Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Vetingu: Arta Marku konfirmohet në detyrë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë Prokuroren e Përgjithshmë të Përkohëshme Arta Marku, pas polemikave që shoqëruan mungesën e saj gjatë seancës dëgjimore të mbajtur të martën.

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku. Foto: Gent Shkullaku/LSA

Trupa gjyqësore e përfaqësuar nga kryetarja Genta Tafa Bungo, Suela Zhegu dhe Pamela Qirko konfirmoi në detyrë të mërkurën Prokuroren e Përkohshme të Përgjithshme Arta Marku.

Vendimi për Markun erdhi pas një seancë të tendosur dëgjimore të martën, ku përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Teo Jacobs, kritikoi mungesën e kreut të akuzës në seancë si dhe profesionalizmin e saj për sa i përket arsyetimit të masës së sigurisë në një çështje që kishte të bënte me shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor. Gjithashtu gjatë seancës relatorja e KPK-së Suela Zhegu ngriti pikëpyetje mbi vendimarrjet e Markut për sa i përket procedurave të ndjekura për riorganizmin e prokurorisë, pas zgjedhjes në krye të organit të akuzës në dhjetor.

Marku nuk ishte prezent edhe gjatë shpalljes së vendimit të mërkurën, por pas seancës avokatja e saj Lirime Cukaj i ktheu përgjigje vërejtjeve të KPK-së dhe përfaqësuesit ndërkombëtar të bëra gjatë seancës dëgjimore.

“Ligji parashikon përfaqësimin dhe kjo është e drejtë e subjektit,” tha Cukaj. “Duhe t’i bëni me dije ekspertit ndërkombëtar se politika penale ka ndryshuar, subjekti ishte përsëritës dhe masa e sigurisë ishte e drejtë në funksion të parandalimit të krimit,” shtoi Cukaj, në përgjigje të shqetësimeve të ngritura nga Jacobs për vendimmarrjen e Markut.

Ndërsa për sa i përket riorganizimit të prokurorisë, Cukaj nënvizoi se “parimet kushtetuese garantojnë vazhdimsinë e institutcioneve në kushtet e vakumit dhe në këtë frymë është bërë riorganizmi.”

Arta Marku u zgjodh prokurore e Përgjithshme e Përkohshme në një seancë të tensionuar parlamentare në dhjetor 2017, kur deputetët e opozitës hodhën tymuese në shenjë proteste ndaj mënyrës së zgjedhjes së saj. 42-vjeçarja që punonte deri në atë kohë si zv.drejtuese e Prokurorisë së Shkodrës u ngjit në postin më të lartë të akuzës vetëm me votat e mazhorancës, pas 17 vitesh karrierë në sistemin e drejtësisë.

Ajo ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002, kohë kur ka punuar për 1 vit si prokurore në Prokurorinë e Fierit. Më pas ajo është transferuar në Shkodër, ku ka ushtruar detyrat si prokurore, drejtuese e Task-Forcës për hetimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit si dhe zv. Drejtuese e Prokurorisë.

Në vitet 2010-2012 ajo ka qenë gjithashtu lektore pranë universitetit “Gjon Buzuku” në Shkodër për lëndët “Historia e Institucioneve”, “Penale e Përgjithshme” dhe Procedurën Penale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *