KPK duke shpallur një vendim | Foto : LSA
KPK Lajme Vendi

Vetingu për ish-gjyqtarin Qani Hasa përfundon pa vendim

Procesi i rivlerësimit kalimtar për ish-gjyqtarin e Elbasanit, Qani Hasa është përfunduar pa një vendim përfundimtar, pasi ai ishte shkarkuar më parë nga ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë si pasojë e dënimit të tij me formë të prerë për fshehje pasurie. 

KPK duke shpallur një vendim | Foto : LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK ka vendosur më 28 tetor të përdundojë procesin e rivlerësimit për ish-gjyqtarin e Elbasanit Qani Hasa, pasi ka qenë i shkarkuar më parë nga detyra prej ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD për shkak të një dënimi penal të formës së prerë të dhënë ndaj këtij subjekti rivlerësimi.

Në vendim sqarohet se bazuar në shortin e dhjetorit 2020 ka filluar menjëherë procesi i rivlerësimit kalimtar për ish-gjyqtarin Hasa.

Kur Komisioni i ka kërkuar të dhëna Këshillit të Lartë Gjyqëspor, KLGj, ky i fundit ka dërguar kopjen e vendimit të ish-KLD të nëntorit 2017 mbi shkarkimin nga detyra të HAsës, për shkak se është dënuar me vendim të formës së prerë. Hasa është konsideruar fajtor dhe dënuar për kryerjen e veprës penale “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”, parashikuar nga neni 257/a, paragrafi 2, i Kodit Penal. Pasi ka Hasa nuk e ka ankimuar vendimin e ish-KLD-së është vendosur edhe shkarkimi i tij nga detyra.

I pyetur nga KPK, Hasa ka deklaruar se kohën që kërkohej plotësimi i dokumentacionit për procesin e rivlerësimit, i ka plotësuar pasi në atë periudhë ishte i pezulluar dhe jo i shkarkuar nga detyra, duke vijuar gëzimin e statusit e gjyqtarit. “Aktualisht me shkarkimin tim unë e kam humbur këtë status …”, është shprehur ai për Komisionin.

Duke iu referuar Kodit të Procedurave Administrative, trupi gjykues i KPK i kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Alma Faskaj ka vendosur të deklarojë të përfunduar procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Qani Hasa pa një vendim përfundimtar, me argumentimin se ai e ka humbur statusin e magjistratit.

Dy vendime të ngjashme të KPK, lidhur me përfundimin e vetingut pa vendim përfundimtar për ish-gjyqtarët Shkëlqim Miri dhe Ibrahim Hoxha për shak të shkarkimit të tyre nga detyra prej KLGJ-së si pasojë e dënimeve penale të formës së prerë, u vlerësuan në mënyrë të ndryshme nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA.

Komisioneri Darjel Sina i ankimoi vendimet e KPK për Mirin dhe Hoxhën duke pretenduar se këto raste nuk janë të parashikuara në ligj dhe se duhet të cilësohen si procese të papërfunduara. Sina argumentoi në parashtrimet e tij se në rast se Gjykata e Lartë mund të rrëzonte dënimet e Mirit dhe Hoxhës, ata mund të rifitonin statusin e magjistratit që kishin humbur për shkak të dënimit penal.

Në rastin e Shkëlqim Mirit, me shumicë votash u vendos prishja e vendimit të KPK-së duke i dhënë të drejtë Komisionerit Sina, ndërsa në rastin e ish-gjyqtarit Ibrahim Hoxha Kolegji i dha të drejtë Komisionit për apilikimin e Kodit të Procedurës Administrative, në mungesë të rregullimit të posaçëm për zgjidhjen e një situate të tillë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *