Analiza Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Telekomunikimet bindën KPK dhe ONM: Dhimitri s’ishte në dijeni të arrestimit të kunatit

Gjyqtari i Apelit të Gjirokastrës, Enton Dhimitri e kaloi testin e besueshmërisë lidhur me arrestimin e kunatit të tij me drogë në Greqi, vetëm pasi deklarimet e tij për raporte të acaruara u mbështetën nga institucionet dhe komunikimet telefonike.

Gjyqtari i Apelit të Gjirokastrës, Enton Dhimitri në seancën dëgjimore përballë KPK-së.

Karriera e gjyqtarit të Apelit të Gjirokastrës, Enton Dhimitri u lëkund kur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbuloi se kunati i tij ishte arrestuar me drogë në Greqi dhe gjyqtari nuk e kishte deklaruar këtë fakt në formularin e pastërtisë së figurës. Por Dhimitri u konfirmua në detyrë më 22 nëntor 2018, pasi trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe vëzhguesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit arritën në konkluzionin se “subjekti nuk ishte në dijeni të faktit se kunati i tij ishte i përfshirë në krim të organizuar”.

Në seancën dëgjimore përballë KPK-së, Dhimitri shpjegoi një mori rrethanash për të mbështetur padijeninë e tij, mes të cilave marrëdhëniet e acaruara me kunatin dhe problemet shëndetësore të bashkëshortes dhe babait, që sipas tij ndikuan që të afërmit t’ia mbanin të fshehur arrestimin.

Në vendimin e zbardhur, trupa gjykuese e KPK-së argumenton se deklarimet e gjyqtarit të Apelit të Gjirokastrës u mbështetën edhe nga të dhënat e siguruara nga kompanitë e telekomunikacionit në Shqipëri.

“…Pavarësisht përfshirjes së shtetasit L.G në veprimtari kriminale, përjashtohet çdo lidhje mes tij dhe subjektit të rivlerësimit, duke marrë në konsideratë mungesën e komunikimeve të drejtpërdrejta mes subjektit të rivlerësimit apo bashkëshortes me shtetasin L.G,” thuhet në vendimin e KPK-së.

Gjyqtari Dhimitri u konsiderua i besueshëm jo vetëm nga trupa gjykuese e përbërë nga Xhensila Pine, Genta Tafa Bungo dhe Pamela Qirko. Sipas vendimit të zbardhur, në të njëjtën linjë arsyetimi dhe konkluzioni ka arritur edhe vëzhguesi ndërkombëtar John Leonardo, i cili ka dorëzuar opinionin e tij pranë KPK-së.

“Në mënyrë të besueshme, subjekti i rivlerësimit nuk është në dijeni të faktit se kunati i tij është i përfshirë në krimin e organizuar,” citohet “gjetja” e përfaqësuesit të ONM-së në vendim.

Në përfundim të procesit, KPK çmoi se Dhimitri nuk ka qenë në dijeni të rekoredeve kriminale të kunatit në Greqi, duke e konsideruar atë të përshtatshëm për vazhdimin e detyrës.

Raporti i DSIK, dy herë përmbysje

Enton Dhimitri e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2004, pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës. Përgjatë 14 viteve, ai ka punuar si gjyqtar i shkallës së parë në   Kurbin dhe Gjirokastër dhe më pas në Gjykatën e Apelit të Gjirokastrës.

Dhimitri iu nënshtrua procesit të vetingut me prioritet, për shkak të shortimit të tij si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në vitin 2018. Ai e kaloi me lehtësi testin e pasurisë dhe atë të aftësive profesionale, por energjitë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u fokusuan te kriteri i pastërtisë së figurës.

Vendimi i zbardhur shpjegon se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK i dorëzoi Komisionit më 27 tetor 2017 një raport për Dhimitrin, ku e konsideronte atë të përshtatshëm për vazhdimin e detyrës. Por më 27 gusht 2018, Komisioni ka marrë një denoncim nga një shtetas, i cili raportonte se kunati i gjyqtarit ishte dënuar me 20 vjet burg në Greqi pasi ishte kapur me 20 kilogramë kokainë.

Për të verifikuar këtë informacion u përfshinë disa institucione si dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i cili arriti të konfirmonte përmes dy burimeve të pavarura se L.G ishte arrestuar në vitin 2016 për “trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike”.

Pas këmbënguljes së Komisionit, DSIK raportoi se ndonëse L.G konsiderohej person i përfshirë në krim të organizuar, mes tij dhe subjektit të rivlerësimit nuk ekzistonte asnjë lidhje për të ndryshuar qëndrimin fillestar. Por në fillim të nëntorit 2018, grupi i punës në DSIK e ndryshoi raportin për Dhimitrin nga “i përshtatshëm” në “i papërshtatshëm”.

Rrethana të ngjashme kanë djegur më parë anëtarin e Gjykatës së Lartë, Tom Ndreca. Por Dhimitri këmbënguli në shpjegimet e tij se nuk kishte asnjë komunikim me kunatin në tre vitet e fundit dhe se njerëzit e bashkëshortes ia kishin fshehur atij faktin e arrestimit në Greqi.

Dhimitri argumentoi gjithashtu se marrëdhëniet me kunatin ishin tronditur fort që prej vitit 2010, kur pas një konflikti të L.G me ish-bashkëshorten, gjykata e Gjirokastrës dhe më pas ajo e Apelit kishin lëshuar një urdhër-mbrojtjeje kundër tij. Ai shtoi se kishte shkëputur çdo komunikim me të në fund të vitit 2013.

Deklaratat e gjyqtarit u konfirmuan nga KPK përmes të dhënave të marra nga dy gjykatat në Gjirokastër dhe nga kompanitë e telekomunikacionit në Shqipëri.

“Nga verifikimi i dokumentacionit nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor dhe Apeli i Gjirokastrës, drejtoria vendore e policisë dhe Prokuroria nuk rezultuan rrethana me natyrë privilegjuese ndaj L.G në raport me ish-bashkëshorten dhe fëmijët, ç’ka në një hipotezë të kundërt mund të nënkuptonte mundësinë e përfshirjes së subjektit të rivlerësimit për favorizimin e shtetasit L.G,” thuhet në vendim.

Komisioni evidenton gjithashtu se subjekti i rivlerësimit nuk ka asnjë udhëtim apo kalim ndërkufitar në pesë vitet e fundit me kunatin, çka i bën deklarimet e tij për mungesë raporti me kunatin të besueshme.

Pasuria dhe aftësitë profesionale  

Gjyqtari Enton Dhimitri zotëron familjarisht një automjet të llojit “Skoda” të blerë për 13 900 euro, një apartament në Gjirokastër në vlerën e 4 milionë lekëve, një apartament në Sarandë të blerë për 38 500 euro, rreth 12.7 milionë lekë likujditete në bankë dhe shpenzime për mobilimin e apartamenteve në vlerat 1.9 milionë lekë dhe 360 mijë lekë.

Lidhur me pasuritë e mësipërme, Komisioni arriti në përfundimin se subjekti dhe bashkëshortja e tij kanë pasur burime të ligjshme dhe të mjaftueshme për blerjen e këtyre pasurive.

Pikëpyetje u ngritën megjithatë për blerjen në çmime relativisht të ulëta të makinës “Skoda” dhe apartamentit në Gjirokastër. Gjyqtari Dhimitri shpjegoi se kishte deklaruar vlerën e saktë të pasurive të tij në të dyja rastet. Ai shpjegoi se makina u ishte shitur në çmimin minimal të lejuar për shkak se bashkëshortja e tij dhe ortaku i kompanisë ishin kushërinj të parë.

Ndërsa lidhur me apartamentin, Dhimitri renditi disa arsye, të cilat lidheshin me punimet e papërfunduara, pozicionin e apartamentit të tij në katin e fundit të pallatit si dhe nevojën e ngutshme për para që kishte ndërtuesi. Ai dorëzoi gjithashtu pranë Komisionit prova që tregonin se të njëjtat çmime janë aplikuar edhe për fqinjët e tij.

Komisioni vlerësoi gjithashtu se Dhimitri ka aftësi për arsyetimet ligjore dhe se nga dosjet e analizuara nuk janë vërejtur të dhëna mbi mungesën e etikës apo konfliktin e interesit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shqyrtoi gjithashtu 7 denoncime të mbërritura në adresë të Dhimitrit, por nuk gjeti indicie për të provuar pretendimet e denoncuesve.

“Nga vlerësimi tërësor i aftësive profesionale, subjekti Enton Dhimitri ka treguar cilësi të pranueshme në punë, gjykim të drejtë duke respektuar të drejtat e palëve ose viktimave, ka qenë eficent dhe efektiv në masë të pranueshme dhe Komisioni e ka vlerësuar si të aftë në detyrën e gjyqtarit,” përfundon vendimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *