Standard i dyfishtë? Dritëhijet e vendimmarrjes së SPAK ndaj zyrtarëve të vetingut

Analiza dhe Opinione
Gjykata a Posaçme dhe SPAK mbajtën qëndrime të ndryshme në hetimin e gjyqtarit të KPA-së Luan Daci dhe komisioneres së KPK-së, Alma Faskaj; megjithatë, Prokuroria Speciale insiston se edhe pse të ngjashme këto dy çështje nuk janë njëtja.

Anëtari i Kolegjit te Posaçëm te Apelimit, Luan Daci, duke folur për reporterët pasi ka dalë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (SPAK). .

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK dhe të dy shkallët e Gjykatës së Posaçme, rezulton të kenë marrë vendime të ndryshme penale për dy prej anëtarëve të institucioneve që po kryejnë procesin e vetingut për magjistratët, megjithëse fakti për të cilin janë kallëzuar penalisht është shumë i ngjashëm.

Daci dhe Faskaj u kallëzuan se nuk kanë pasqyruar në aplikimin e tyre për t’u përzgjedhur si anëtarë të institucioneve të vetingut, faktin se ishin shkarkuar më parë nga detyra e gjyqtarit. Luan Daci u dënua për falsifikim dokumentesh, ndërsa për Faskajn u vendos pushimi hetimeve.

Kallëzimi i kryer në SPAK për anëtarin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, Luan Daci, prej ish-anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani u gjet i drejtë nga SPAK, nga Gjykata e Posaçme e të dy shkallëve, si dhe nga Gjykata e Lartë.

Ndryshe kanë vlerësuar SPAK dhe dy shkallët e Gjykatës së Posaçme në rastin e kallëzimit të kryer ndaj anëtares së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Alma Faskaj, e cila u kallëzua penalisht nga ish-gjyqtarja e Apelit Shkodër, Hajrie Muçmata për të njejtë vepër penale.

Megjithëse dokumentet hetimore dhe gjyqësore që BIRN disponon tregojnë situatë të ngjashme në aplikimin e kryer prej tyre për të qenë pjesë e institucioneve të vetingut – ashtu si Daci edhe Faskaj nuk e ka deklaruar shkarkimin e saj nga detyra në vitin 1996, në rastin e komisioneres është vendosur pushimi i çështjet pasi është konkluduar se e kallëzuara nuk ka kryer vepër penale.

Në një përgjigje me shkrim, SPAK i tha BIRN se kërkesat e Prokurorisë Speciale për të dy anëtarët e institucioneve të vetingut janë miratuar nga të dy shkallët e Gjykatës së Posaçme.

“Çështjet janë individuale dhe zgjidhen bazuar në provat e administruara dhe jo me ngjashmëri,” tha Xhulieta Krasta, zëdhënësja e SPAK.

Ndërsa komisionerja Alma Faskaj nuk iu përgjigj pyetjes për koment që iu drejtua nëpërmjet koordinatores për marrdhënien me mediet lidhur me mosdeklarimin e shkarkimit nga detyra në aplikimin e kryer prej saj për të qenë pjesë e institucioneve të vetingut.

Ndërkohë, gjyqtari i KPA-së, Luan Daci – i cili po përballet me një procedurë disiplinore të inicuar nga ONM, e ka cilësuar vendimin e Gjykatës së Posaçme për dënimin e tij si të paligjshëm.

“Më dënuan pa fakt penal dhe pa vepër penale duke shpikur falsifikimin intelektual që nuk e ka ligji,” i tha ai të martën trupës disiplinorë të KPA-së.

Rasti “Daci”

Luan Daci u hetua nga SPAK pas denoncimit të kryer nga ish-prokurori dhe ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani për falsifikim të dokumenteve. Një kallëzim i dytë për të njëjtën vepër penale u dorëzua ndaj tij nga ish-prokurorja e Prokurorisë së Tiranës, Antoneta Sevdari; ish-prokurori i Korçës, Elsion Sadiku; si dhe ish-gjyqtari i Apelit Tiranë, Ervin Metalla.

Prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Klodian Braho e gjetën të drejtë dhe të bazuar kallëzimin e Canit të kryer kundër Dacit dhe konkluduan se ai kishte kryer falsifikim të dokumenteve gjatë aplikimit për pozicionin e tij përmes paraqitjes së rrethanave të rreme nëpërmjet mosdeklarimit të shkarkimit nga detyra si gjyqtar në vitin 1997. Ata kërkuan deklarimin e tij fajtor dhe dënimin me 1 vit heqje lirie, masë që u vendos edhe prej Gjykatës Speciale.

Nga hetimi rezultoi se Daci nuk e kishte pasqyruar në aplikimin e tij për qenë pjesë e organeve të vetingut të dorëzuar pranë Avokatit të Popullit, faktin se kishte qenë i shkarkuar nga detyra në vitin 1997 për “shkelje të ligjës dhe paaftësi në detyrë”.

Po ashtu, ai u dënua për faktin se e ka fshehur këtë fakt edhe gjatë intervistave në Komisionet Ad Hoc në Kuvend. Daci është pyetur prej deputetit Ervin Bushati se çfarë pune kishte kryer para vitit 2000, kur kishte nisur karrierën e avokatit. Ai është përgjigjur se ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës.

Bushati dhe kryetarja e Komisionit, Vasilika Hysi kanë evidentuar faktin se kjo përvojë nuk gjendej e pasqyruar në kërkesat e dorëzuara dhe pas këmbënguljes së tyre, Daci ka deklaruar se ishte larguar me dorëheqje, megjithëse në fakt ishte shkarkuar nga detyra në vitin 1997. Anëtarët e Komisionit e kanë marrë të mirëqënë këtë deklarim, prej nga rezulton se dështuan në verifikimin e Dacit.

Në gjykimin e çështjes në themel, Gjykata e Posaçme e gjeti të drejtë kërkesën e SPAK për dënimin e Dacit.

“Gjykata krijon bindjen se kërkesa për aplikim e z.Luan Daci përbënë dokument dhe paraqitje jo të vërtetë të një rrethane. Veprimet e mospërmendjes, si dhe rrethana e rremë e deklaruar në seancën dëgjimore në komisionin ad hoc, tregon se i pandehuri e ka pohuar me dashje këtë të pavërtetë”, u shpreh gjyqtari Simoni gjatë shpalljes së vendimit më 24 qershor 2020 dhe shtoi se nga ky akt Daci ka përfituar, pasi është emëruar në detyrë.

Para se të kërkohej gjykimi për falsifikim, një kërkesë e SPAK për caktimin e masës pezullim nga detyra të Dacit u pranua nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, por u rrëzua më pas nga trupa gjyqësore e Apelit e përbërë nga gjyqtarët Dhimitër Lara dhe Nertina Kosova – ndërkohë që gjyqtari Sokol Binaj ishte në minorancë.

Dy anëtarët e shumicës argumentuan se paraqitja e të dhënave të rreme gjatë procesit të aplikimit për një post në institucionet e vetingut nga Daci nuk ka elementë të veprës penale të falsifikimit.  Sipas shumicës, mos-paraqitja, mos-shënimi apo mohimi i Dacit për masën disiplinore të largimit nga puna është një fakt që i mungon kundërligjshmëria.

SPAK ushtroi rekurs në Gjykatën e Lartë kundër këtij vendimi të apelit. “[…]Mënyra se si gjykata e trajton kërkesën e datës 03.02.2017 është aspak e pranueshme, pasi sipas logjikës së Gjykatës së Apelit aplikanti mund të deklarojë çfarë t’i vijë për mbarë dhe nuk mban përgjegjësi për ato që deklaron, a thua jemi para një ‘letre pa vlerë,” argumentoi atëherë SPAK në rekurs.

Pas dënimit të Dacit me formë të prerë për falsfikim, me kërkesë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit u inicua procesi i shkarkimit të tij nga KPA.

Gjyqtar Hetues i çështjes u caktua Ardian Hajdari, edhe ky i kallëzuar në SPAK për të njëjtën vepër penale si Daci, se ka gënjyer në aplikimin e tij për t’u emëruar në KPA, pasi nuk e ka ushtruar profesionin e avokatit për 17 vite ashtu si ka deklaruar. Gjithashtu, ai kallëzua edhe për “fshehjen e të ardhurave”.

Në korrik, Hajdari vendosi të pezullojë hetimin disiplinor të nisur ndaj Dacit, pasi ky i fundit ushtroi rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit tëdënimit. Gjykata e Lartë nuk e pranoi rekursin e Dacit dhe Hajdari rifilloi hetimin disiplinor më 29 tetor.

Një muaj më vonë, Hajdari vendosi të vijojë me raportin për rezultatet e hetimit disiplinor dhe të martën Kolegji i Posaçëm i Apelimit mbajti seancën gjyqësore publike ndaj Dacit. Trupa për procedimin disiplinore kryesohet nga gjyqtarja Natasha Mulaj dhe anëtare janë gjyqtaret Ina Rama dhe Albana Shtylla.

Rreth nëntë muaj pas dënimit të formës së prerë për ‘falsifikim dokumentesh’ dhe rrëzimit të rekursit nga Gjykata e Lartë, gjyqtari Luan Daci vazhdon të jetë ende pjesë e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, megjithëse i pezulluar nga detyra. Vendimi i KPA-së ndaj tij pritet të enjten.

Pushimi hetimit për Faskajn

Për anëtaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, Alma Faskaj, e kallëzuar në SPAK nga ish-gjyqtarja e Apelit Shkodër, Hajrie Muçmata për të njëjtën vepër penale dhe për të njëjtën situatë si për Dacin, si prokuroria ashtu edhe Gjykata e Posaçme kanë vlerësuar ndryshe, duke e përjashtuar nga përgjegjësia penale.

Në vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, që BIRN e disponon, thuhet se Muçmata ka pretenduar në kallëzim se komisionerja Alma Faskaj, kur ka kryer aplikimin për të qenë pjesë e KPK-së, ka deklaruar në jetëshkrimin e saj se ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, por ka fshehur faktin se ka qenë e shkarkuar nga detyra me vendimin nr.8, të datës 23 gusht 1996 të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD me arsyetimin se “është konstatuar shkelje e ligjit dhe paaftësi në ushtrimin e detyrës”.

Bazuar në këtë kallëzim, SPAK ka regjistruar procedim penal më 4 qershor 2020. Pasi prokurori Sotir Kllapi ka kryer hetime për disa muaj, ka konkluduar ndryshe nga sa vlerësuan kolegët e tij për Dacin, duke çmuar se Faskaj nuk ka konsumuar elementët e veprës penale “falsifikimi i dokumenteve” dhe ka bërë kërkesë në gjykatë për pushimin e procedimit penal.

Kllapi e bazon arsyetimin e tij në provat dhe shpjegimet e të kallëzuarës, e cila ka depozituar një kopje të vendimit nr.15 të datës 3 qershor të vitit 1997 të Gjykatës Kushtetuese, si dhe një shkresë të ish-kryetarit të kësaj gjykate në atë kohë, Rustem Gjata.

Sipas këtyre dokumenteve të dorëzuara nga Faskaj, Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar “nul” vendimin e ish-KLD për shkarkimin e magjistratëve që kanë kryer ankim dhe e ka detyruar këtë të fundit që të rishikojë këto vendimarje, pasi ka cënuar të drejtën e tyre kushtetuese për t’u dëgjuar dhe mbrojtur. Në kërkesën e prokurorisë thuhet se Gjykata Kushtetuese e ka orientuar Faskajn që t’i drejtohej KLD-së për rishqyrtim, pasi kërkesa e saj kishte të njëjtin karakter.

Gjithashtu, prokurori Kllapi konstaton se Faskaj ka pasqyruar në aplikim faktin se ka punuar si gjyqtare dhe se është thirrur tre herë nga Komisioni Ad Hoc për Përzgjedhjen e Kandidatëve që do të emëroheshin në institucionet e vetingut, por asnjëherë nuk është pyetur se përse është larguar nga detyra.

“[…]Rezulton se ka parashtruar dhe faktin se ka punuar si gjyqtare, por nuk ka prezantuar arsyet se si është larguar nga detyra e gjyqtares dhe asnjë prej anëtarëve të Komisionit nuk e ka pyetur”, vëren Kllapi lidhur me procesverbalin e datës 2 qershor 2017 të mbajtur nga Komisioni Ad Hoc.

Sipas Kllapit, në këtë rast mungojnë elementët e anës objektive të figurës së veprës penale dhe nuk rezulton që Faksaj të ketë përdorur një dokument të falsifikuar. Ai konsideron se një vërtetim i lëshuar nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2011 që është dorëzuar nga Faskaj, ku pasqyrohet vetëm fakti se ajo ka ushtruar detyrën e gjyqtares, nuk mund të mund të konsiderohet dokument i falsifikuar, pasi nuk përmban të dhëna të rreme.

Nisur nga fakti se nuk është pyetur asnjëherë për mënyrën e largimit nga detyra, Kllapi konkludon se subjekti nuk rezulton të ketë fshehur ndonjë fakt.

Konkluzionet dhe kërkimet e prokurorisë janë kundërshtuar nga kallëzuesja Muçmata, e cila është përfaqësuar në gjykim nga avokatja Irena Reso. Ajo ka sjellë në vëmendje të gjykatës se Faskaj ka qenë në kushtet e pazgjedhshmërisë si anëtare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pasi në pikën “dh” të nenit 6 të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, përcaktohet se anëtari i institucioneve të vetingut mund të zgjidhet kur “ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna, ose ndonjë masë tjetër disiplinore e cila është ende ne fuqi, sipas legjislacionit në momentin e aplikimit”.

Sipas Muçmatajt, Faskaj e ka fshehur faktin e shkarkimit nga detyra në aplikim pasi vetëm kështu ajo mund të kualifikohej në listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret formale.

Gjithashtu, Muçmata shton se Faskaj nuk është pjesë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe se masa disiplinore ndaj saj nuk mund të konsiderohet e rehabilituar, pasi nuk është marrë ndonjë vendim gjyqësor i formës së prerë që ta ketë shfuqizuar atë.

Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Iliriana Olldashi e ka vlerësuar të drejtë konkludimin e prokurorisë dhe ka vendosur ta pushojë procedimin penal për kallëzimin e kryer ndaj Faskajt.

Në arsyetimin e saj, Olldashi evidenton se Faskaj në aplikimin e saj ka paraqitur jetëshkrimin ku ka përshkruar edhe faktin se ka ushtruar detyrën e gjyqtares për periudhën shtator 1995-shtator 1996 dhe po ashtu ka vendosur bashkëlidhur kopje të librezës së punës e cila në faqen e dytë të saj ka të pasqyruar largimin nga detyra si gjyqtare.

Ashtu si prokurori Kllapi dhe Olldashi konkludon se Faskaj nuk ka depozituar ndonjë fakt të rremë dhe se nuk ka deklaruar asnjë fakt të rremë apo të pavërtetë kur është pyetur nga Komisioni Ad Hoc. […]në asnjë nga këto seanca dëgjimore nuk është pyetur për mënyrën se si është shkarkuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë”, vëren Olldashi.

“Po ashtu vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr.15 të vitit 1997 e ka konsideruar që ka shfuqizuar vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë me të cilin ajo dhe disa kolegë të saj gjyqtarë ishin shkarkuar nga detyra në shtator të vitit 1996”, argumenton Olldashi dhe shton se Faskaj ka shpjeguar se nuk ka pasur synim të fshehë këtë fakt.

Në vendim shpjegohet se Faskaj e ka konsideruar rehabilituese një shkresë të Gjykatës Kushtetuese ku orientohej që ti drejtohej ish-KLD-së. Ndërkohë, Faskaj ka deklaruar gjatë procesit penal se nuk i është drejtuar në vijim ish-KLD-së pasi është përfshirë në veprimtari të tjera profesionale dhe se nuk është thirrur kurrë prej tyre.

“Të njëjtin perceptim për Vendimin e Gjykatës Kushtetuese Nr. 15 datë 28 Maj 1997 kanë dhe shtetasit Lindita Durmishi dhe Alma Poshi, të cilat janë shkarkuar me të njëjtin vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, sjell në vëmendje Olldashi për këta ish-magjistratë të pyetur si deklaues.

Bazuar në deklarimet dhe dokumentet e paraqitura nga Faskaj për t’u përzgjedhur si komisionere në KPK, Olldashi arrin në konkluzionin se ajo nuk ka fshehur fakte të vërteta si dhe nuk ka deklaruar fakte të pavërteta. “[…]As ka ndërhyrë mekanikisht në të dhënat e tyre duke mos u cënuar përmbajtja dhe pasqyrimi i të dhënave të tyre”, vlerëson Olldashi.

Gjykata vëren gjithashtu se, në procedurën e aplikimit pranë institucionit të Avokatit të Popullit nuk ka patur një kërkesë tip dhe as një akt vetëdeklarimi për mospasjen e masave disiplinore të shkarkimit nga detyra, në fuqi.

“Mungesa e një vetëdeklarimi të dokumentuar me shkrim nga e kallëzuara Faskaj, ose deklaruar para intervistave përkatëse të saj është një gjëndje fakti, mosekzistenca e të cilit nuk e ngarkon me përgjegjësi penale të kallëzuarën, por konfirmon se  kallëzimi është i pabazë”, shprehet Olldashi dhe ka vendosur pushimin e çështjes.