Analiza Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Vendimi i zbardhur: Trezhnjeva vetëdeklaroi fiktivitetin e një kredie, fshehu pasurinë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ktheu përmbys mbrojtjen e gjyqtarit të Apelit Durrës, Besim Trezhnjeva, ndërsa vendosi ta shkarkonte atë për fshehje pasurie e cënim të besimit, duke përdorur në disa momente nga vetëdeklarimet e tij për fiktivitet të një kredie apo pretendimin e të ardhurave të padeklaruara më parë.

Seanca dëgjimore e KPK-së për vlerësimin e gjykatësit të Apelit Durrës, Besim Trezhnjeva.

Çështja ndaj Besim Trezhnjevës, deri së fundmi gjyqtar i Gjykatës së Apelit Durrës është ndër të parat (sipas shortit) që pritet të shqyrtohet në Kolegjin e Posaçëm  të Apelimit. Trezhnjeva u shkarkua në  Prill pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti se ai nuk justifikonte pasuritë e vënë dhe se kishte bërë fshehje pasurie e deklarim të rremë, por e ka apeluar vendimin duke kërkuar të konfirmohet në detyrë. Përndryshe nga shumica e gjykatësve të kaluar në proces, treshja e KPK-së në rastin e Trezhnjevës me kryesuese Alma  Faskaj, anëtar Roland Ilia dhe relatore Firdes Shuli, vendosi të mos hetonte përtej pasurive për profesionalizmin apo pastërtinë e figurës, duke i konsideruar shkeljet në këtë rast të qarta.

Vendimi i zbardhur i KPK-së tregon edhe se ndryshe nga rastet e gjykatësve të tjerë të shkarkuar, shkeljet në deklarimin e pasurisë nga gjykatësi ishin gjetur edhe nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) i cili në shumicën e rasteve të rivlerësimeve të shqyrtuara deri tani, nuk ka gjetur probleme. Trezhnjeva po ashtu u vlerësua “jo bashkëpunues”. KPK vendosi se Trezhnjeva kishte bërë “deklarime të pasakta”, kishte “mungesë e burimeve të ligjshme financiare për të justifikuar pasuritë” kishte “fshehje pasurie” dhe kishte bërë “deklarime të rreme”.

Sipas KPK-së, Trezhnjeva veç problemeve me të ardhurat nuk justifikonte likujditetet për disa vite dhe po ashtu nuk mund të justifikonte blerjen e një shtëpie dhe një kredi 50 mijë euro. KPK thotë në vendim se Trezhnjeva ka pranuar se ka bërë “veprime fiktive për të mundësuar marrjen e kredisë për blerjen e apartamentit në Tiranë”. Sipas trupës gjykuese, kjo e ka penalizuar gjyqtarin pasi veprimet bien “në kundërshtim me figurën e një gjyqtari në Republikën e Shqipërisë, gjë që sjell cënimin e besimit te publiku”.

Trezhnjeva, i cili u përfshi me prioritet në veting pasi ishte kandidat për Këshillin e Lartë Gjyqësor nuk i pranoi gjetjet e hetimit. Ai madje paraqiti një audit të pavarur finaciar, sipas të cilit bashkëshortja e tij farmaciste kishte më shumë të ardhura se sa kishin rezultuar në analizën finaciare të KPK-së. Ai ka filluar punë në sistemin gjyqësorë në Tropojë në fillim të viteve 90’ dhe sëfundmi ishte gjykatës në Gjykatën e Apelit në Durrës.

Arsyetimi i KPK-së

Një pjesë e mirë e arsyetimit të KPK-së u fokusua te të ardhurat e bashkëshortes së gjyqtarit. Trezhnjeva pretendoi se ato nuk ishin llogaritur saktë, ai paraqiti një audit të bërë nga një kompani private dhe gjatë seancës dëgjimore i kërkoi KPK që të bëhej një ekspertizë e pavarur, kërkesë që u rrëzua nga trupa gjykuese.  KPK tha se të ardhurat e bashkëshortes të subjektit për periudhën 2003-2016 janë deklaruar në shumën 22.5 milionë lekë, por që pas hetimit ato rezultojnë thuajse gjysma,  në shumën 12.8 milion lekë.

Auditi i kërkuar nga gjyqtari doli në rezultate të tjera që mbështesnin pretendimin e tij për pasjen e më shumë të ardhurave, por KPK e rrëzoi atë. “Konkluzionet  e raportit të auditit të pavarur  dhe pretendimet e subjektit lidhur me të ardhurat e bashkëshortes, janë krejtësisht të pabazuara”, argumentoi KPK.

Treshja gjykuese vendosi se raporti i auditit ishte bërë në kundërshtim me ligjin, pa u bazuar në të dhëna zyrtare te Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe duke marrë në konsideratë vetëm të ardhurat e subjektit, pa përfshirë detyrimet mbi to.

KPK po ashtu përmbysi arsyetimin e mbrojtjes duke thënë se nëse do të merreshin të mirëqena të ardhurat e pretenduara nga auditi, të cilat rezultonin më të larta se ato të deklaruara nga vetë Trezhnjeva “do të ishim përballë faktit të fshehjes së të ardhurave”, pasi këto pasuri nuk ishin deklaruar më herët dhe për to nuk ishin paguar tatime.

Sipas vendimit të zbardhur, Trezhnjeva pretendoi se gjatë analizës financiare nuk është marrë në konsideratë periudha para vitit 1994, kur ai ka qënë gjyqtar në Gjykatën e Tropojës dhe bashkëshortja e tij ka ushtruar aktivitetin si farmaciste. Ai i tha KPK se ka pasur gjendje rreth 2.5 milionë lekë në vitin 1993. Por KPK thotë se kjo nuk ishte e mbështetur në dokumente dhe se Trezhnjeva duhej t’i kishte deklaruar këto kursime në deklaratën e parë të bërë në vitin 2003. Mungesa e tyre në këtë deklaratë nuk i lejonte Trezhnjevës që t’i pretendonte ato.

Pretendimi tjetër i Trezhnjevës kishte të bënte me rezultatet e ndryshme të hetimeve të ILDKPKI-së të bëra më herët. Sipas tij, ILDKPKI e kishte hetuar më parë për të njëjtën periudhë dhe nuk kishte gjetur probleme dhe ai kërkoi që pasuria e tij deri në vitin 2013 duhet të konsiderohet si “gjë e gjykuar”.

Por KPK e rrëzoi këtë pretendim, duke iu referuar ligjit për rivlerësimin kalimtar të gjykatësve e prokurorëve. “Komisioni është institucioni që kryen procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve ex officio”, thuhet në argumentim ndërsa vihet në dukje se Komisioni kishte hetuar në mënyrë të pavarur, “çdo informacion dhe konkluzion të institucionit të sipërpërmendur, ashtu sikurse të gjitha faktet dhe informacionet e marra nga çdo subjekt i së drejtës”.

Trezhnjeva u mbrojt po ashtu duke thënë se nuk mund të shkarkohej, pasi pasuria e pajustifikuar në vlerë prej rreth 20 milionë lekësh, rezulton  më pak se totali i të ardhurave të subjektit “pa përfshirë këtu personat e lidhur” dhe se për shkarkim sasia e pajustifikuar duhej të ishte jo më pak se dyfishi i pasurisë. Por KPK e ka rrëzuar këtë pikë, një prej pikave më të diskutueshme sa i përket rivlerësimit të gjykatësve, duke argumentuar se ky është vetëm një nga shkaqet që çojnë në shkarkim nga detyra, por ligji sanksionon edhe “katër raste të tjera për marrjen e kësaj mase”.

Ndërkohë duket se gjykatësi i dha KPK një argument të fortë kundër vetes. Në tentativë për të justifikuar blerjen e një apartamenti në Tiranë, ai deklaroi një kredi 50 mijë euro që sipas dokumenteve ishin marrë për të paguar një apartament në Durrës. I vënë para barrës së provës për të sqaruar këtë procedurë, gjyqtari i Apelit të Durrësit pranoi se kishte kryer veprime fiktive për të marrë kredinë. “Në rezultatet paraprake të hetimit, subjektit i është komunikuar vetëm konstatimi se veprimet fiktive të vetëdeklaruara prej tij, vijnë në kundërshtim me figurën e një gjyqtari në Republikën e Shqipërisë, gjë që sjell cënimin e besimit te publiku”, arsyetoi KPK.

KPK po ashtu tha se ndryshe nga sa pretendohej prej subjektit, paratë e marra me kredi ishin përdorur për blerjen e apartamentit në Durrës. “Është provuar me dokumente shkresore gjatë hetimit administrativ se kredia e marrë në shumën prej 50.000 eurosh nga “Alpha Bank” nuk është përdorur për blerjen e apartamentit në Tiranë, siç ka deklaruar subjekti, po ka kaluar në llogarinë e “***” sh.p.k”, arsyeton KPK.

Hetimi i KPK gjeti se Trezhnjeva kishte përdorur 75 mijë euro për të paguar në nëntor 2008 një kompani ndërtimi në Durrës dhe Komisioni thotë se nuk ka dokumente që të provojnë se shuma ishte kthyer. Po ashtu, KPK gjeti në hetim se apartamenti në Tiranë ishte blerë dhe kishte qenë në pronësi të Trezhnjevës para se ai të merrte kredinë dhe madje ai ishte përdorur si koletaral për kredinë.

Përveç kësaj, KPK gjeti se Trezhnjeva nuk kishte deklaruara të ardhura cash në deklaratën vetting edhe pse kishte deklaruar të tilla në deklaratat e pasurisë. Atij po ashtu i mungonin të ardhura për të justifikuar likujditetet në disa vite. Sipas KPK-së, Trezhnjeva u gjet në shkelje pasi nuk deklaroi një llogari bankare të së bijës në vlerë 148 mijë lekë. Subjekti sipas vendimit të zbardhur ka thënë se shuma nuk ishte e rëndësishme dhe se ajo nuk ishte e fshehur pasi ishte një llogari rroge e paguar nga një institucion publik. Por trupa gjykuese vlerësoi se “mosdeklarimi i çfarëdolloj shume, konsiderohet nga ligji si fshehje pasurie”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *