Analiza Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Vendimi: KPK rrëzoi justifikimet e prokurorit Artur Selmani për paratë e fituara në lloto

Vendimi i zbardhur i KPK-së tregon se përtej shkeljes së etikës, prokurori i shkarkuar i Prokurorisë së Përgjithshme Artur Selmani nuk provoi se i kishte fituar paratë në baste sportive dhe u gjet se kishte “cënuar besimin e publikut te drejtësia”. 

Prokurori Artur Selmani në seancën dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në një argument të gjatë shpjegues prokurori Artur Selmani i shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 26 nëntor 2018, pretendon se vetëm kur filloi procesi i vlerësimit kalimtar kuptoi se pjesëmarrja e tij në baste sportive cënonte integritetin e prokurorit në sytë e publikut.

“Nga ky moment e në vazhdim jam ndjerë vërtet keq”, citohet Selmani në vendimin e zbardhur sëfundmi të KPK-së. Prokurori kishte deklaruar 10 mijë dollarë të kursyera nga fitimet prej basteve në vitet 2006-2008.

Ai megjithatë ia vuri fajin për mungesën e ndërgjegjësimit “mjedisit jo etik” i cili ia kishte ulur vigjilencën, mungesës së “një praktike të konsoliduar si duhet të veprojë një punonjës i drejtësisë në situata që përmbajnë dilema etike” dhe mungesës së “barrierave nga ligjvënësi” për të penguar këtë sjellje joetike.

Komisioni arsyetoi se argumentet e prokurorit për një mjedis joetik në të cilin llotot nuk shiheshin me sy të keq, binin ndesh me gjykimin e përgjithshëm në Shqipëri rreth personave të përfshirë në baste që “konsiderohen si “persona me ves të keq”.

Megjithatë në vendimin e arsyetuar rezulton, se treshja e KPK që gjykoi Selmanin, e kryesuar nga Roland Ilia me anëtare Firdes Shuli dhe relatore Etleda Çiftja, u bazua në argumente më konkrete. Në arsyetim KPK thotë se Selmani nuk tregoi se sa kishte humbur nga llotaritë sportive dhe nuk solli asnjë provë që 10 mijë dollarët ishin përfituar prej tyre.

“Një problem themelor me bastet sportive nga ana e lojtarit në përgjithësi është humbja e parave në mënyrë periodike, për shkak se është e pamundur të parashikohet çdo ndeshje dhe të fitohet gjithmonë. Pra dhe fitimi i deklaruar i tij merret me rezervë deri ne momentin kur nuk deklarohen humbjet”, thuhet në arsyetim.

Selmani po ashtu u gjet me pamjaftueshmëri në deklarimin e pasurive, kryesisht dhuratave nga e motra, dhe u hetua gjërësisht për përfaqësimin që i kishte bërë akuzës në Gjykatën e Lartë në çështjen e njohur si Masakra e Çoles.

KPK thotë në arsyetim se qëndrimet e Selmanit u gjetën në kondradiktë me ato që deklaronte e motra sa i përket arsyes së dhuratave dhe asaj që kishte deklaruar Drejtuesja e Drejtorisë Gjyqësore Alma Muça gjatë një marrje në pyetje rreth qëndrimit të prokurorisë për Masakrën e Çoles.

Problemet e pasurisë

Prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme deri në momentin e shkarkimit Artur Selmani arriti sipas KPK-së të argumentonte të kundërtën e barrës së provës për një sërë pikëpyetjesh rreth pasurisë së tij. Ai, siç del në vendimin e zbardhur, bindi KPK për ligjshmërinë e burimit të të ardhurave për një apartament 119 metra katrorë në Tiranë, për dhuratat nga nëna dhe për një trasfertë përmes një agjencie të trasferimit të parave.

Po ashtu në favor të Selmani qe edhe vendimi i KPK-së për të rrëzuar si të përgjithshëm dhe të pabazuar në prova raportin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) e cila e kishte konsideruar atë të papërshtatshëm dhe të cënueshëm nga presionet prej krimit të organizuar.

Por Selmani, prej më shumë se 15 vjetësh prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme dhe njëkohësisht një nga kandidatët për vendin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm në vitin 2017, nuk e bindi KPK-në se kursimet e tij rreth 2.5 milion lekë në bankë dhe 900 mijë në shtëpi kishin burim të ligjshëm.

Në arsyetim KPK vë në dukje se Selmani “ka mungesë të dokumentacioni ligjor justifikues për burimin e krijimit të depozitës në shumën prej 2.5 milionë lekësh në “Credins Bank” dhe gjendjen cash në shumë prej 950 000 lekësh”.

KPK u fokusua kryesisht në faktin se këto kursime ishin krijuar prej fitimeve nga bastet në masën 10 mijë dollarë. Komisioni thotë se Selmani nuk paraqiti asnjë dokument justifikues rreth fitimeve prej 4 mijë eurosh në vit nga llotaritë sportive. Prokurori është justifikuar me kohën e kaluar dhe me faktin se Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) nuk ia kishte vënë në dukje mungesën e dokumentacionit gjatë viteve kur kishte bërë deklarimin.

Po ashtu sipas Komisionit Selmani nuk provoi arsyen e dhurimeve prej të motrës, madje rezultoi në kontradiktë me këtë në deklarimin e këtyre arsyeve. Sipas motrës së prokurorit dhuratat rreth 14 mijë euro ishin bërë për të ndihmuar familjen e vëllait  “për shpenzimet që mund të bënte për nënën gjatë qëndrimit të saj në Tiranë”.  Por vetë Selmani i kishte deklaruar ndërkohë KPK-së se e ëma e cila po ashtu i kishte dhuruar atij pensionin, jetonte te motra në Itali.

Trupi gjykues thotë se nga hetimet po ashtu nuk u provua se motra e prokurorit të shkarkuar kishte mundësitë financiare për të bërë dhuratat e pretenduara dhe se nuk ishin sjellë dokumente provuese të pasurisë së saj dhe bashkëshortit. “Si konkluzion, subjekti i rivlerёsimit nuk shpjegoi bindshёm burimin e ligjshёm tё tё ardhurave nga dhuratat e bёra nga motra e subjektit, znj. T.S. dhe pёr pasojё ka mungesё tё burimeve tё ligjshme financiare me dokumentacion justifikues pёr kёto dhurata të bëra gjatë viteve 2009 – 2013, në vlerёn 13.950 euro”.

Ndërkohë analiza finaciare e KPK që mori në konsideratë shpenzimet siç i kishte deklaruar vetë Selmani, e nxorri atë me një minus prej 3.5 milion lekësh. KPK thotë se në analizë u përfshi e gjithë periudha nga viti 2003 deri në vitin 2016 dhe se rezultoi se në 9 vjet Selmani nuk kishte pasur të ardhura të mjaftueshme.

KPK thotë se pretendimet e Selmanit për kursime nga shitja e një apartamenti në pronësi të nënës dhe kursime deri në vitin 2003 në vlerën 1.4 milion lekë nuk u morën parasysh në llogaritje pasi nuk u paraqitën dokumente justifikuese dhe nuk ishin deklaruar në vitin 2003.

Probleme të etikës

Deklarimi i fitimeve nga llotaritë sportive si kursimeve vjetore e penalizoi rëndë Selmanin në kriterin e pasurisë, por KPK e cilësoi atë edhe një shkelje të etikës. “Komisioni arrin në konkluzionin se këto lloj sjelljesh të subjektit të rivlerësimit kanë cenuar, figurën dhe integritetin e tij, si dhe kanë ulur shkallën e besueshmërisë nga publiku tek sistemi i drejtësisë”, thuhet në vendimin e arsyetuar.

Treshja që gjykoi Selmanin e ka mbështetur arsyetimin e saj edhe me “komentet e shumat që ka pasur për subjektin e rivlerësimit gjatë kohës që ishte kandidaturë për Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm në lidhje me përfshirjen në llotari sportive”.

Selmani që bëri për këtë pikë një mbrojtje të gjatë dhe emocionale vuri në dukje se kishte hequr dorë nga bastet dhe se përfshirja e tij në to kishte ndodhur 10 vjet më parë, ndërsa tha se ajo nuk kishte ndikuar në integritetin e tij profesional. “Megjithatë edhe pse e fajësoj veten për këtë sjellje, nga ana tjetër unë jam dhe nuk mund të mos ndihem krenar për integritetin tim profesional të cilin e kam treguar në mënyrë të vazhdueshme në kryerjen e detyrës së prokurorit”, citohet ai nga KPK.

Por argumentet e tij se kishte “lundruar në të njëjtin mjedis jo etik i cili ma ka ulur vigjilencën e vetëdijes aq sa e kam konsideruar sjelljen time si diçka normale të pranuar gjerësisht nga të gjithë”, nuk pinë ujë para Komisionit.

“Përfshirja në llotari sportive, për nga vetë natyra e këtyre aktiviteteve në Shqipëri por jo vetëm, cenon figurën e një prokurori dhe pse nuk ishte e ndaluar me ligj, pasi të fitosh në llotari sportive duhet të marrësh parasysh elementin e varësisë dhe imazhin që lë ky aktivet tek publiku”, arsyetoi KPK.

Një tjetër problem i prokurorit rezultoi mënyra se si ai kishte përfaqësuar akuzën në Gjykatën e Lartë në lidhje me çështjen e njohur si “Masakra e Çoles”. Tre të rinj u vranë në vitin 2015 pas një përplasje me armë. Prokuroria dhe Gjykata e Faktit e Apelit në Vlorë cilësuan fajtorë të akuzuarit. Një prej tyre u dënua me burg përjetë i konvertuar në 35 vjet, ndërsa dy të tjerë me 22 vjet burg.

Selmani mori përfaqësimin e akuzës në Gjykatën e Lartë dhe ndryshe nga kolegët e tij në shkallët e mëparshme të gjyqësori, kërkoi ndryshimin e akuzës, që do të sillte njëkohësisht ulje të dënimeve. Familjarët e dy viktimave u ankuan pranë Prokurorit të Përgjithshë, ndërsa Gjykata e Lartë në këtë rast nuk e mori parasysh kërkesën e Selmanit dhe avokatëve të të akuzuarve duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit në Vlorë.

Mbi këtë vendim të Selmanit ndaj tij u nisën dy herë hetime, ndërsa Prokurori i Përgjithshëm vendosi pezullimin nga detyra për tre muaj.

Në arsyetim mbi këtë çështje Selmani i tha KPK-së se kishte krijuar bindjen që akuza nuk ishte e bazuar në prova. Ai e mbështeti pretendimin e tij në faktin se dy hetime ndaj tij për këtë çështje nuk kishin gjetur që ai të kishte kryer veprim të paligjshëm.

Ai e cilësoi vendimin e pezullimit nga Prokurori i Përgjithshëm për këtë rast si të nxituar dhe po ashtu si masë që kishte ardhur prej nisjes së procedimit dhe jo masë disiplinore. KPK rrëzoi këtë arsyetim duke gjetur se pezullimi ishte masë disiplinore dhe duke arsyetuar se kjo masë ishte marrë për shkak të cënimit të imazhit të prokurorit e konsideroi atë “cënim të besimit të publikut te drejtësia”.

“Nëse subjekti i rivlerësimit mendonte se urdhri i pezullimit nga ana e prokurorit ishte i paligjshëm, atëherë ai duhej të kishte investuar gjykatën për të kërkuar anulimin e urdhrit të Prokurorit të Përgjithshëm si të pabazuar në ligj dhe prova, gjë të cilën subjekti i rivlerësimit nuk e ka bërë.  Ky qëndrim i subjekti i ka shkaktuar dëm imazhit të prokurorit dhe për rrjedhojë ka ulur shkallën e besimit të publikut tek institucioni i prokurorisë”, thuhet në vendim.

Mbrojtja e Selmanit se mendimi që kishte mbajtur në Gjykatën e Lartë e kishte konsultuar me drejtuesen e drejtorisë Alma Muça e cila e kishte inkurajuar të ishte i pavarur dhe kishte ndarë të njëjtin mendim me të, u kundërshtua në KPK nga dëshmia e kësaj të fundit para oficerit të policisë gjyqësore dhënë për efekt të hetimit të nisur në shkurt 2017.

KPK citon se ajo i kishte thënë oficerit se kishte kundërshtuar qëndrimin e Selmanit dhe se diskutimi i tyre kishte shkuar deri në “debat”. Muça thotë se ajo kishte thënë se duhej të mbronin rekursin e prokurorit dhe se bëhej fjalë për një ngjarje të rëndë.

Muça, e cila u konfirmua nga KPK disa ditë më parë me rezerva në lidhje me qëndrimin e saj mbi këtë çështje, mbajti të njëjtin qëndrim edhe gjatë seancës dëgjimore duke theksuar se nuk kishte hapësirë për të ndikuar vendimin e prokurorit.  Përndryshe nga pretendimi i Selmanit se e kishte informuar me shkrim, Muça tha se ajo nuk kishte marrë asnjëherë relacion për dosjen dhe se i vetmi shkëmbim për këtë ishte bërë me gojë.

Komisioni në fund gjeti Selmanin në shkelje për dy kriteret. Në vendimin e arsyetuar thuhet se ai është shkarkuar për “cënim të besimit të publikut te drejtësia” dhe “deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *