Violeta Shkurta nga viti 2003 deri në fund të vitit 2018. [Kliko për skedën në PDF].

Skeda e pasurisë së deklaruar nga drejtuesja e Prokurorisë së Fierit, Violeta Shkurta.

Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003, prokurorja Violeta Shkurta deklaronte pasuri familjare me vlerë 8 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria familjare është dyfishuar në 16 milionë lekë.

Subjekti zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 15.3 milionë lekë, automjet me vlerë rreth 455 mijë lekë, kursime në cash prej 250 mijë lekësh si dhe likujditete bankare prej 24 mijë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën e deklaruar janë 25.8 milionë lekë, nga të cilat 60 për qind kanë si burim pagën e Znj. Shkurta dhe 28 për qind pagën e familjarëve. Subjekti deklaron gjithashtu të ardhura nga biznesi i bashkëshortit në masën 5% dhe të ardhura nga qiratë në masën 3%.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 15 vite të deklarimit, njëra prej deklaratave rezultoi me probleme.

Në vitin 2005, subjekti rezulton me burime financiare të pamjaftueshme në vlerë 1,010,605 lekë për të mbuluar pagesën e këstit të parë për blerjen e një apartamenti banimi me vlerë totale 8,460,000 lekë (sipërfaqe 180m2 në Fier). Detyrimi ndaj kompanisë është në vlerën 5,560,000 lekë dhe do të shlyhet në vitin 2006 falë kredisë bankare të marrë këtë vit në vlerën 4,500,000 lekë.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” përfitimin e një apartamenti dhe një trualli nga privatizimi në vitin 2011 si dhe përfitimin e një kredie të butë nga Bashkia e Fierit.

Në vitin 2011, subjekti deklaron të ketë përfituar nga privatizimi apartament banimi sipërfaqe 36.3m2 (për të cilin nuk jep vlerë aseti) dhe truall me vlerë 174,802 lekë në Fier. Gjithashtu në  prill 2011 deklarohet të ketë përfituar nga Bashkia Fier një kredi me kushte lehtësuese për blerje apartamenti në shumën 4,404,960 lekë, e cila në fakt është përdorur për shlyerjen totale të kredisë ekzituese.

Në vitin 2018, bashkëshorti i subjektit deklaron marrje me huapërdorje pa kundërshpërblim tokë are në Fier për ekonomi bujqësore familjare.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Deklarata e pasurisë së vitit 2018

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *