Zv.Prokurori i Përgjithshëm e bindi KPK për balancën negative të vajzës

Lajme
Në vendimin e zbardhur të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit thuhet se prokurori Jano depozitoi prova për të ardhurat e përfituara nga dhëndri prej dypunësimit dhe se në analizën financiare ishin kryer gabim përllogaritjet për shpenzimet jetike.

Numri 2 i Prokurorisë së Përgjithshme, Thoma Jano në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj

Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm, Thoma Jano ka bindur Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK se nuk qëndronte thuajse e gjithë balanca negative në vlerën 717 mijë lekë, e konstatuar fillimisht nga analiza financiare për familjen e vajzës së tij që u konsiderua si person i lidhur.

Në vendimin e zbardhur të KPK, trupi gjykues i përbërë nga Brunilda Bekteshi Kryesuese, Olsi Komici Relator dhe Lulzim Hamitaj anëtar, konkludojnë se Jano provoi me dokumentacion se bashkëshorti i vajzës kishte përfituar të ardhura nga një punë me kohë të pjesshme, ndërkohë që kanë pranuar edhe një gabim material në analizën financiare që ka sjellë ndryshimin e balancës negative në një vlerë të papërfillshme.

Thoma Jano ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë. Ai ka punuar fillimisht si hetues dhe në fund të viteve ’90 ka drejtuar Prokurorinë e Tiranës. Në vitin 2002, ai u emërua si zv.Ministër i Rendit Publik, detyrë që e ushtroi për dy vjet. Prej vitit 2004, Jano ka punuar në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në dhjetor 2019 u zgjodh në pozicionin e zv.Prokurorit të Përgjithshëm nga kreu i këtij institucioni, Olsian Çela.

KPK e përfundoi rivlerësimin e Janos në të tri kriteret dhe nuk konstatoi probleme për pasuritë që ai zotëronte. Gjithashtu, Jano u vlerësua pozitivisht për profesionalizmin dhe pastërtinë e figurës. Komisioni identifikoi një balancë financiare negative në vlerën 717 mijë lekë tek të ardhurat dhe shpenzimet e familjes së vajzës së tij për periudhën 2008-2016.

Prokurori Jano u shpreh gjatë seancës dëgjimore më 13 shkurt 2020 se, edhe pse nuk kishte lidhje me veprimet financiare të vajzës dhe dhëndrit të tij, ishte përpjekur t’i vërtetonte deklarimet lidhur me të ardhurat dhe shpenzimet e tyre.

Në vendimin e zbardhur, KPK konkludon se Jano ka shpjeguar dhe paraqitur dokumentacion që vërtetojnë se bashkëshorti i vajzës ka pasur të ardhura nga dypunësimi në shumën 24 mijë lekë për periudhën 2014-2015 si mjek kirurg obstetër-gjinekolog. “Komisioni vlerëson se shpjegimet e subjektit qëndrojnë. Ai ka llogaritur vlerën neto të tyre, e cila shkon në masën 312,576 lekë, duke i përfshirë këto të ardhura në analizën financiare”, citohet në vendim.

Trupi gjykues pranon edhe pretendimin mbi një gabim material në llogaritjen e shpenzimeve jetike dhe ka zbritur vlerën prej 396 mijë lekë nga analiza financiare e kryer më parë.

Në përfundim, Komisioni konkludon se vajza e Janos dhe bashkëshorti i saj kanë pasur mungesë të burimeve financiare në vlerën 8 mijë lekë, shumë që konsiderohet e papërfillshme nga trupi gjykues.

Jano u konfirmua në detyrë më datë 17 shkurt 2020.