Gjyqtarja Marinela Osmani gjatë seancës së shpalljes së vendimit në KPK | Foto nga Besar Likmeta
Korrupsioni KP Lajme Vendi

“Vendime kontradiktore’, ONM kërkon apelimin e Marinela Osmanit

Vëzhguesit ndërkombëtarë theksojnë se çështjet e dy bashkëshortëve Osmani janë identike, por vendimet të ndryshme – duke i kërkuar komisionerëve që ta dërgojnë çështjen për interpretim në Kolegj.

Gjyqtarja Marinela Osmani gjatë seancës së shpalljes së vendimit në KPK | Foto nga Besar Likmeta

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit e quajti kontradiktor vendimin e KPK-së për konfirmimin në detyrë të gjyqtares Marinela Osmani dhe i kërkoi komisionerëve publikë që ta ankimojnë atë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, situata financiare e subjektit është identike me atë të bashkëshortit të saj, Gentjan Osmani, i cili u shkarkua nga detyra Kolegji në korrik të vitit 2019.

“Problemet në çështjet e *** dhe Marinela Osmanit janë jo vetëm të ngjashme, por de facto identike, duke nxjerrë në pah mungesën e konseguencës mes standardeve të aplikuar nga KPK për konfirmimin ndaj standardeve të aplikuara nga KPA në vendimin 19/2019, pa një arsyetim të kënaqshëm nga KPK për këtë dallim,” thuhet në rekomandimin e ONM-së.

“Është e nevojshme që çështja të dërgohet në KPA përmes Komisionerëve Publikë dhe KPA duhet ta vlerësojë këtë rast në dritën e standardeve ekzistuese,” shtoi ONM.

Gjyqtarja Marinela Osmani, e cila punon aktualisht si këshilltare ligjore në Këshillin e Lartë Gjyqësor u konfirmua në detyrë më 11 prill 2021 nga trupa gjyqësore e udhëhequr nga Etleda Çiftja, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Suela Zhegun.

Gjatë procesit të saj, gjyqtarja Osmani kërkoi që të mos gjykohej për së dyti për disbalancat që sollën shkarkimin e bashkëshortit të saj, duke e konsideruar këtë një masë disporpocionale.

Në rekomandimin e dërguar për komisionerët publikë, ONM thotë se është e vetëdijshme që çdo subjekt duhet gjykuar më vetë, por kujton se vendimet e Kolegjit vendosin standarde për interpretimet ligjore, duke ofruar udhëzime për trajtimin e çështjeve të njëjta.

Në fund të rekomandimit, ONM kërkon nga Kolegji që në rast se zgjidhja e çështjes së Marinela Osmanit do të rezultojë e ndryshme nga ajo e bashkëshortit të saj, të japë një arsyetim të përshtatshëm për të ofruar standarde udhëzuese për çështje të ngjashme, ku subjektet e rivlerësimit janë persona të lidhur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *