Skeda e pasurisë së deklaruar –Vojsava Osmanaj –Gjykata e Apelit Shkodër

Skeda
Gjyqtarja e Apelit të Shkodrës, Vojsava Osmanaj do të përballet të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj familjare nga viti 2007 deri në fund të vitit 2017.

Procesi i vetingut do të rinisë të mërkurën me 2 shtator me gjyqtaren e Apelit të Shkodrës, Vojsava Osmanaj. Trupa gjykuese që po kryen hetimin administrative për Osmanajn përbëhet nga Genta Tafa Bungo, Suela Zhegu dhe Lulzim Hamitaj.

Vojsava Osmanaj ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Korçës. Në vitet 2013-2016, Osmanaj ka punuar si inspektore pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe më pas është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Shkodrës.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Vojsava Osmanaj nga viti 2007 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar nga gjyqtarja e Apelit të Shkodrës, Vojsava Osmanaj.

Në deklaratën e parë të dorëzuar në vitin 2003, gjyqtarja Osmanaj nuk ka deklaruar asnjë pasuri, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria e saj familjare kap vlerën e 6.4 milionë lekëve. Ajo zotëron familjarisht pasuri të patundshme prej 3 milionë lekësh, likujditete bankare prej 1.7 milionë lekësh, automjete me vlerë 1.2 milionë lekë dhe kursime në cash prej 400 mijë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 14 milionë lekë, nga të cilat 75% burojnë nga paga për shkak të funksionit dhe 10% nga shitja e pasurisë së patundshme. Gjyqtarja Osmanaj deklaron gati 9% të të ardhurave nga angazhimi i saj në mësimdhënie.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për 11 vite të deklarimit rezultoi pa probleme.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi disa “flamuj të kuq”, të cilat lidhen me një huamarrje, shitjen e një shtëpie si dhe burimin e munguar të një prone të deklaruar nga bashkëshorti.

Në vitin 2012, subjekti ka përdorur si burim financiar për blerjen e një apartamenti në Pogradec një hua prej 1 milionë lekësh. Ndërsa në vitin 2013, ajo deklaron shitjen e një apartamenti të përfituar nga prindërit përmes privatizimit, e cila nuk rezulton e deklaruar në vitet e mëparshme.

Në deklarimin periodik të vitit 2017, bashkëshorti i subjektit deklaron një autoveture me vlerë 8700 dollarë dhe një shtëpi dhe një truall prej 500 m2 në Tiranë, e legalizuar në vitin 2017 –pronë së cilës i mungon vlera dhe burimi i krijimit.

Deklarata e pasurisë Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al