Komisioneri Publik Lajme

Vendimi për ndërprerjen e vetingut ndaj Adriatik Llalës ankimohet në Kolegjin e Apelimit

Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit, KPK, për ndërprerjen e vetingut ndaj ish kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Ish Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, duke folur për gazetarët pas një seminari për luftën ndaj narkotikëve, | Foto nga : LSA

Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për ish-kreun e Prokurorisë së Përgjithshme Adriatik Llalla, një vendim ky i marrë nga KPK më 16 shkurt.

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar të martën, Kolegji i Posaçëm i Apelimit bën të ditur se është ngritur trupa gjyqësore e cila do të marrë në shqyrtim vendimin për pushimin e hetimeve për ish kryeprokurorin.

Megjithëse nuk bëhen të ditur emrat e gjytrarëve apo edhe relatorit të çështjes, burimet zyrtare i thanë BIRN se seanca e parë e këtij procesi është çështje ditësh.

“Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është regjistruar çështja (Nr1/2018 JR, datë 27.03.2018 që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit Nr 2., datë 16.02 2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit z.Adriatik Llalla,” tha Kolegji i Posaçëm i Apelimit nëpërmjet një njoftimi.

“Sot, në datën 03.04. 2018 në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u hodh shorti për caktimin e trupit gjykues, kryesuesin e këtij trupi dhe relatorin e çështjes,” shtoi njoftimi.

Ish kryeprokurori Adiatik Llalla  i shpëtoi filtrave të vetingut pas dorëheqjes së dhënë nga sistemi i drejtësisë më 12 shkurt.

Të diktuar nga neni nenit G të Aneksit të Kushtetutës, sipas të cilit , “subjekti i rivlerësimit mund të japë dorëheqjen nga detyra dhe në këtë rast procesi i rivlerësimit ndërpritet”, Komisioni i  Pavarur Kualifikimit vendosi e ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për ish kryeprokurorin.

Megjithëse vendimi është marrë më 16 shkurt, Komisioneri Publik, si i vetmi institucion që mund të ankimojë vendimet  e  KPK-së nuk ka reaguar deri më datë më datë 27 mars, kohë kjo që përkon edhe me një proces disiplinor që ekzistonte në këtë institucioni.

Herald Saraçi, një nga dy komisionerët publik të zgjedhur nga parlamenti u shkarkua nga detyra pasi një trupë gjyqësore e gjeti fajtor për bllokimin e procesit të vetingut  dhe shkelje të tjera administrative.

Adriatik Llalla shërbeu si prokuror i përgjithshëm nga viti 2012 deri në dhjetor 2017, kur ai u zëvendësua nga Arta Marku. Gjatë periudhës që drejtoi organin e akuzës, Llala është akuzuar se nuk ka vepruar kundër korrupsionit dhe është përplasur publikisht me ambasadorin e SHBA-së në Tiranë për shkak të pozicioneve mbi reformën në drejtësi.

Mbyllja e procedurës së vetingut për ish kryeprokurorin erdhi një ditë pasi Sekretari i Shtetit në SHBA Rex Tillerson, publikoi vendimin që i ndalon ish-kryeprokurorit Llalla dhe familjes së tij hyrjen në Shtetet e Bashkuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *