Kolegji i Posaçëm i Apelimit Lajme

Vendimi për subjektin Artan Lazaj caktohet për të enjten

Kolegji i Posaçëm i Apelimit mbylli procesin gjyqësor në rastin e gjyqtarit Artan Lazaj, i cili ka apeluar vendimin e shkarkimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duke pretenduar shkelje procedurale, dashakeqësi dhe paragjykim nga ana e KPK-së.

Artan Lazaj në seancën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Foto: V.Karaj

Gjyqtari i shkarkuar nga KPK Artan Lazaj dhe avokati i tij Sokol Hazizaj kërkuan të hënën në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit rrëzimin e vendimit të shkarkimit nga KPK dhe konfirmimin e tij në detyrë duke pretenduar se KPK kishte pasur dashakeqësi, anësi dhe paragjykim, gjë që sipas Lazajt, i kishte cënuar të drejtat e parashikuara në nenin 6/1 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe e bënte vendimin e shkarkimit “absolutisht të pavlefshëm”.

Lazaj, i cili ka punuar si gjyqtar që nga viti 1994 dhe ka qenë anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mes viteve 2009 dhe 2012, u shkarkua nga detyra në korrik 2012 për ato që komisioni i konsideroi pasuri të pajustifikuara me burime të ligjshme dhe deklarim të rremë. Lazaj u shqyrtua si pjesë e listës prioritare për veting për shkak të kandidimit të tij për një post anëtari në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Lazaj e apeloi vendimin e shkarkimit në Kolegjin e Pavarur të Apelimit duke pretenduar shkelje të të drejtës së tij për gjykim të drejtë nga një gjykatë e paanshme, siç parashikohet në nenin 6/1 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Ai pati kërkuar fillimisht në seancën dëgjimore në KPK rrëzimin e vendimit të kësaj të fundit për të përmbyllur procesin e hetimit administrativ bazuar vetëm në kriterin e pasurisë. Pasi kërkesa e tij u rrefuzua nga trupa gjykuese, avokati i Lazajt kërkoi përjashtimin e trupës gjyqësore duke e konsideruar atë “të njëanshëm”. Pasi edhe ky vendim u rrëzua nga një trupë tjetër gjykuese, Lazaj e përdori këtë si çështje qendrore në pretendimin e tij për gjykim të padrejtë.

Në konkluzionet përfundimtare të prezantuara të hënën më 28 janar para KPA, Lazaj përdori disa herë termin “dashakeqësi” në përpjekje për të argumentuar kërkesën e tij për rrëzimin e vendimit të KPK ndërsa avokati i tij tha se sipas analizës së tij, vendimi final i komisionit nuk kishte bërë analizë të provave të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit dhe për rrjedhojë, kjo tregonte “anësinë” e trupës gjykuese.

Lazaj argumentoi më tutje se mosgjykimi i tij për të treja kriteret e rivlerësimit si dhe barra e provës që i ngarkohet subjekteve në këto raste përbëjnë shkelje të të drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Ai paraqiti atë që e quajti, një analizë ekonomike alternative për të justifikuar pasurinë e tij ndërsa u përpoq të hidhte poshtë kontrollin aritmetik logjik që përdor KPK për të vlerësuar nëse subjektet kanë pasuri të pambuluara me të ardhura të ligjshme apo jo.

Trupa gjykuese njoftoi se i jep fund procesit gjyqësor dhe tërhiqet për të marrë vendim. Vendimi pritet të shpallet më 31 janar 2019, ora 12.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *