Ish-kryetari i Gjykatës së Kukësit, Isuf Shehu pas seancës dëgjimore të KPK-së. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza Artikull kryesor Analiza KPK Në Fokus

Vila tre kate në Kukës solli shkarkimin e Isuf Shehut në KPK

Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, Isuf Shehu nuk arriti të bindë trupën gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK të përbërë nga Suela Zhegu kryesuese, Brunilda Bekteshi relatore dhe Xhensila Pine anëtare, se kishte mundur ta ndërtonte me burime të ligjshme financiare banesën e tij tre katëshe + bodrum në qytetin e Kukësit. Komisioni gjeti pamundësi financiare të gjyqtarit Shehu edhe për blerjen e dy autoveturave.

Kryetari i Gjykatës së Kukësit, Isuf Shehu pas seancës dëgjimore të KPK-së. Foto: Edmond Hoxhaj.

Pas përfundimit të hetimit administrativ vetëm për kriterin e pasurisë dhe konkluzioneve për mungesë të burimeve të ligjshme dhe deklarime të pasakta e të rreme, Komisioni vendosi më 14 nëntor 2019 shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Isuf Shehu. Ai e kishte filluar karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1994 dhe gjatë dy dekadave të fundit punoi në Gjykatën e Kukësit, ku prej vitit 2914 ishte emëruar si kryetar.

Sipas Komisionit, Shehu ka deklaruar në vitin 2003 se Këshilli i Rregullimit të Territorit Kukës i ka dhënë një shesh ndërtimi prej 200 m2 në vitin 2000 për mundësimin e ngritjes së një banese meqënëse figuronte i pastrehë dhe se objekti ishte në ndërtim e sipër, i papërfunduar.

Në vendim, i cili u publikua së fundmi, thuhet se Shehu nuk mundi të provojë në asnjë rast se kishte qenë i pastrehë apo se kishte aplikuar në këtë cilësi. “Nga dokumentacioni fillestar i administruar mbi aplikimet dhe miratimet për sheshin e ndërtimit apo edhe për lejen e ndërtimit në asnjë akt nuk rezultoi që gjyqtari Shehu të identifikohej dhe trajtohej me statusin e të pastrehut”, thuhet në vendim.

Komisioni konkludon se gjyqtari Shehu ka kryer deklarim të pasaktë edhe lidhur me kohën e ndërtimit të vilës tre-katëshe, pasi nuk ka pasqyruar ndërtimin e kësaj pasurie vit pas viti dhe se janë vërejtur një sërë mospërputhjesh.

Ndryshe nga pretendimet e gjyqtarit Shehu se banesa është ndërtuar nga viti 2000 deri në 2010 dhe se prej vitit 1996 kishte nisur vetëm sistemimin dhe rregullimet e rrethimit të pasurisë, Komisioni konkludon se kjo pasuri është ndërtuar nga viti 2000 deri në 2005.

“…Fakti që furnizimi me energji elektrike për këtë pasuri kishte filluar në vitet 2004 – 2005, sipas deklarimit të subjektit në seancë dëgjimore, vlerësohet si një tjetër provë përforcuese që tregon ndërtimin dhe funksionimin e kësaj pasurie prej vitit 2005. Po ashtu, në tërësinë e provueshmërisë së fakteve se ndërtimi është kryer gjatë viteve 2000 – 2005, përfshihet edhe fakti që subjekti nuk ka vijuar të deklarojë në deklaratën periodike për vitin 2006 lidhur me fazën e ndërtimit të objektit, konstatim ky që bën të besueshëm përfundimin dhe ndërtimin e objektit në vitin 2005”, thuhet në vendim.

Trupi gjykues identifikon më tej shënime në planimetrinë e katit bodrum të ndërtesës, ku citohej se kati bodrum + përdhe është ndërtuar në vitin 1996, ndërsa kati i parë + nënçati është ndërtuar në vitin 2000.

 

Bazuar në këtë indicie Komisioni ka analizuar formularin e vetëdeklarimit të Shehut në dosjen e aplikimit për legalizimin e ndërtimeve informale. Nga verifikimi i këtij formulari është konstatuar se ai kishte deklaruar ndërtimin e këtij objekti në lartësinë tri kate, me sip. 500 m2, në vitin 2005.

KPK evidenton se në kontratën e kalimit të pronësisë së parcelës ndërtimore të realizuar midis Shehut dhe ALUIZN-it, vlera e shpenzuar për banesën është e përafërt me atë të konkluduar nga analiza financiare.

“Gjithashtu, po nga kjo praktikë rezulton se kontrata e kalimit të pronësisë së parcelës ndërtimore me nr. ***, është realizuar midis Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Kukës dhe subjektit të rivlerësimit në datën 21.11.2011, bazuar në VKM-në nr. 359, datë 4.5.2011, dhe se vlera e investimit është 10.528.056 lekë, e përafërt me vlerën e konstatuar nga përllogaritjet e Komisionit bazuar në ligj dhe në prova për kohën në të cilën pretendohet dhe vetëdeklarohet ndërtimi i kësaj pasurie, dhe ndryshe nga ajo e deklaruar nga subjekti në vitin 2003, 2012 dhe në deklaratën për ‘Vetting’, në vlerën 2.200.000 lekë”, konkludon Komisioni.

Mungesë burimesh financiare

Gjyqtari Shehu ka deklaruar si vlerë të ndërtimit të shtëpisë së tij shumën 2.2 milionë lekë, që pasqyrohet edhe në preventivin shoqërues të lejes së ndërtimit të objektit të vitit 2000. Si vlerë të kësaj pasurie ka deklaruar shumën 2 milionë lekë dhe si burim krijimi pagën e tij e të bashkëshortes.

KPK konstaton se, gjyqtari Shehu në mënyrë konsistente nuk ka saktësuar në asnjë rast vlerën e shpenzuar për ndërtimin e objektit kur pranon se ndërtimi ka zgjatur thuajse për rreth 10 vjet.

Ndërkohë, gjatë hetimit administrativ rezulton se ai ka ndryshuar qëndrim lidhur me shpenzimin e kryer për këtë pasuri. Pas kryerjes së aktit të ekspertimit nga eksperti vlerësues i zgjedhur prej tij, ka deklaruar vlerën 3.763.097 lekë, e cila nuk përkon me shumën 2.2 milionë lekë të pasqyruar në preventivin shoqërues të lejes së ndërtimit edhe në deklaratën veting.

Trupi gjykues e konsideron të pabesueshëm relacionin e hartuar nga eksperti, duke vlerësuar se përllogaritjet i janë referuar çmimeve të preventivit fillestar, të përcaktuara nga inxhinieri në momentin e dhënies së lejes së ndërtimit në vitin 2000, në një kohë që Shehu pretendon se ndërtimi është kryer deri në 2010.

“Subjekti i rivlerësimit në asnjë rast nuk depozitoi dokumentacion provues, si situacione, fatura të blerjes së materialeve ndërtimore, etj, për të bërë bindës aktin e ekspertimit, madje edhe eksperti në relacionin e tij ka qartësuar se e ka ndarë investimin e bërë sipas kërkesës dhe shpjegimit të subjektit se ndërtimi është kryer në dy faza, më konkretisht faza e parë ka përfshirë ndërtimin e bodrumit dhe katit përdhe, ndërsa faza e dytë ka përfshirë ndërtimin e katit të parë dhe të dytë. Njëkohësisht eksperti është shprehur se ka bërë përllogaritjen e shpenzimeve/çmimeve të punimeve sipas atyre të përcaktuara në preventivin e lejes së ndërtimit”, thuhet në vendim.

Po ashtu, trupi gjykues ka konstatuar se eksperti megjithëse ka pasur në dispozicion legjislacionin e kohës në të cilin është kryer ndërtimi, nuk ka kryer përllogaritjet bazuar në referencat përkatëse ligjore të tyre, por është bazuar në preventivin, si dhe në të dhënat e subjektit për kohën e ndërtimit.

Në këto kushte trupi gjykues ka gjetur të drejtë analizën financiare bazuar në kostot e Entit Kombëtar të Banesave për ndërtimin e vilës tre katëshe në Kukës, nga ku ka rezultuar se Shehu gjendej në pamundësi financiare në vlerën 5.220.152 lekë, për të mundësuar ndërtimin e kësaj pasurie.

Sipas Komisionit, vlera totale e konkluduar nga analiza financiare është 9.693.985,75 lekë. “Ky vlerësim i Komisionit është bazuar në legjislacionin që i referohet kohës në të cilën është bërë ndërtimi 2000 – 2005, duke realizuar përllogaritje të sakta dhe të plota për secilin vit ndërtimi”, citohet në vendim.

Pretendimet e gjyqtarit Shehu se ka pasur të ardhura të mjaftueshme për ndërtimin e kësaj pasurie janë rrëzuar nga KPK duke konsideruar edhe shpjegimet kontradiktore të Shehut. “…Vetë subjekti ka deklaruar që e ka ndërtuar shtëpinë në mënyrë graduale, jo me firmën e ndërtimit ‘Gj.’ sh.p.k., me të cilën edhe kishte nënshkruar marrëveshjen përkatëse, por me një punonjës privat (ambulator) të financuar nga ai vetë”, thuhet në vendim.

Komisioni nuk e ka marrë në konsideratë as pretendimin e subjektit për zbritjen e TVSH-së 20% dhe fondit rezervë 5% nga vlera totale e kostove të ndërtimit. Sipas KPK-së, Shehu është konsumatori final dhe se nuk e gëzon të drejtën e zbritjes së TVSH-së. Megjithatë, KPK konkludon se, edhe nëse do të zbritej nga vlera totale e kostove të ndërtimit pjesa që i përket TVSH-së në masën 20% dhe fondi rezervë 5%, që përbëjnë 25% të kostos totale të ndërtimit, gjyqtari Shehu do të gjendej përsëri me një bilanc negativ për vitet 1996-2005, me një mungesë të burimeve financiare në vlerën prej 3.9 milionë lekësh.

Në përfundim, KPK konstaton se ai ka kryer deklarim të rremë lidhur me vlerën reale të shpenzuar për ndërtimin e kësaj pasurie dhe se ka mungesë burimesh financiare në vlerën 5.220.152 lekë për ndërtimin dhe shpenzime të tjera familjare për periudhën 1996-2005.

Komisioni identifikon pamundësi financiare edhe për blerjen e dy automjeteve. Për blerjen e një autoveture tip Benz në vitin 2011, në vlerën 500 mijë lekë + 260.102 lekë për doganën, KPK konkludon se Shehu ka mungesë burimesh financiare në shumën 938 mijë lekë. Gjithashtu, është gjetur mungesë e burimeve të ligjshme në shumën 449.482 lekë edhe për blerjen e autoveture tip Audi në vitin 2003.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *