Prokurorja Enkeleda Osmani (Xhengo) pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Vladimir Karaj.
Korrupsioni KPK Lajme Në Fokus

Taksat mbi të ardhurat e bashkëshortit vënë në vështirësi prokuroren Enkeleda Osmani

Prokurorja e Durrësit, Enkeleda Osmani (Xhengo) u përball në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me detyrimin për të provuar ligjshmërinë e të ardhurave të bashkëshortit, për të cilat punëdhënësit kishin paguar detyrime mbi rrogën minimale.

Prokurorja Enkeleda Osmani (Xhengo) pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Vladimir Karaj.

Prokurorja e Durrësit, Enkeleda Osmani (Xhengo) u përball të martën ne Komisionin e  Pavarur të Kualifikimit me detyrimin për të provuar se të ardhurat e bashkëshortit nga disa kompani private të deklaruara ndër vite ishin të ligjshme.

Trupa me kryesues Roland Ilia, anëtare Suela Zhegu dhe relatore Brunilda Bekteshi vuri në dukje se prokurorja Osmani ishte hetuar fillimisht vetëm në kriterin e pasurisë, por se më pas ishte vendosur rihapje e hetimit edhe në dy kriteret e tjera.

Prokurorja u pyet edhe për mosdeklarimin në deklaratën veting të një transaksioni me një makinë dhe disa pagesa të bashkëshortit. Ndaj saj ishin depozituar 11 denoncime, por vetëm për disa prej tyre ishin kërkuar shpjegime.

Prokurorja Osmani në fjalën e saj pretendoi se të gjitha të ardhurat e saj ishin të ligjshme, ndërsa fajësoi kompanitë për të cilat bashkëshorti kishte punuar për mospagimin e detyrimeve. “Nuk arrijmë të besojmë që kompani që kanë kontrata publike me Ministrinë e Transporteve mund të deklaronin dhe paguanin vetëm pagën minimale,” tha ajo, duke shtuar se nuk kishin pasur dijeni për problemin para fillimit të procesit.

Ajo vuri në dukje se kishte tre padi ndaj këtyre kompanive, ndërsa po ashtu theksoi se në një rast, ish-punëdhënësi e kishte pranuar përgjegjësinë dhe kishte paguar detyrimet.

Enkeleda Osmani (Xhengo) ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe punon si prokurore në Prokurorinë e Durrësit prej gati 15 vitesh. Në vitin 2019, Osmani kandidoi për një vend në Prokurorinë e Posaçme, SPAK pa mundur që të përzgjidhet.

Pagat e bashkëshortit

Relatorja Bekteshi vuri në dukje fillimisht një sërë pasurish të çiftit Osmani, përfshi dy apartamente në Tiranë dhe një në Kavajë, ndërsa tha se pjesë më e madhe e tyre ishin paguar nga kursimet dhe kryesisht prej pagës dhe të ardhurave të bashkëshortit. Një hua 10 mijë euro dhe një dhurim 6 mijë euro nga familjarët u gjetën të ligjshme.

Bekteshi tha se nga hetimi kishte rezultuar diferencë e madhe mes të ardhurave të deklaruara të bashkëshortit dhe të ardhurave për të cilat Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Tatimet konfirmonin pagesën e detyrimeve.

Duke renditur punët e kryera nga bashkëshorti i Osmanit si inxhinier për një sërë kompanish, Bekteshi vuri në dukje se përtej deklarimit, ai nuk figuronte në mjaft listëpagesa, ndërsa në disa të tjera, tatimet ishin paguar për rrogën minimale, ndërsa rroga e deklaruar ishte disa herë më e lartë.

Bekteshi tha se ishte deklaruar punësim me pagë mbi 80 mijë lekë neto në 8 kompani, por në një pjesë të tyre, bashkëshorti i prokurores nuk figuronte në listë pagesa, ndërsa në të tjera ishin paguar detyrime për paga mjaft më të vogla. Relatorja përmendi mbi 10 milionë lekë të përfituara nga bashkëshorti si paga të deklaruara prej tij, por nuk tha se sa ishte shuma për të cilën ishin paguar tatimet.

Në relatim u vu në dukje se prokurorja kishte sjellë dokumente që provonin punën e bashkëshortit, përfshi projekte të firmosura prej tij, kontrata noteriale dhe vërtetime punësimi. Gjithashtu vuri në dukje se çifti kishte hapur padi ndaj disa prej kompanive.

Në fjalën e saj, Osmani tha se ajo dhe i shoqi ishin viktima të informalitetit dhe se kishin deklaruar korrektësisht të ardhurat neto të përfituara. Duke iu referuar një sërë rastesh të ngjashme të magjistratëve të tjerë të përballur me KPK, Osmani tha se kishte ndër to vendime me formë të prerë, ku merrej në konsideratë një situatë e ngjashme.

Ajo tha se detyrimin për pagesën e tatimeve ishte i kompanive dhe jo i punëmarrësit, ndërsa vuri në dukje se të paktën në një rast, një prej kompanive që nuk i kishte paguar detyrimet e plota për bashkëshortin, kishte depozituar në llogari të këtij të fundit 444 mijë lekë, me të cilat ishte bërë pagesa e detyrimeve të prapambetuara me vetëdeklarim.

Osmani tha se kompania ishte vënë në dijeni se do të paditej dhe se administratori i saj kishte pranuar edhe para KPK-së se nuk i kishte paguar detyrimet e plota për punonjësit e tij. Osmani tha se KPK duhej të merrte parasysh se këto të ardhura ishin deklaruar dhe po ashtu edhe faktin se nëse nuk do ishin deklaruar të plota, ajo do të kishte qenë përgjegjëse për fshehje të pasurisë.

Ajo u ndal gjithashtu në një sërë rastesh kur i shoqi nuk figuronte në listë- pagesa, por ai kishte qenë drejtuesi teknik i punimve dhe se ishte e pamundur që të kishte marrë përsipër këtë punë me përgjegjësi deri penale pa pagesë.

E pyetur nga Bekteshi në fund të seancës nëse ajo dhe bashkëshorti kishin pasur apo jo dijeni për mospagimin e tatimeve, Osmani bëri me faj institucionet shtetërore që kishin detyrimin për kontroll.

Ajo shtoi se disa prej kompanive ku i shoqi punonte kishin pasur kontrata publike dhe se atyre nuk u kishte shkuar asnjëherë në mend që nuk kishin qenë korrekte me pagesat e detyrimeve. Ajo tha se nuk u ishte dashur asnjëherë të vërtetonin pagesën e sigurimeve shoqërore dhe nuk kishin pasur asnjë dyshim.

Harresat dhe denoncimet

KPK  vuri në dukje se Osmani nuk kishte deklaruar prej vitit 2011 pakësim të një gjendjeje cash prej 1 milion lekësh, të cilën nuk e kishte deklaruar në deklaratën veting.

Prokurorja pranoi se nuk e kishte deklaruar vit pas viti pakësimin, por tha se kishte deklaruar atë në  pyetësorët për KPK dhe se ajo nuk kishte pasur arsye t’a fshihte këtë pasuri. Sipas saj, në disa raste KPK dhe KPA kishin arsyetuar se të ardhurat ishin të mjaftueshme për të justifikuar pasaktësinë në mosdeklarimin e cash.

Por Bekteshi replikoi, duke iu referuar një vendimi të saj për prokuroren Manjola Kajana duke thënë se pasaktësia në rastin e saj nuk ndikonte në bilancin pozitiv. Bekteshi tha se rasti i Osmanit, duke iu referuar pagës së bashkëshortit për të cilën nuk kishte pagesa detyrimesh, ishte shumë specifik.

Osmani megjithatë këmbënguli se bëhej fjalë vetëm për pasaktësi dhe mungesë informacioni në plotësimin e deklarimeve vjetore.

Dy mosdeklarime të tjera në vlerën 500 mijë lekë për të ardhurat e bashkëshortit dhe një makine, u konsideruan nga prokurorja po ashtu si harresa. Ajo tha se shuma e parave ishte deklaruar në deklaratën periodike dhe nga nxitimi ishte harruar në atë veting. Ndërsa shpjegoi se makina ishte regjistruar në emrin e saj dhe nuk kishte pasur arsye ta fshihte.

Osmanit nuk iu vunë në dukje probleme në kriterin e figurës, ndërsa në atë të profesionalizmit Bekteshi tha se i ishte kaluar barra e provës për disa pyetje, përfshi pushimin e një çështje aksidenti me dyshimin se kishte favorizuar shoferin dhe vendimin e mosfillimit të një hetimi për kanosje.

Prokurorja shpjegoi me detaje rastin e vendimit të pushimit, duke pretenduar se nuk kishte pasur asnjë favorizim dhe se nuk kishte prova që lidhnin të dyshuarin me aksidentin. Po ashtu, ajo vuri në dukje se kishte bërë një sërë veprimesh hetimore në këtë rast.

Ndërkohë, duke iu referuar denoncimit nga një person me inicialet A.N, prokurorja tha se vendimi i mosfillimit nuk ishte ankimuar nga asnjë prej palëve. Ajo pretendoi se denoncuesi, një ish drejtues i Autoritetit Portual Durrës,  nuk ishte asnjë prej palëve, por një person ndaj të cilit ajo kishte ngritur akuza për shpërdorim detyre. Prokurorja tha se denoncimi kishte referuar gabimisht në kohë ngjarjen dhe se vendimi i saj për mosfillim hetimesh ishte i një viti më parë nga sa referohej në denoncim.

Në fund Osmani tha kishte kryer me ndershmëri detyrën dhe kërkoi të konfirmohej. Seanca për njoftim vendimi u caktua më 20 korrik, në orën 9.30.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *