Analiza Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Vendimi për Donika Prelën, KPK i njohu të ardhurat e pataksuara si të ligjshme

Vendimi i zbardhur tregon se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i njohu si të ligjshme të ardhurat e bashkëshortit të prokurores, për të cilat nuk ishin paguar pjesërisht taksat – duke deklaruar se këto të fundit ishin përgjegjësi e punëdhënësit, në kontradiktë me precedentin e vendosur nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.  

Drejtuesja e Prokurorise se Krimeve te Renda,Donika Prela pas seances degjimore me Komisionin e Pavarur te Kualifikimit. Foto:LSA

Me datë 5 shkurt, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i udhëhequr nga Roland Ilia si kryesues, Valbona Sanxhaktari relatore dhe Olsi Komici anëtar, votoi në mënyrë unanime konfirmimin në detyrë të drejtueses së Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela.

Konfirmimi i Prelës u shoqërua me denoncime dhe akuza publike nga Partia Demokratike në opozitë, çfarë solli dhe shtyrjen e shpalljes së vendimit me 8 ditë.

Megjithatë, KPK nuk gjeti indicie për rihapjen e hetimeve në denoncimet e opozitës, ndërsa kontrolli administrativ i Komisionit ndaj prokurores është përqendruar gjerësisht në të ardhurat e bashkëshortit, Vangjel Prela dhe disa pasuri të paluajtshme në Tiranë dhe Durrës.

Në përfundim të hetimit administrativ për të tre kriteret e vetingut, KPK është shprehur se subjekti i rivlerësimit ka arritur një nivel të besueshëm të vlerësimit të pasurisë, një nivel të besueshëm të kontrollit të figurës, si dhe një nivel të mirë kualifikues për aftësitë profesionale dhe etike.

Drejtuesja e komanduar e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka kryer studimet për drejtësi në vitet 1995-1999 si dhe Shkollën e Magjistraturës në vitet 1999-2002. Ajo ka punuar si prokurore pranë Prokurorisë së Durrësit prej më shumë se 15 vitesh, ku ka drejtuar edhe Task-Forcën kundër krimit të organizuar apo seksionin për hetimin e krimit ekonomik-financiar.

Në maj 2018, Prela u komandua në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku e motivoi komandimin e saj me “përshpejtimin e hetimeve të çështjeve sensitive”. Megjithatë, Prela u përfshi në një përplasje me vartësit e saj të Krimeve të Rënda në shtator 2018 lidhur me përfaqësimin në gjykatë të çështjes së Emiljano Shullazit.

Taksat e papaguara

Procesi i rivlerësimit për prokuroren Prela është bazuar në raportin e hartuar nga ILDKPKI, raportin e DSIK-së dhe atë të grupit të punës në Prokurorinë e Përgjithshme për aftësisë profesionale, dokumente të administruara nga organe publike, denoncimet nga publiku dhe deklarimet e subjektit dhe ato të personave të lidhur.

Sipas raportit të administruar nga ILDKPKI rezultoi se subjekti nuk ka bërë deklarim të saktë dhe në përputhje me ligjin, por nuk ka të ardhura të fshehura, ka burime financiare të ligjshme, nuk ka bërë deklarim të rremë dhe nuk është në gjendjen e konfliktit të interesit.

Përtej raportit të administruar nga Inspektoriati, KPK ka ndërmarrë një hetim të pavarur administrativ ndaj pasurisë së subjektit dhe personave të lidhur, i cili konsistonte në verifikimin e vërtetësisë dhe saktësisë së deklarimeve të bëra nga subjekti i rivlerësimit në lidhje me gjendjen pasurore, burimet e krijimit, të ardhurat, shpenzimet, nëse ka konflikt interesi, fshehje të pasurisë apo deklarim të rremë, si dhe përcaktimin e gjendjes së fakteve dhe rrethanave që kanë lidhje me çështjen.

Ky hetim është përqendruar kryesisht tek të ardhurat e bashkëshorti, Vangjel Prela si inxhinier ndërtimi në disa shoqëri private. Këto të ardhura janë deklaruar rregullisht në deklarimet periodike vjetore dhe në deklarimin “Vetting”.

Nga hetimi administrativ i KPK-së është konstatuar se për të ardhura e siguruara nga Vangjel Prela si inxhinier ndërtimi nga kompania “Bruçi Sh.p.k”, në vitet 2003-2008 dhe shtator 2010- dhjetor 2011, nuk janë paguar të plota tatimet për të gjithë periudhën e punësimit.

Sipas KPK-së, Instituti i Sigurimeve Shoqërore është shprehur se nuk ka të dhëna në sistem para viteve 2012, ndërsa në Drejtorinë e Arkivit Qendror të Sigurimeve Shoqërore në Lundër rezultoi se nuk kishte të dhëna për shtetasin V. P. Nga një dokument i Drejtorisë së Arkivit Qendror të Sigurimeve Shoqërore në Lundër, të paraqitur nga subjekti, vërehet se për vitet 2006-2008 janë paguar pjesërisht sigurimet shoqërore. Firma Bruçi Sh.p.k, ka deklaruar se ka e paguar  Prelën në vlerën 50 mijë lekë (neto) në muaj për vitet 2003-2008 dhe 100 mijë lekë (neto) në muaj për vitet 2010-2011, çfarë përputhet me deklarimet e subjektit në deklaratën veting dhe kontratat e punës.

Komisioni i ka kaluar subjektit barrën e provës për të ardhurat e realizuara nga bashkëshorti në periudhën e sipërpërmendur, duke kërkuar që të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive dhe të ardhurave. Për të bindur KPK-në, subjekti ka paraqitur një sërë dokumentesh në KPK, si listpagesat e bashkëshortit në vitet 2003-2008, dhe për periudhën shtator 2010- dhjetor 2011, dokumentacion teknik të firmosur në emër të firmës “Bruçi’ nga Vangjel Prela.

“Nga hetimi rezultoi se mes z. V. P. dhe shoqërisë “***” sh.p.k ka pasur një marrëdhënie pune bazuar në kontratën e punës, e cila është deklaruar edhe në DPV përkatës dhe në deklarimin “Vetting”,” shkruan KPK në vendim.

“Në kontratën e punës është përcaktuar paga neto mujore, duke i ngarkuar punëdhënësit detyrimin për pagimin e kontributeve për sigurimet shoqërore dhe detyrimet tatimore, porse punëdhënësi nuk i ka paguar detyrimet për sigurimet shoqërore e shëndetësore dhe tatimet referuar pagës sipas kontratës së punës, duke u përpjekur t’i shmangë ato, pavarësisht se sipas kontratës së punës ai ka marrë përsipër t’i paguajë ato të plota,” shton KPK.

Sipas analizës së KPK-së shuma e të ardhurave të pataksuara të bashkëshortit të prokurores Donika Prela kap një vlerë prej 2.5 milionë lekë.

Edhe pse për këtë pasuri nuk janë paguar taksat, Komisioni shprehet se zoti Prela nuk është përpjekur të fshehë ose të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasurinë në pronësi, pasi rezultoi e provuar se ai i ka deklaruar saktësisht dhe plotësisht ato.

Sipas KPK-së, marrëdhënia e punësimit e Vangjel Prelës ka qenë e ligjshme dhe të ardhurat e përfituara kanë qenë nga një marrëdhënie pune e ligjshme.

“Mospagimi i taksave për një pjesë të të ardhurave në shumën totale prej 2,584,910 lekë ka qenë detyrim i punëdhënësit dhe se ato nuk mund të paguheshin nga vetë subjekti,” shprehet Komisioni.

Vendimi i KPK-së bie ndesh me qëndrimin e Komisionerit Publik dhe vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në rastin e ish- kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Në këtë vendim, KPA është shprehur se “sipas nenit D të Aneksit të Kushtetutës konsiderohen të ardhura të ligjshme ato që janë deklaruar dhe për të cilat janë paguar detyrimet tatimore.”

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse zyra e Komisionerit Publik do ta ankimojë vendimin për konfirmimin në detyrë të Donika Prelës.

Çmime favorizuese dhe hua të padeklaruara

Përveç të ardhurave të bashkëshortit, KPK ka hetuar edhe disa pasuri të paluajtshme të subjektit të rivlerësimit, kur përfshihen një apartament 95.6 m2 i blerë në vitin 2007 në emër të bashkëshortit për 32,100 euro dhe një apartament 135.9 m2 i blerë në vitin 2018. KPK ka hetuar edhe një sipërfaqe toke arë prej 1000 m2, blerë nga bashkëshorti i subjektit për 350 mijë lekë në vitin 2013.

Sipas hetimit të KPK-së, apartamenti me sipërfaqe 95.6 m2, është blerë nga Vangjel Prela në vitin 2012, me një çmim prej 320 euro/m2 dhe vlerë totale 32100 euro. Një vit më vonë ky apartament është rivlerësuar me dyfishin e çmimit të blerjes me 9 milionë lekë. ZVRPP-ja Tiranë ka konfirmuar se çmimi i referencës në vitin 2018 për apartamentet e ndodhura në pallatin ku ndodhet pasuria e subjektit të rivlerësimit është në vlerën 82,000 lekë/ m², duke ngritur dyshime se çmimi i blerjes ka qenë favorizues. E pyetur për çmimin e shitjes së apartament, shoqëria Bruçi Shp.k ka deklaruar se ai ka qenë i ulët për shkak se Vangjel Prela ka punuar si inxhinier i kësaj kompanie ndërtimi.

“Duke marrë në konsideratë kontributin e gjithsecilit punonjës, është aplikuar çmim më i ulët për disa punonjës të firmës,” ka thënë kompania.

Ky apartament është financuar nga subjekti me të ardhurat dhe kursimet e pagës si dhe një hua prej 15 mijë euro, pa interes nga shtetasi Gj.P.  Nga hetimi i KPK-së ka rezultuar se shtetasi Gj.P. ka pasur të ardhura të mjaftueshme të ligjshme për të justifikuar kredinë ndaj subjektit.

Gjatë hetimit ka rezultuar se subjekti në vitin 2018 e ka shitur apartamentin prej 95.6 m2 për 80,000 euro dhe ka blerë një apartament të ri 135.9 m2, për vlerën 110 mijë euro. Burim për këtë blerje ka shërbyer shuma e përfituar nga shitja e apartamentit të vjetër dhe kursimet në llogari bankare me vlerë 30 mijë euro.

Në lidhje me tokën me sipërfaqe 1000 m2 dhe vlerë 350 mijë lekë, ILDKPKI është shprehur në raport se çmimi blerjes është i dyshimtë. Por hetimi i KPK-së e ka hedhur poshtë këtë dyshim, duke nënvizuar se kjo pronë ishte larg nga rruga dhe vlera e tregut për këtë zonë ishte 230 lekë për metër katror.

Gjithashtu në deklaratën periodike të vitit 2014, subjekti ka deklaruar se ka blerë një apartament me vlerë 1.4 milionë lekë dhe e ka shitur brenda vitit me vlerë 4 milionë lekë. Sipas shoqërisë së ndërtimit, çmimi i favorizues i blerjes është produkt i punës së Vangjel Prelës si inxhinier pranë saj.

Përveç pasurive të paluajtshme, KPK ka hetuar dhe një hua të me vlerë 25 mijë euro të bërë nga bashkëshorti i subjektit ndaj shtetasit me iniciale R.N në vitin 2011. ILDKPKI ka raportuar se subjekti nuk e ka deklaruar këtë hua.

Subjekti i rivlerësimit ka shpjeguar se bashkëshorti  i ka dhënë shtetasit R. N. gjithsej shumën prej 25,000 euro, në dy këste (10,000 euro dhe 15,000 euro), të marrë nga kushëriri i tij z. A. P. Vangjel Prela ka ndjekur gjithashtu kthimin e kësaj huaje, së bashku me interesat, nga shtetasi R. N. tek shtetasi A. P., deri në qershor të vitit 2014.

“Huadhënia nuk është deklaruar, pasi nuk ka qenë pjesë e të ardhurave të subjektit të rivlerësimit dhe bashkëshortit të saj,” shkruan KPK.

Gjithashtu në vitin 2010, subjekti nuk ka deklaruar një huamarrje nga shtetasi Gj.P në me vlerë 1 milion lekë. Huaja është marrë nga bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit, Vagjel Prela nga djali i xhaxhait të tij Gj. P., më datë 2.6.2010, me qëllim depozitimin në bankë për shkak të aplikimit për vizë amerikane. Sipas KPK-së, deklarimin i kësaj shume në deklaratën periodike nuk ka qenë detyrim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *