Strasburgu hedh poshtë ankimin e ish-gjyqtares Altina Xhoxhaj

Lajme
Me shumicë votash, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut i ka cilësuar procedurat e vetingut që çuan në shkarkimin e gjyqtares, Altina Xhoxhaj të rregullta dhe shkarkimin e saj proporcional.

Altina Xhoxhaj pas seancës dëgjimore të 23 prillit 2018. Foto: Malton Dibra/LSA

Të martën Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, GJEDNJ shpalli vendimin për çështjen Xhoxhaj k. Shqipërisë, duke vendosur me shumicë votash se procedurat e vetingut që çuan në shkarkimin nga detyra të ish-anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj nuk ishin në shkelje të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

“Gjykata arriti në përfundimin se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1, pasi organet e vetingut kishin qenë të pavarura dhe të paanshme, procedurat kishin qenë të rregullta, shqyrtimi i ankimit të kërkueses në seancë publike nga Kolegji i Apelimit nuk kishte qenë i domosdoshëm dhe nuk ishte shkelur parimi i sigurisë juridike,” u shpreh GJEDNJ nëpërmjet një njoftimi për median.

“Për më tepër, Gjykata konstatoi se nuk kishte shkelje të nenit 8, pasi shkarkimi nga detyra kishte qenë proporcional dhe ndalimi i përhershëm ligjor për të rihyrë në sistemin e drejtësisë për shkak të shkeljeve të rënda disiplinore kishte qenë në përputhje me garantimin e integritetit të detyrës së magjistratit dhe të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë,” shtoi GJEDNJ.

Altina Xhoxhaj ishte një ndër pesë anëtarët Gjykatës Kushtetuese që u shkarkua nga procesi i vetingut. Fatos Lulo, Fatmir Hoxha dhe Gani Dizdari po ashtu u shkarkuan nga KPK dhe për dy të parët vendimi u konfirmua edhe në KPA, ndërsa ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.  Më herët nga gjykata ishin larguar përmes dorëheqjes Vladimir Kristo, Sokol Berberi dhe para procesit të rivlerësimit Bensik Imeraj.

Xhoxhaj u zgjodh anëtare e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2010, ndërsa më herët ka punuar si juriste në Ministrinë e Drejtësisë, si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës, anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitet 2006-2010 dhe lektore në Shkollën e Magjistraturës.