{"id":70282,"date":"2023-02-07T18:47:53","date_gmt":"2023-02-07T17:47:53","guid":{"rendered":"https:\/\/reporter.al\/vetingu\/kpa-degjon-parashtrimet-ne-ceshtjen-e-kastriot-gramshit\/2023\/02\/07\/"},"modified":"2023-04-06T14:23:26","modified_gmt":"2023-04-06T12:23:26","slug":"kpa-degjon-parashtrimet-ne-ceshtjen-e-kastriot-gramshit","status":"publish","type":"post","link":"https:\/\/reporter.al\/vetingu\/kpa-degjon-parashtrimet-ne-ceshtjen-e-kastriot-gramshit\/2023\/02\/07\/","title":{"rendered":"KPA d\u00ebgjon parashtrimet n\u00eb \u00e7\u00ebshtjen e Kastriot Gramshit"},"content":{"rendered":"<p>Kolegji i Posa\u00e7\u00ebm i Apelimit, KPA, u njoh t\u00eb mart\u00ebn m\u00eb 7 shkurt 2023 me parashtrimet n\u00eb \u00e7\u00ebshtjen lidhur me ankimin ndaj konfirmimit n\u00eb detyr\u00eb t\u00eb gjyqtarit t\u00eb Tiran\u00ebs, Kastriot Gramshi. Gramshi u konfirmua n\u00eb detyr\u00eb m\u00eb 25 mars 2022, por Operacioni Nd\u00ebrkomb\u00ebtar i Monitorimit, ONM e vler\u00ebsoi vendimin e Komisionit t\u00eb Pavarur t\u00eb Kualifikimit t\u00eb mang\u00ebt dhe n\u00eb zbatim t\u00eb gabuar t\u00eb ligjit. Bazuar n\u00eb rekomanimin e ONM-s\u00eb, Komisioneri Publik, Florian Ballhysa kreu ankim duke k\u00ebrkuar shkarkimin e Gramshit. T\u00eb nj\u00ebjtin q\u00ebndrim, Ballhysa mbajti edhe gjat\u00eb parashtrimeve kur pretendoi se gjyqtari Gramshi nuk arrin nivel t\u00eb besuesh\u00ebm n\u00eb kriterin e pasuris\u00eb.<\/p>\n<p>Gjyqtari Kastriot Gramshi u paraqit n\u00eb seanc\u00eb me p\u00ebrfaq\u00ebsuesit e tij ligjor, avokatin Julian M\u00ebrtiri dhe avokaten amerikane, Kathleen Ann Imholz. Pasi Kolegji u t\u00ebrhoq p\u00ebr t\u00eb shqyrtuar k\u00ebrkes\u00ebn e Gramshit p\u00ebr p\u00ebrfaq\u00ebsimin edhe nga avokatja Imholz, konstatoi se ajo kishte paraqitur dokumentacion q\u00eb v\u00ebrtetonte se kishte licens\u00eb aktive p\u00ebr ushtrimin e profesionit t\u00eb avokatit n\u00eb Nju Jork, si dhe se ishte e pajisur me leje q\u00ebndrimi n\u00eb Shqip\u00ebri. Por bazuar n\u00eb dokumentet e paraqitura, u vler\u00ebsua se ajo nuk plot\u00ebsonte kushtet p\u00ebr t\u00eb ushtruar profesionin e avokatit n\u00eb Shqip\u00ebri dhe p\u00ebr rrjedhoj\u00eb u rr\u00ebzua kjo k\u00ebrkes\u00eb.<\/p>\n<p>I pyetur nga BIRN pas p\u00ebrfundimit t\u00eb seanc\u00ebs lidhur me t\u00eb ardhurat me t\u00eb cilat ishin mbuluar shpenzimet p\u00ebr avokaten me shtet\u00ebsi amerikane, gjyqtari Gramshi shpjegoi se nuk kishte asnj\u00eb lloj shpenzimi, pasi Imholz ishte ofruar ta mbronte pa kund\u00ebrshp\u00ebrblim p\u00ebr shkak t\u00eb miq\u00ebsis\u00eb mes tyre. Sipas Gramshit, nuk kishte as shpenzime p\u00ebr udh\u00ebtimin apo p\u00ebr akomodimin n\u00eb Shqip\u00ebri, pasi Imholz jeton n\u00eb Shqip\u00ebri prej vitesh.<\/p>\n<p>Gramshi i kund\u00ebrshtoi si t\u00eb pabazuara shkaqet e ngritura nga Komisioneri dhe parashtroi n\u00eb fillim t\u00eb seanc\u00ebs nj\u00eb k\u00ebrkes\u00eb p\u00ebr t\u2019u vler\u00ebsuar se cili ishte legjislacioni i zbatuesh\u00ebm n\u00eb rastin e tij p\u00ebr verifikimin e pasurive. Ai v\u00ebrejti se t\u00eb ardhurat dhe pasuria p\u00ebr t\u00eb cil\u00ebn ngrihen pretendime n\u00eb ankim jan\u00eb krijuar n\u00eb SHBA gjat\u00eb periudh\u00ebs 2003-2014, n\u00eb koh\u00ebn kur ai nuk ushtronte detyr\u00ebn e gjyqtarit.<\/p>\n<p>Nisur nga fakti se k\u00ebto pasuri jan\u00eb krijuar n\u00eb nj\u00eb shtet tjet\u00ebr, ai i k\u00ebrkoi Kolegjit q\u00eb t\u00eb \u00e7monte n\u00ebse ligji i zbatuesh\u00ebm p\u00ebr kryerjen e rivler\u00ebsimit t\u00eb tyre ishte ligji i vitit 2011 \u201cP\u00ebr t\u00eb drejt\u00ebn nd\u00ebrkomb\u00ebtare private\u201d.<\/p>\n<p>I pyetur nga KPA p\u00ebr q\u00ebndrimin e tij lidhur me k\u00ebt\u00eb k\u00ebrkes\u00eb, Komisioneri Publik theksoi se legjislacioni i zbatuesh\u00ebm \u00ebsht\u00eb ai i vetingut t\u00eb magjistrat\u00ebve. T\u00eb nj\u00ebjtin q\u00ebndrim mbajti dhe Kolegji.<\/p>\n<p>N\u00eb fund t\u00eb seanc\u00ebs, gjyqtari Gramshi v\u00ebrejti se n\u00ebse do t\u00eb ishte p\u00ebrcaktuar si i zbatuesh\u00ebm ligji i sugjeruar prej tij, nuk do t\u00eb gjendeshin n\u00eb k\u00ebt\u00eb situat\u00eb. Subjekti ritheksoi se b\u00ebhej fjal\u00eb p\u00ebr pasuri t\u00eb krijuara n\u00eb periudh\u00ebn kur nuk ushtronte detyr\u00ebn e gjyqtarit dhe n\u00eb nj\u00eb shtet tjet\u00ebr. Sipas tij, kjo situat\u00eb ishte nj\u00eb mosnjohje e legjislacionit nga ana e zbatuesve t\u00eb ligjit.<\/p>\n<p>Kastriot Gramshi e ka filluar karrier\u00ebn si gjyqtar n\u00eb vitin 1999 n\u00eb Shkod\u00ebr dhe n\u00eb vitin 2004 \u00ebsht\u00eb larguar nga detyra me k\u00ebrkes\u00ebn e tij. P\u00ebrpara se t\u00eb kthehej n\u00eb Shqip\u00ebri dhe t\u00eb riniste karrier\u00ebn si gjyqtar n\u00eb vitin 2014, ai ka punuar si pedagog i s\u00eb drejt\u00ebs penale n\u00eb SHBA. Gramshi punon prej tet\u00eb vitesh pran\u00eb Gjykat\u00ebs s\u00eb Rrethit Tiran\u00eb.<\/p>\n<p><strong>Parashtrimet <\/strong><\/p>\n<p>N\u00eb deklarat\u00ebn p\u00ebrpara fillimit t\u00eb detyr\u00ebs n\u00eb vitin 2014, Gramshi ka deklaruar blerjen e nj\u00eb apartamenti n\u00eb Nju Jork t\u00eb SHBA-s\u00eb, p\u00ebr vler\u00ebn 290 mij\u00eb USD, pasuri p\u00ebr t\u00eb cil\u00ebn ka shpjeguar fillimisht se ka parapaguar shum\u00ebn 29 mij\u00eb USD dhe se ka marr\u00eb kredi vler\u00ebn 261 mij\u00eb USD. N\u00eb deklarat\u00ebn \u201cveting\u201d ai e ka deklaruar kredin\u00eb si burim, por pa e p\u00ebrcaktuar vler\u00ebn.<\/p>\n<p>Gjat\u00eb dy pyet\u00ebsor\u00ebve ka deklaruar se ka marr\u00eb kredi n\u00eb shum\u00ebn 261 mij\u00eb USD, nd\u00ebrsa n\u00eb pyet\u00ebsorin e tret\u00eb ka deklaruar se k\u00ebsti i par\u00eb n\u00eb shum\u00ebn 29 mij\u00eb USD \u00ebsht\u00eb paguar prej tij dhe t\u00eb v\u00ebllait, nd\u00ebrsa kredia bankare ka qen\u00eb n\u00eb shum\u00ebn 217 mij\u00eb USD. P\u00ebr t\u00eb finalizuar kontrat\u00ebn e shitjes \u00ebsht\u00eb nevojitur q\u00eb diferenca e mbetur t\u00eb mbulohej s\u00ebrish nga bler\u00ebsit dhe p\u00ebr rrjedhoj\u00eb \u00ebsht\u00eb paguar k\u00ebsti i dyt\u00eb n\u00eb vler\u00ebn 46, 680 USD.<\/p>\n<p>Ballhysa v\u00ebren se rrethanat e pasqyruara n\u00eb deklarat\u00ebn para fillimit t\u00eb detyr\u00ebs, ato n\u00eb deklarat\u00ebn \u201cveting\u201d dhe p\u00ebrgjigjet gjat\u00eb hetimit administrativ n\u00eb Komision deri n\u00eb pyet\u00ebsorin e tret\u00eb, jan\u00eb jo t\u00eb plota mbi burimin e krijimit t\u00eb pasuris\u00eb.<\/p>\n<p>Edhe gjat\u00eb parashtrimeve, Ballhysa theksoi se subjekti ka kryer deklarime t\u00eb pasakta e t\u00eb paplota p\u00ebr shum\u00ebn e kredis\u00eb, si dhe deklarim t\u00eb pasakt\u00eb dhe t\u00eb pamjaftuesh\u00ebm p\u00ebr pages\u00ebn e k\u00ebstit t\u00eb dyt\u00eb.<\/p>\n<p>Komisioneri vler\u00ebson se Gramshi nuk ka arritur t\u00eb jet\u00eb bind\u00ebs lidhur me pamund\u00ebsin\u00eb objektive t\u00eb pretenduar p\u00ebr mosparaqitjen e dokumenteve p\u00ebr periudh\u00ebn 2003-2004, me argumentin se ka kaluar afati 10-vje\u00e7ar p\u00ebr ruajtjen e dokumentacionit nga institucionet n\u00eb SHBA. Sipas Ballhys\u00ebs, subjekti mund t\u2019i kishte siguruar k\u00ebto dokumente n\u00eb vitin 2014, kur ka kryer deklarimin fillestar, p\u00ebrpara fillimit t\u00eb detyr\u00ebs.<\/p>\n<p>Komisioneri vler\u00ebson se subjekti nuk ka qen\u00eb i ligjsh\u00ebm p\u00ebr pun\u00eb deri n\u00eb muajin korrik 2004 dhe p\u00ebr rrjedhoj\u00eb, nuk mund t\u00eb ket\u00eb pasur t\u00eb ardhura t\u00eb ligjshme deri n\u00eb vitin 2005.<\/p>\n<p>Nisur nga deklarimi i subjektit se pasurit\u00eb e krijuara n\u00eb SHBA kishin si burim t\u00eb ardhurat p\u00ebrpara fillimit t\u00eb detyr\u00ebs, Ballhysa k\u00ebrkoi q\u00eb analiza financiare t\u00eb kryhet p\u00ebr vitet 2003-2014. Bazuar n\u00eb k\u00ebt\u00eb analiz\u00eb, komisioneri vler\u00ebson se Gramshi gjendet n\u00eb pamund\u00ebsi financiare p\u00ebr pages\u00ebn e dy k\u00ebsteve t\u00eb para t\u00eb apartamentit si dhe p\u00ebr krijimin e dy depozitave n\u00eb at\u00eb periudh\u00eb.<\/p>\n<p>N\u00eb vijim, Komisioneri vler\u00ebson se pamjaftueshm\u00ebria e konstatuar n\u00eb vitet kur subjekti nuk ushtronte detyr\u00ebn, do t\u00eb ndikonte dhe rezultatin financiare t\u00eb akumuluar t\u00eb vitit 2015 kur \u00ebsht\u00eb shlyer pjes\u00ebrisht nj\u00eb kredi p\u00ebr shkollimin e bashk\u00ebshortes, duke e kthyer bilancin negativ.<\/p>\n<p>N\u00eb p\u00ebrfundim, Ballhysa \u00e7moi se subjekti nuk arrin nivel t\u00eb besuesh\u00ebm p\u00ebr konfirmimin n\u00eb detyr\u00eb dhe k\u00ebrkoi shkarkimin e tij.<\/p>\n<p>Avokati Julian M\u00ebrtiri theksoi n\u00eb fillim t\u00eb parashtrimeve se k\u00ebto pasuri jan\u00eb krijuar kur subjekti nuk ushtronte detyr\u00ebn e gjyqtarit. Ai k\u00ebmb\u00ebnguli se apartamenti dhe depozitat jan\u00eb krijuar me burime t\u00eb ligjshme, duke argumentuar se t\u00eb ardhurat e kishin kaluar testin e ligjshm\u00ebris\u00eb dhe t\u00eb pastrimit t\u00eb parave nga verifikimet e kryera nga ana e institucioneve amerikane.<\/p>\n<p>\u201cAutoritetet ligjzbatuese n\u00eb SHBA nuk kan\u00eb ngritur dyshime p\u00ebr pasurit\u00eb dhe t\u00eb ardhurat e subjektit t\u00eb krijuara atje,\u201d v\u00ebrejti M\u00ebrtiri dhe k\u00ebrkoi q\u00eb pasurit\u00eb e krijuara n\u00eb SHBA t\u00eb cil\u00ebsohen si gj\u00eb e gjykuar.<\/p>\n<p>Sipas tij, ONM megjith\u00ebse konstaton munges\u00eb burimesh, nuk ka k\u00ebrkuar informacion prej institucioneve amerikane q\u00eb t\u00eb t\u00eb kryente verifikim p\u00ebr ato q\u00eb pretendon. Sipas tij, p\u00ebr gjendjen faktike duhet aplikuar ligji \u201cP\u00ebr t\u00eb drejt\u00ebn nd\u00ebrkomb\u00ebtare private\u201d, nd\u00ebrsa p\u00ebr aspektin procedural ai i vetingut. \u201c\u00cbsht\u00eb e paqart\u00eb p\u00ebrse ONM aplikon n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb t\u00eb gabuar ligjin dhe del n\u00eb rezultate t\u00eb gabuara,\u201d pohoi M\u00ebrtiri.<\/p>\n<p>Avokati M\u00ebrtiri pretendoi se kishte gabime n\u00eb p\u00ebrllogaritjen e shpenzimeve deri n\u00eb vitin 2015 dhe se duheshin zbritur me 35%. Sipas tij, korrektimi i analiz\u00ebs p\u00ebr vitet 2012-2015 do t\u00eb sillte bilanc pozitiv.<\/p>\n<p>M\u00ebrtiri e cil\u00ebsoi ankimin si t\u00eb bazuar n\u00eb hipoteza. Lidhur me pasakt\u00ebsin\u00eb e deklarimit t\u00eb vler\u00ebs s\u00eb kredis\u00eb, ai shpjegoi se subjekti i \u00ebsht\u00eb referuar p\u00ebrcaktimeve n\u00eb kontrat\u00ebn e shitjes, ku k\u00ebsti i par\u00eb p\u00ebrcaktohej t\u00eb ishte 29 mij\u00eb USD dhe i dyti n\u00eb vler\u00ebn 261 mij\u00eb USD do t\u00eb shlyhej me an\u00eb t\u00eb kredis\u00eb.<\/p>\n<p>Ai shpjegoi se kredia \u00ebsht\u00eb marr\u00eb n\u00eb periudh\u00ebn e recesionit ekonomik n\u00eb vitin 2012, e p\u00ebr rrjedhoj\u00eb banka ka dh\u00ebn\u00eb vet\u00ebm 217 mij\u00eb USD. N\u00eb k\u00ebto kushte ka lindur nevoja e pages\u00ebs tjet\u00ebr q\u00eb \u00ebsht\u00eb konsideruar si k\u00ebst i dyt\u00eb.<\/p>\n<p>Sipas subjektit, kjo ka qen\u00eb m\u00ebnyra e kuptimit t\u00eb deklarimit, pasi po t\u00eb verifikoheshin deklaratat, ato kishin qen\u00eb t\u00eb nj\u00ebjta. Avokati M\u00ebrtiri shtoi se \u00e7do gj\u00eb verifikohej leht\u00eb edhe n\u00eb dokumentet q\u00eb gjyqtari Gramshi kishte dor\u00ebzuar n\u00eb ILDKPKI lidhur me blerjen e apartamentit, si dhe \u00e7do gj\u00eb ishte kryer n\u00ebp\u00ebrmjet pagesave bankare.<\/p>\n<p>\u201cKonstatimi p\u00ebr pasakt\u00ebsit\u00eb n\u00eb deklarime nuk ka sjell\u00eb pasoja dhe nuk pengon hetimin e thelluar. Pasakt\u00ebsist\u00eb nuk shoq\u00ebrohen me pamjaftueshm\u00ebri financiare,\u201d argumentoi M\u00ebrtiri dhe theksoi se subjekti justifikon me burime t\u00eb ligjshme edhe krijimin e likujditeteve.<\/p>\n<p>P\u00ebr konstatimin e komisionerit se subjekti nuk mund t\u00eb krijonte t\u00eb ardhura t\u00eb ligjshme n\u00eb vitet 2003-2004 pasi ishte pa leje pune, M\u00ebrtiri v\u00ebrejti se ishte e provuar se n\u00eb gusht t\u00eb 2004-\u00ebs, Gramshi ishte pajisur me leje pune. Sipas tij, Gramshi ka qen\u00eb i licensuar si shit\u00ebs imobilar n\u00eb vitin 2004 dhe q\u00eb t\u00eb sigurohej kjo mund\u00ebsi duheshin disa muaj praktik\u00eb, q\u00eb v\u00ebrtetonte se ai kishte punuar.<\/p>\n<p>N\u00eb vijim, M\u00ebrtiri solli argument t\u00eb ngjash\u00ebm edhe lidhur me pun\u00ebsimin e babait t\u00eb subjektit. Ai argumentoi se babai i Gramshit kishte dal\u00eb n\u00eb pension t\u00eb parakohsh\u00ebm n\u00eb vitin 2014 dhe sipas legjislacionit amerikan duheshin t\u00eb pakt\u00ebn 10 vite pune p\u00ebr t\u00eb p\u00ebrfituar nj\u00eb gj\u00eb t\u00eb till\u00eb. Sipas M\u00ebrtirit, ky fakt v\u00ebrtetonte se edhe babai i subjektit kishte punuar e krijuar t\u00eb ardhura q\u00eb prej vitit 2004.<\/p>\n<p>Lidhur me pretendimin p\u00ebr pamund\u00ebsin\u00eb objektive p\u00ebr t\u00eb siguruar dokumentacion p\u00ebr vitin 2004, M\u00ebrtiri u shpreh se n\u00eb vitin 2014, kur subjekti ka kryer deklarimin e par\u00eb e ka hartuar sipas k\u00ebrkesave t\u00eb ILDKPKI-s\u00eb. Sipas tij, detyrimi p\u00ebr t\u00eb siguruar dokumente shtes\u00eb ka lindur n\u00eb momentin e plot\u00ebsimit t\u00eb deklarat\u00ebs \u201cveting\u201d n\u00eb vitin 2017 dhe n\u00eb k\u00ebt\u00eb moment kishin kaluar 13 vjet prej 2004-\u00ebs e p\u00ebr rrjedhoj\u00eb nuk ishin m\u00eb t\u00eb disponueshme dokumentet q\u00eb ruheshin nga institucionet amerikane p\u00ebr 10 vjet. \u201cSubjekti gjendet n\u00eb kushtet e pamund\u00ebsis\u00eb objektive,\u201d pohoi M\u00ebrtiri.<\/p>\n<p>Ai kund\u00ebrshtoi k\u00ebrkes\u00ebn p\u00ebr shtrirjen e analiz\u00ebs financiare n\u00eb vitet 2003-2004. M\u00ebrtiri pohoi se edhe n\u00ebse do t\u00eb konstatohej bilanc negativ n\u00eb ato vite, m\u00eb e shumta do t\u00eb prekeshin shpenzimet e atyre viteve dhe jo burimet financiare q\u00eb kan\u00eb sh\u00ebrbyer p\u00ebr apartamentin dhe depozitat.<\/p>\n<p>M\u00ebrtiri k\u00ebrkoi reduktimin e shpenzimeve. Sipas tij, shtimi i nj\u00eb an\u00ebtari n\u00eb familje n\u00eb vitin 2007 nuk shtonte shpenzimet n\u00eb m\u00ebnyr\u00eb p\u00ebrpjestimore. Ai k\u00ebrkoi q\u00eb analiza t\u00eb kryhet sipas regjimit t\u00eb p\u00ebrbashk\u00ebt familjar, duke pretenduar se subjekti rezultonte gjithmon\u00eb me bilanc pozitiv.<\/p>\n<p>\u201cNuk jemi n\u00eb kushtet e munges\u00ebs s\u00eb burimeve, fshehjes s\u00eb pasuris\u00eb apo gjendjes n\u00eb kushtet e kofliktit t\u00eb interesit. N\u00eb rastin konkret nuk ka asnj\u00eb indicie minimale p\u00ebr paligjshm\u00ebri,\u201d v\u00ebrejti M\u00ebrtiri.<\/p>\n<p>N\u00eb p\u00ebrfundim, gjyqtari Gramshi renditi dokumentet q\u00eb i cil\u00ebsoi si prova t\u00eb reja, p\u00ebr nj\u00eb pjes\u00eb t\u00eb t\u00eb cilave shpjegoi se ishin ligje dhe udh\u00ebzime t\u00eb shkarkuara nga faqet zyrtare online t\u00eb institucioneve amerikane. KPK administroi nj\u00eb pjes\u00eb t\u00eb dokumenteve, nd\u00ebrsa p\u00ebr ligjet dhe udh\u00ebzimet e siguruara online, u shpreh se megjith\u00ebse nuk u pranuan si prova, do t\u00eb konsultohen dhe vler\u00ebsohen, duke qen\u00eb se gjenden n\u00eb burime t\u00eb hapura.<\/p>\n<p>Bazuar n\u00eb k\u00ebrkes\u00ebn e gjyqtarit Gramshi p\u00ebr m\u00eb shum\u00eb koh\u00eb p\u00ebr p\u00ebrgatitjen e konluzioneve p\u00ebrfundimtare, KPA vendosi t\u00eb shtyj\u00eb seanc\u00ebn p\u00ebr m\u00eb dat\u00eb 15 shkurt, n\u00eb or\u00ebn 15:00.<\/p>\n<p>&nbsp;<\/p>\n<!-- AddThis Advanced Settings generic via filter on the_content --><!-- AddThis Share Buttons generic via filter on the_content -->","protected":false},"excerpt":{"rendered":"<p>Kolegji i Posa\u00e7\u00ebm i Apelimit, KPA, u njoh t\u00eb mart\u00ebn m\u00eb 7 shkurt 2023 me parashtrimet n\u00eb \u00e7\u00ebshtjen lidhur me ankimin ndaj konfirmimit n\u00eb detyr\u00eb t\u00eb gjyqtarit t\u00eb Tiran\u00ebs, Kastriot Gramshi. Gramshi u konfirmua n\u00eb detyr\u00eb m\u00eb 25 mars 2022, por Operacioni Nd\u00ebrkomb\u00ebtar i Monitorimit, ONM e vler\u00ebsoi vendimin e Komisionit t\u00eb Pavarur t\u00eb Kualifikimit [&hellip;]<!-- AddThis Advanced Settings generic via filter on get_the_excerpt --><!-- AddThis Share Buttons generic via filter on get_the_excerpt --><\/p>\n","protected":false},"author":637,"featured_media":70283,"comment_status":"open","ping_status":"open","sticky":false,"template":"","format":"standard","meta":[],"categories":[114,115],"tags":[111,103,112],"fifu_image_url":"https:\/\/www.reporter.al\/wp-content\/uploads\/2023\/02\/Kastriot-Gramshi.jpg","fifu_image_alt":"Gjyqtari Kastriot Gramshi pas seanc\u00ebs n\u00eb KPA. Foto: Edmond Hoxhaj. ","_links":{"self":[{"href":"https:\/\/reporter.al\/vetingu\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/70282"}],"collection":[{"href":"https:\/\/reporter.al\/vetingu\/wp-json\/wp\/v2\/posts"}],"about":[{"href":"https:\/\/reporter.al\/vetingu\/wp-json\/wp\/v2\/types\/post"}],"author":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/reporter.al\/vetingu\/wp-json\/wp\/v2\/users\/637"}],"replies":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/reporter.al\/vetingu\/wp-json\/wp\/v2\/comments?post=70282"}],"version-history":[{"count":1,"href":"https:\/\/reporter.al\/vetingu\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/70282\/revisions"}],"predecessor-version":[{"id":70284,"href":"https:\/\/reporter.al\/vetingu\/wp-json\/wp\/v2\/posts\/70282\/revisions\/70284"}],"wp:featuredmedia":[{"embeddable":true,"href":"https:\/\/reporter.al\/vetingu\/wp-json\/wp\/v2\/media\/70283"}],"wp:attachment":[{"href":"https:\/\/reporter.al\/vetingu\/wp-json\/wp\/v2\/media?parent=70282"}],"wp:term":[{"taxonomy":"category","embeddable":true,"href":"https:\/\/reporter.al\/vetingu\/wp-json\/wp\/v2\/categories?post=70282"},{"taxonomy":"post_tag","embeddable":true,"href":"https:\/\/reporter.al\/vetingu\/wp-json\/wp\/v2\/tags?post=70282"}],"curies":[{"name":"wp","href":"https:\/\/api.w.org\/{rel}","templated":true}]}}