Analiza Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Vendimi i zbardhur i KPK, mosdeklarimet penalizuan gjyqtarin Artan Zeneli

Mosdeklarimi i heqjes të vizës nga ambasada e SHBA, mosdeklarimi i huave nga persona të ndryshëm dhe problemet me  blerjet e pasurive të paluajtshme, sollën shkarkimin me shumicë nga KPK të  anëtarit të Gjykatës së Lartë Artan Zeneli. Një nga anëtaret e trupës gjykuese u shpreh kundër dhe kërkoi që për Zenelin të shqyrtohej edhe kriteri profesional.

Gjyqtaret Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari gjatë një seance dëgjimore. Foto:LSA

Artan Zeneli u gjet i papërshtatshëm për kriterin e pastërtisë së figurës dhe po ashtu u rrëzua në kriterin e justifikimit të pasurive nga shumica e treshes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) që shqyrtoi çështjen e tij.

Vendimi i zbardhur i publikuar sëfundmi, tregon se kryesuesja Etleda Çiftja, dhe relatorja Xhensila Pine u shprehën për shkarkimin e Zenelit pas shqyrtimit të dy kritereve dhe vendosi shkarkimin e tij për deklarim të pamjaftueshëm. Ata cilësuan shkelje shkarkues mosdeklarimin e heqjes së vizës nga ambasada e SHBA, Ndërsa sa i përket pasurisë arsyetuan se Zeneli “kishte ndryshuar shpjegimet e tij, nuk ka shpjeguar bindshëm burimin e ligjshëm të kësaj pasurie, ka ndërmarrë hapa për të fshehur dhe paraqitur në mënyrë të pasaktë pasurinë”.

Në krahun tjetër Valbona Sanxhaktari u shpreh në mendimin e pakicës se Zeneli nuk kishte probleme me figurën dhe përkundër shumicës tha se ai kishte shpjeguar besueshëm pasurinë. Sanxhaktari kërkoi që Zeneli të hetohej edhe në kriterin e profesionalizmit, duke kundërshtuar shkarkimin mbi dy kriteret e tjera.

Gjatë procesit Zeneli i cilësoi harresa dhe gabime disa nga problemet e gjetura nga KPK në pasurinë e tij, ndërsa justifikoi mosdeklarimin e heqjes së vizës turistike nga SHBA, me faktin se nuk e kishte konsideruar këtë si ndalim hyrje, pasi kishte ndërkohë një vizë të dytë që u refuzua më vonë.

Zeneli u përfshi në procesin e rivlerësimit si anëtarë i Gjykatës së Lartë. Ai ishte rifutur në sistemin e drejtësisë si pjesë e kësaj gjykate në vitin 2009, ndërsa kishte punuar si gjykatës në Krujë deri në vitin 1999 dhe më pas si avokat. Zeneli nuk qe i vetmi anëtar i kësaj gjykate i shkarkuar. Nga 9 gjykatës të lartë që u përfshin në proces 5 u shkarkuan, ndërsa katër u konfirmuan, por ndërkohë për një prej tyre është në proces rishqyrtimi i ankuar nga Komisioneri Publik. Po ashtu Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka kërkuar ankimim edhe për një tjetër anëtar të konfirmuar.

       Lexo më shumë:

Heqja e vizës nga SHBA

Pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese kishte konfirmuar ligjin 84/2016 “për rivlerësimin kalimtar të gjykatësve dhe prokurorëve”, konsullata pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, thirri një numër gjykatësish e prokurorësh të cilëve u njoftoi heqje të vizave të udhëtimit.

Në njoftimin për shtyp që shoqëroi këtë heqje vizash ambasada bëri me dije se vendimi i marrë kishte lidhje me procesin e pagëzuar si veting. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara e ka ndërmarrë këtë veprim përpara procesit të pritshëm të vetingut, i cili do të vlerësojë lidhjet e zyrtarëve të caktuar me korrupsionin”, thuhet në njoftim e 26 janarit 2017. Në listën e atyre që humbën vizën ishte ndër të tjerë edhe ish-Prokurori i Përgjithshëm, anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe të atyre të Apelit.

Gjykatësi Artan Zeneli, i cili siç del nga vendimi i zbardhur i KPK-së kishte në këtë moment dy viza amerikane, një turistike dhe një tjetër punë, u thirr më 26 janar në konsullatë ku iu njoftua për revokimin e vizës turistike.

Zeneli ndërkohë kishte kandiduar për të qenë anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe duhej të dorëzonte në Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), formualrin e vetëdeklarimit mbi pastërtinë e figurës.

Nga vendimi i zbardhur rezulton se data e vendosur mbi vetëdeklarim është 16 janar 2017, por data e dorëzimit të cilin e ka bërë vetë gjykatësi është 27 janar 2017. KPK në shqyrtimin e kriterit të pastërtisë së figurës gjeti se Zeneli nuk kishte vetëdeklaruar se një ditë para se të dorëzonte formualrin i ishte revokuar viza turistike nga SHBA.

Në argumentim shumica arsyeton se Zeneli nuk mund ta kishte bërë plotësimin e formularit para vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i hapte rrugë procesit dhe se ai mund ta kishte amenduar formularin për të përfshirë heqjen e vizës. Shumica arriti në përfundimin se ai kishte bërë deklarim të pasaktë në formualar dhe se ky ishte një veprim që sillte shkarkimin. “Evidentohet se ka bërë deklarim të pasaktë në plotësimin e Deklaratës për Kontrollin e Figurës”, thuhet në vendimin e zbardhur.

Zeneli deklaroi për KPK se “nuk e çmoi të bënte ndryshime në formularin e deklaratës për kontrollin e figurës për arsye se ishte i bindur se nuk i ishte refuzuar hyrja, por thjesht ishte revokuar njëra nga vizat”. Por KPK e cila gjeti gjatë hetimit se po ashtu edhe viza e dytë ishte hequr në vitin 2018, arsyetoi se pavarësisht interpretimit ai duhej të kishte bërë deklarim të drejtë në formular.

Po ashtu duke iu referuar qëndrimit të bërë publik nga amabasada ditën e refuzimit KPK thotë se heqja e vizës ishte ndalim hyrje dhe lidhej me procesin e vetingut, përndryshe nga sa pretendonte Zeneli se kishte arsyetuar që heqja e njërës vizë nuk mund të konsiderohej ndalim hyrje.

Më tej në vendimin e zbardhur citohet edhe një deklaratë nga  Departamenti i Shtetit I SHBA, ku thuhet se ai “Ka një autoritet të gjerë për të mohuar dhe revokuar viza, bazuar në informacione që tregojnë se zotëruesi i vizës mund të jetë i papranueshëm në Shtetet e Bashkuara dhe Departamenti i Shtetit do të vazhdojë ta përdorë këtë autoritet për t’i çuar përpara përpjekjet kundër korrupsionit në Shqipëri.” Sipas shumicës Zeneli kishte shkelur ligjin duke mos deklaruar se kishte ndalim hyrje në një nga vendet anëtare në NATO.

Në mendimin e saj për këtë çështje Sanxhaktari në pakcië arsyeton se shumica nuk kishte arsyetuar si duhej. “Shumica nuk ka kryer një hetim të thelluar dhe të plotë për verifikimin e rrethanave që merren parasysh në konstatim, si dhe rrethanave lehtësuese”, shkroi ajo.

Sanxhaktari thotë se mosdeklarimi i heqjes së vizës nuk ishte i mjaftueshëm si argument shkarkues. Ndërsa thekson se shumica kishte bërë edhe shkelje të procedurës. “Konstatoj se as shumica dhe as DSIK-ja nuk kanë përmendur se cilat janë: baza ligjore, afati, rrethanat dhe informacionet, mbi bazën e të cilave është bërë rishikimi i raportit për kontrollin e figurës”, thuhet në mendimin e pakicës.   Sipas Sanxhaktarit “nuk përmbushet asnjë kriter ligjor dhe kushtetues që do të përcaktonte papërshtatshmërinë”.

Problemet me pasurinë

Shumica në KPK doli në përfundimin se Zeneli kishte probleme edhe në kriterin e pasurisë. Në disa blerje të pasurive të paluajtshme KPK thotë se hetimi gjeti disa mosdeklarime, ndërsa arsyetoi se kishte përpjekje për fshehje pasurie dhe po ashtu pamjaftueshmëri të saj.

Kështu për blerjen e një vile 260 m² me 300 m² oborr me vlerë 196.738 euro, KPK gjeti se Zeneli nuk kishte deklaruar marrjen e një huaje prej 150 mijë euro për këtë apartament, të cilën më pas e kishte paguar përmes një kredie me të njëjtën shumë.

KPK konsideroi shkelje faktin që ky veprim nuk ishte deklaruar në deklaratë para fillimit të detyrë. Zeneli shpjegoi se ai nuk e kishte deklaruar huan, pasi deklarimi ishte bërë disa vite më vonë dhe se marrëdhënia konfirmohej me faktin që kredia i ishte paguar personit që ai kishte marrë huanë dhe me objekt blerjen e shtëpisë.

Po ashtu problem u gjet në banesën dykatëshe, me sip. 188 m² dhe oborr me sip. 337.25 m², e deklaruar si e krijuar nga të ardhurat prej pagës dhe të prindërve. KPK thotë se gjeti se ai kishte blerë po ashtu dy pjesë të kësaj pasurie në vitin 2016, por sipas KPK-së shtesa e përfituar nuk ishte deklaruar në deklaratën veting.

Zeneli pretendoi se ishte harresë, se shtesa e padeklaruar ishte vetëm 8.7 metra katrorë dhe ishte paguar me 40 mijë lekë. Megjithatë KPK doli në përfundimin se kishte pasur përpjekje për ta fshehut këtë pasuri dhe se të dhënat ishin paraqitur në mënyrë të pasaktë.

Ndërkohë sa i përket një apartamenti 117 m², blerë 41.000 USD, KPK thotë se Zeneli nuk kishte pasur mundësi për ta paguar atë njëherësh siç dilte nga kontrata dhe se rezultonte në pamjaftueshmëri burimesh të ligjshme.

Zeneli u justifikua duke thënë se përndryshe nga sa dilte në deklarimin e parë ai e kishte paguar apartamentin në disa këste siç kishte deklaruar në “Deklaratën Veting”, por ky ndryshim qëndrimesh u përdor kundër tij nga shumica në KPK.

KPK po ashtu rrëzoi auditimin e bërë për pasuritë e Zenelit. Shumica tha se “Për kryerjen e ekspertimit nuk është përmendur asnjë standard auditimi referues për mënyrën dhe zhvillimin e ekspertimit; dhe janë përdorur të dhëna referuese të ndryshme për kohën dhe vlerat e paguara”.

Shumica gjeti probleme edhe në blerjen e dy apartamenteve me vlerë totale 100 mijë euro. KPK shprehet në vendim se gjeti se pa llogaritur shpenzimet Zenelit i mungonin 10.5 milion për të blerë këtë apartament. Ndërkohë që gjykatësi sërish paraqiti si justifikim faktin se pagesat, edhe pse ishin deklaruara të bëra njëherësh ishin bërë në kohë të ndryshme me këste.

Por shumica nuk i gjeti të mjaftueshme pretendimet e gjykatësit dhe konsideroi se ai nuk e kalonte rivlerësimin edhe për kriterin e pasurisë. “Në përmbledhje të sa më sipër, trupi gjykues arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimit, z. Artan Nuh Zeneli, nuk arrin një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë pasi: ka kryer deklarim  të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë; nga kontrolli i pasurisë u evidentuan pasuri më të mëdha nga sa mund të justifikohen ligjërisht; u evidentua se ai ka ndërmarrë hapa për të fshehur, ose ka paraqitur në mënyrë të pasaktë pasurinë në pronësi, posedim ose përdorim të tij”, thuhet në konkluzionet e shumicës.

Mendimi i pakicës

Në mendimin e pakicës anëtarja e trupës gjykuese Valbona Sanxhaktari thotë se përndryshe nga përfundmi i arritur nga dy kolegët e saj, Zeneli kishte arritur nivel të besueshëm në justifikimin e pasurisë.

Sanxhaktari thotë se pasuritë për të cilat i është kërkuar deklarim gjykatësit dhe për të cilat shumica kishte konstatuar mosdeklarim të huave ishin vënë para periudhës që ai punonte si gjykatës dhe se ai nuk kishte detyrim që për këtë periudhë të deklaronte huatë që kishte marrë nga persona të ndryshëm.

Sanxhaktari arsyeton se në të gjitha rastet gjykatësi kishte paraqitur dokumente të mjaftueshme. Ajo thotë se paqartësitë në mënyrën e kryerjes së pagesave vijnë për shkak se Zeneli ka deklaruar ëto pasuri kur ka marrë detyrë shtetërore në vitin 2007 dhe ku nuk ka pasur detyrim të shpjegonte mënyrën si ishin paguar. Këstet ai i ka deklaruar për KPK, kur kjo ka gjetur se ai nuk kishte mundësi të paguante.

Pakica duke konsideruar se Zeneli e kalonte rivlerësimin për të dy kriteret e para, thotë se KPK duhej të kishte bërë po ashtu edhe hetim të aftësive profesionale. “Në  vlerësim  të  të  gjithë  përbërësve  të vlerësimit, krijoj bindjen se shumica nuk duhet të kishte disponuar shkarkimin nga detyra të këtij subjekti, por duhej të kish vazhduar procedurën edhe me përfshirjen e komponentit të tretë të rivlerësimit”, arsyeton anëtarja në pakicë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *