Gjyqtari i Gjykatës Administrive e Apelit, Artur Malaj duke dalë nga seanca dëgjimore e Komisionit të Pavarur te Kualifikimit, KPK, në Tiranë më 31 korrik 2018. Foto: LSA
Analiza Korrupsioni KPA Në Fokus

Vendimi i Kolegjit për Malajn la pa përgjigje akuzat për “prona të fshehura”

Me një proces të orientuar te rezultati, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi shkarkimin e gjyqtarit Artur Malaj vetëm për pasuritë e deklaruara- ndërsa denoncimet dhe dyshimet për pasuri të fshehura u konsideruan të panevojshme për t’u analizuar.

Gjyqtari i Gjykatës Administrive e Apelit, Artur Malaj duke dalë nga seanca dëgjimore e Komisionit të Pavarur te Kualifikimit, KPK, në Tiranë më 31 korrik 2018. Foto: LSA

Më 24 tetor, Kolegji i Posaçëm i Apelimit përmbysi vendimin e shkallës së parë për gjyqtarin Artur Malaj dhe e nxorri atë jashtë sistemit të drejtësisë, duke i prerë njëherazi rrugën ambicies për t’u zgjedhur Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

Megjithatë, procesi në Kolegj për gjyqtarin Malaj u orientua drejt rezultatit, ndërkohë që disa pikëpyetje të ngritura mbi pasuri të fshehura apo pronat e familjarëve mbetën sërish pa përgjigje.

Sipas vendimit të arsyetuar, procesi në Kolegj për gjyqtarin Malaj u bazua vetëm mbi pasurinë e deklaruar- për të cilën trupa gjyqësore argumentoi se ishte kryer “deklarim i pasaktë dhe i pamjaftueshëm”.

Përmes një arsyetimi minimalist, Kolegji i konsideroi të panevojshme shkaqet e tjera të ankimit apo denoncimet nga publiku.

“Trupi gjykues e çmoi të panevojshëm analizimin e shkaqeve të tjera të ankimit dhe denoncimeve të publikut të paraqitura në Kolegj, përsa kohë çdo konkluzion i lidhur me to nuk do të arrinte të ndryshonte vlerësimin përfundimtar të trupit gjykues lidhur me këtë kriter të rivlerësimit dhe vendosjes së masës disiplinore të shkarkimit nga detyra,” thuhet në vendimin e arsyetuar.

Ish-drejtues i Gjykatës së Vlorës dhe anëtar i Gjykatës Administrative të Apelit prej vitit 2013, Artur Malaj e kaloi filtrin e parë të vetingut përmes një procesi që u kundërshtua si ‘i pajustifikueshëm’ nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe më pas Komisioneri Publik.

Në rekomandimin e vet, ONM theksonte se të dhënat e ofruara përmes denoncimeve dhe një raporti të DSIK-së për një vilë të fshehur në afërsi të shkollës “Halim Xhelo” në Vlorë u anashkaluan përmes hetimeve të përcipta. Dyshime u ngritën gjithashtu mbi pronat e familjarëve.

Në ankimin përballë Kolegjit, edhe Komisioneri Publik kërkoi hetime shtesë mbi vilën 3-katëshe si dhe përfshirjen e motrës, kunatit dhe nipit të gjyqtarit në rrethin e personave të lidhur. Megjithatë, procesi në Kolegj mori tjetër drejtim dhe u fokusua përgjithësisht tek mjaftueshmëria e burimeve për të paguar një këst prej 15 mijë eurosh për blerjen e një apartamenti si dhe të ardhurat e bashkëshortes nga aktiviteti i noterisë- të cilat sollën edhe shkarkimin e gjyqtarit.

Gjetjet e ONM-së

Shqyrtimi në Kolegj për gjyqtarin Artur Malaj nisi nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Natasha Mulaj, me relator Sokol Çomon dhe anëtarë Luan Daci, Artan Hajdari dhe Rezarta Schuetz. Në maj 2019, kryesuesja Mulaj u detyrua të jepte dorëheqjen pas ekspozimit të konfliktit të interesit dhe vendin e kryesueses e zuri Schuetz.

Konflikti i interesit nuk ishte e vetmja anomali e zbuluar gjatë procesit. Më 20 qershor 2019, vëzhguesi i ONM-së paraqiti në Kolegj si provë të re një analizë financiare të kryer më parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, e cila nuk rezultoi t’i ishte dorëzuar Komisionerit Publik dhe Kolegjit bashkë me dokumentet e tjera të dosjes.

Vendimi i arsyetuar i KPA-së tregon se analiza financiare ishte vetëm një prej gjetjeve të dorëzuara nga ONM për rastin Malaj.

Më 15 nëntor 2018, ONM i kërkoi Kolegjit që të hetonte rreth informacioneve/denoncimeve të mbërritura për gjyqtarin Malaj pas shpalljes së vendimit në shkallë të parë. Sipas të dhënave të paraqitura në vendim, njëri denoncim ishte bërë nga Znj. L.K dhe Z.N.K, ndërsa denoncimi i dytë i një shtetasi me inicialet A.B ishte një kallëzim penal i nëntorit 2017.

Në gusht 2019, ONM i dorëzoi Kolegjit një gjetje të tretë në lidhje me vilën 3-katëshe në Vlorë, e cila dyshohej se i përkiste gjyqtarit Malaj.

“ONM…paraqiti pranë Kolegjit në cilësinë e gjetjes gjashtëmbëdhjetë fotografi (të printuara) të një pasurie të paluajtshme, objekt shqyrtimi në këtë çështje gjyqësore dhe që ka të bëjë me seancën e intervistimit të znj. A.D nga Komisioni më 23 prill 2018,” thuhet në vendimin e KPA-së.

Nga tre gjetjet e ONM-së, vetëm analiza financiare iu nënshtrua shqyrtimit gjyqësor dhe debatit mes palëve. Në gjykimin e Kolegjit, shqyrtimi i denoncimeve të reja apo edhe hetimi mbi vilën 3-katëshe në qytetin e Vlorës nuk do të sillnin ndonjë ndryshim në rezultatin tashmë të vulosur të shkarkimit nga detyra për gjyqtarin Artur Malaj.

Deklarim i pamjaftueshëm

Në ankimin e tij, Komisioneri Publik, Dariel Sina pretendoi ndër të tjera se gjyqtari Artur Malaj kishte kryer deklarim të pasaktë për atë që u konsiderua pasuria nr.1; një apartament 106 m2 në Tiranë, nuk kishte burime të mjaftueshme për të paguar këstin e parë të tij prej 15 mijë eurosh në vitin 2005 si dhe nuk mbulonte me burime të ligjshme kursimet dhe shpenzimet e deklaruara në 4 vite në vlerën e gati 1.3 milionë lekëve.

Në një kundër-ankim të dorëzuar në KPA, Malaj e kundërshtoi Komisionerin duke pretenduar se kontrata objekt kontestimi ishte revokuar dhe se ai nuk e kishte paguar asnjëherë këstin e parë prej 15 mijë eurosh.

Malaj kundërshtoi gjithashtu që të afërmit e tij të konsideroheshin “persona të lidhur”, pretendoi se “indiciet” për vilën 3-katëshe ishin hetuar dhe rrëzuar nga Komisioni dhe kërkoi të lihej në fuqi konfirmimi i tij në detyrë.

Ai i bashkangjiti kundër-ankimit të tij edhe argumente të karakterit procedurial, të cilat lidheshin me kundërshtimin e rivendosjes në afat për analizën financiare të KPK-së apo kundërshtime që lidheshin me cenimin e parimit të gjykimit nga një gjykatë e pavarur. Malaj i kujtoi gjithashtu Kolegjit mbrojtjen e veçantë që gëzonte si anëtar i Kolegjit Zgjedhor; pretendime këto që u rrëzuan njëra pas tjetrës nga Kolegji.

Në analizën përfundimtare, Kolegji u fokusua te besueshmëria e revokimit të kontratës për blerjen e apartamentit në vitin 2005 si dhe tek të ardhurat e ligjshme të bashkëshortëve Malaj për të justifikuar shpenzimet e tyre.

Kolegji peshoi pretendimet e Komisionerit si dhe ato të Malajt për revokimin e kontratës dhe arriti në përfundimin se “provat e paraqitura nga subjekti nuk arritën të bindnin trupin gjykues”.

Kolegji shkruan në vendim se nuk u mjaftua vetëm me rrëzimin e pretendimit të Malajt, por mori në shqyrtim edhe analizën financiare për vitin 2005; kohë kur është paguar kësti prej 15 mijë eurosh. Nga analiza rezultoi se subjekti dhe personat e lidhur ishin në mungesë burimesh të ligjshme prej 1.6 milionë lekësh.

Paralelisht me këtë pasuri, Kolegji analizoi të ardhurat e përfituara nga bashkëshortja e Malajt nga aktiviteti i noterisë dhe konstatoi se në vitin 2011, ajo kishte përfituar faljen e një pjese të borxhit tatimor përmes ‘legalizimit të kapitalit”.

Kolegji argumentoi më pas se bashkëshortja e Malajt, në cilësinë e lidhur me subjektin deklarues të pasurisë përjashtohet nga përfitimet që rrjedhin si pasojë e legalizimit të kapitalit.

Për këtë arsye, Kolegji u zbriti fitimeve neto nga aktiviteti i noterisë shumën prej 2.4 milionë lekësh- të cilat nuk u konsideruan të ardhura të ligjshme –çka solli më pas diferenca negative në analizën financiare.

“Nga rezultatet e analizës financiare për subjektin e rivlerësimit, për periudhën e vlerësuar nga Kolegji (vitet 2003-2016), subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur rezultuan me pamjaftueshmëri të burimeve të ligjshme për të justifikuar pasuritë e krijuara dhe shpenzimet e kryera… më së paku në shumën 5.8 milionë lekë,” thuhet në vendimin e Kolegjit.

Në përfundim të vendimit, trupi gjykues argumentoi se subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur me të ndodhen në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm, si pasojë e mungesës së burimeve të ligjshme për të justifikuar shpenzimet e kryera dhe pasuritë e krijuara.

Për rrjedhojë, KPA vendosi unanimisht të ndryshojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të shkarkojë nga detyra gjyqtarin Artur Malaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *