KPK krijoi ‘bindje të brendshme’ për integritetin dhe pastërtinë e gjyqtares Anita Mici
Analiza

KPK krijoi ‘bindje të brendshme’ për integritetin dhe pastërtinë e gjyqtares Anita Mici

Komisioni i Pavarur i Kualifikimi është bindur nga sqarimet e dhëna dhe dokumentet e dorëzuara nga gjyqtarja e Gjykatës së Apelit Durrës, Anita Mici, dukë përmbysur barrën e provës për pasurinë dhe pastërtinë e figurës.

Gjyqtarja e Apelit të Durrësit, Anita Mici pas vendimit të konfirmimit nga KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Me datë 4 gusht, Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit konfirmoi në detyrë gjyqtaren e Apelit Durrës, Anita Mica. Mici u vlerësuar për të tre kriteret e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përfshirë pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizimin dhe arriti ta përmbyste barrën e provës për dy nga këto kritere.

Trupa gjykuese e KPK e përbërë nga Lulzim Hamitaj kryesues, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtar Olsi Komicin shprehet se gjyqtarja Mici arriti të provojë pretendimet e saj nëpërmjet dokumenteve.

Subjekti ka arritur të përmbysë barrën e provës në lidhje me aplikimin për legalizimin e dy banesave informale në Vlorë në emër të bashkëshortit, që sipas Micit janë kryer në mënyrë fiktive dhe nëpërmjet falsifikimit prej kunatës.

Mici gjithashtu arriti ta rrudhi balancën negative financiare dhe e bindi KPK se Drejtoria e Sigurimit të Iinformacionit të Klasifikuar gabonte në raportin e saj që cilësonte si të papërshtashme për vazhdimin e detyrës së gjyqtare. Qëndrimi pro i gjyqtares për lirimin e parakohshëm të kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha vlerësohet nga Komisioni si një çështje që i përket Gjykatës së Lartë dhe ILD-së.

Anita Mici ka kryer studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitet 2002-2005 dhe është emëruar fillimisht gjyqtare në Gjykatën e Shkodrës. Në vitin 2010, Mici u transferua në Gjykatën e Durrësit ndërsa në vitin 2016 u dekretua gjyqtare në Gjykatën e Apelit Durrës.

Kasollja prej llamarine e mushkës

Duke u mbështetur në parimin e proporcionalitetit dhe objektivitetit, si dhe në bindjen e brendshme, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka arritur në përfundimin se gjyqtarja Mici, me veprimet dhe mosveprimet e saj, nuk ka cënuar besimin e publikut dhe ka arritur nivel të besueshëm të vlerësimit të pasurisë.

Nga dokumentacioni i administruar gjatë hetimit administrativ, Komisionit i ka rezultuar se bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit ka aplikuar për legalizim të ndërtimeve informale në korrik të vitit 2013 për dy godina banimi në Vlorë, një me sipërfaqe të bazës së ndërtimit 35 m2 dhe një me sipërfaqe të bazës 50 m2.

Në vendim thuhet se Drejtoria e ALUIZNI-t, ka konfirmuar se bashkëshorti i subjektit, Dh. M., është aplikues për proces legalizimi. Gjithashtu, ILDKPKI në raportin e saj është shprehur se ai ka dorëzuar një deklaratë noteriale të 22 janarit 2017 se ka hequr dorë dhe nuk ka asnjë pretendim për legalizim objekti.

E pyetur nga Komisioni në lidhje me vitin e ndërtimit të objekteve, burimin e krijimit të tyre dhe pronësinë e truallit, gjyqtarja Mici ka deklaruar se këto vetëdeklarime nuk janë bërë nga bashkëshorti i saj dhe se nuk ka pasur dijeni as ai dhe as ajo vetë. Ajo ka pretenduar se veprimet ishin kryer nga kunata, pa dijeninë e tyre dhe se nënshkrimi në vetëdeklarime nuk i përket bashkëshortit të saj.

Mici ka sqaruar se motra e bashkëshortit e ka kuptuar gabimin dhe e ka ndjerë si shqetësim këtë fakt kur ka nisur procesi i vetingut dhe kur e ka kuptuar se i vëllai ishte subjekt i lidhur.

Ajo ka shtuar se, për deklarimin tjetër motra e bashkëshortit i ka vendosur në dijeni pas dorëzimit të deklarimit veting duke u shpjeguar se kishte bërë disa vetëdeklarime në emër të familjarëve të saj dhe nuk është kujtuar në kohë se kishte bërë dy vetëdeklarime në emër të bashkëshortit të subjektit.

“Bashkëshorti im nuk e ka autorizuar asnjëherë këtë shtetase apo ndonjë person tjetër për bërjen e një deklarimi të tillë”, ka theksuar Mici.

Ajo ka vijuar se në janar të 2019-ës bashkëshorti i është drejtuar me dy shkresa ALUIZNI-t Vlorë ku ka kërkuar përjashtimin nga vetëdeklarimi apo s’kualifikimin e këtyre vetëdeklarimeve pasi, ai nuk ka bërë asnjë ndërtim apo aplikim. Mici pretendon se vetëdeklarimet e kryera prej kunatës janë fiktive pasi nuk ka asnjë lloj ndërtimi.

“[…]na ka shpjeguar se i kishte bërë këto vetëdeklarime pa dijeninë tonë, me qëllim mbrojtjen formale të pronave të vjetra nga zaptuesit e kundërligjshëm sipas saj[…]”, ka deklaruar Mici duke bërë me dije se vjehrri kishte përfituar prona të shumta si trashëgimtar.

“Rezulton se në të njëjtën kohë, duke ndjekur të njëjtin qëllim atë të mbrojtjes së pronës, kunata ka bërë vetëdeklarime fiktive pa objekt faktik mbi tokë, në emër edhe të familjarëve të tjerë, siç është edhe rasti i vjehrrës Xh. M. me kasollen prej llamarine të mushkës, ku edhe kjo u skualifikua nga ALUIZNI Vlorë,” vijon shpjegimin e saj Mici dhe thekson se i kanë kërkuar kunatës të shkojë tek noteri të bëjë deklaratë noteriale ku të pasqyronte këtë fakt të vërtetë.

Duke e vlerësuar veten njohëse të ligjit, Mici shprehet se që në fillim të marrjes së këtij informacioni, ka pasur bindjen se ishte konsumuar vepra penale e “falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”. “[…]por për shkak të marrëdhënies së posaçme motër – vëlla nuk kemi bërë as kallëzim penal ndaj shtetases V.D. (M.)”, ka deklaruar gjyqtarja Mici.

Trupi gjykues i KPK shprehet se nga shpjegimet e subjektit dhe dokumentet e administruara gjatë hetimit nuk është konstatuar asnjë provë që të tregonte ndërtime, investime të kryera apo pagesa në përputhje me legjislacionin e legalizimit të ndërtimeve informale dhe për pasojë nuk ka krijuar dyshime lidhur me këtë çështje.

Dy kontrata për një makinë

Komisioni ka konstatuar se gjyqtarja Mici ka nënshkruar dy kontrata të ndryshme për të njëjtën makinë tip “Fiat Cinquecento”, me palë shitëse të ndryshme dhe në vlera të ndryshme. Kontrata e parë e shitblerjes është nënshkruar në shtator të vitit 2003 me shtetasin Z.H., për çmimin 100 mijë lekë, ndërsa e dyta është nënshkruar me shtetasin E.K. një muaj më vonë dhe çmimi figuron në vlerën 120 mijë lekë.

Gjyqtarja Mici ka shpjeguar se kishte qenë nevoja e zhdoganimit të automjetit që e çoi në përpilimin e një kontrate formale me personin që e kishte futur mjetin nga jashtë shtetit, pasi vetëm ai mund ta shiste. Për të mbrojtur deklarimin e saj, Mici ka depozituar edhe një kontratë shit-blerje të këtij mjeti të muajit maj 2003, me palë shitëse A.K. dhe me palë blerëse, Z.H..

Trupi gjykues, i konsideron bindës argumentet e subjektit lidhur me nënshkrimin e dy kontratave dhe thotë se në tërësi nuk konstatohen problematika për këtë pasuri dhe se subjekti ka pasur burime të ligjshme për përfitimin e saj.

Komisioni nuk ka gjetur probleme edhe në përdorimin që prej vitit 2006 të një apartamenti në pronësi të vëllait të subjektit të rivlerësimit. Në vendim thuhet se Mici ka arritur të provojë burimin e ligjshëm të kursimeve të vëllait në vlerën 15 mijë euro nga puna si emigrant në Itali që kanë shërbyer për pagesën e një pjese të çmimit të apartamentit, si dhe të burimeve të ligjshme të motrës që i ka dhënë hua shumën 18 mijë euro për pjesën tjetër, të kursyer nga puna sezonale në në Itali gjatë periudhës 2001-2005.

KPK konstaton pamundësi për blerjen e një automjet tip “Audi A4” në vitin 2016 kundrejt shumës 8.000 euro, por vlerëson se balanca negative në vlerën 172 mijë lekë nuk mund të ndikojë në vlerësimin tërësor.

Komisioni ka hetuar për lidhjen e një kontrate sipërmarrje në vitin 2006 për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 104.33 m2 në Tiranë, kundrejt shumës 75 mijë euro. Si burime krijimi subjekti ka deklaruar një kredi bankare në NBG Bank, në shumën 45 mijë euro, kursimet familjare në shumën 5.000 euro dhe ndihmë nga prindërit e bashkëshortit në vlerën 25 mijë euro, si rezultat i ndarjes nga familja.

Për vlerën 25 mijë euro të dhuruar nga babai i bashkëshortit, subjekti ka sqaruar se ai ka krijuar të ardhura në vlera të mëdha nga shitja e pronave të trashëguara, të përfituar nga Komisioni i Kompesimit dhe Kthimit të Pronave. Komisioni sqaron se Mici ka depozituar shumë kontrata shitjesh të pasurive të paluajtshme nga ana e vjehrrit.

E pyetur nga Komisionit lidhur me moszotërimin e kësaj pasurie ndërkohë që pagesat janë kryer, Mici ka shpjeguar se bashkëshorti Dh. M., është lidhur me shtetasen N. B. me qëllim lidhjen e kontratës për shtëpinë, nga një familjar shumë i afërt i tij. Ajo ka shtuar se më pas kishin kuptuar dhe vërtetuar plotësisht se ishin mashtruar nga N.B. lidhur me kontratën e sipërmarrjes.

Në vendim evidentohet fakti se N.B. është dënuar penalisht me 14 vjet burgim për veprën penale të “Mashtrimit” me pasoja të rënda në vitin 2013, vendim i cili është lënë në fuqi në të tri shkallët e gjykimit.

“[…]efektivisht nuk kemi vlerësuar se do të mund të gjenim ndonjë zgjidhje nëpërmjet procesit gjyqësor, ndërsa vetë investitorja objektivisht nuk mund të kontaktohej për të zgjidhur kontratën dhe kthyer palët në gjendjen e mëparshme”, ka deklaruar Mici.

KPK ka kryer analizën financiare për mundësinë e familjes Mici për porositjen e kësaj pasurie në vitin 2006, prej nga ka rezultuar një balancë negative në shumën 116 mijë lekë që nuk është konsideruar penalizuese.

Nga analiza financiare fillestare e kryer për periudhën 2004-2016 ka rezultuar balancë negative në shumën 1 milion e 444 mijë lekë, vlerë e cila sipas Komisionit është përmbysur nga shpjegimet dhe provat e depozituara nga subjekti duke u reduktuar në shumën 492 mijë lekë. Trupi gjykues vlerëson se balanca negative është e shpërndarë në vite dhe se nuk përbën shkak për aplikimin e ndonjë mase penalizuese ndaj subjektit të rivlerësimit.

Figura dhe profesionalizmi

DSIK ka dorëzuar dy raporte në KPK për gjyqtaren Anita Mici. Në raportin e dytë që DSIK ka dorëzuar në vitin 2018, ka konstatuar se disponohen të dhëna për përfshirje të subjektit në veprimtari të kundërligjshme në formën e korrupsionit pasiv të gjyqtarit në disa procese gjyqësore në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës.

Gjithashtu, janë ngritur dyshime për përfitime monetare në çështjet gjyqësore ndaj djemve të tezes së saj F.N.H. Dhe H.(R.) N.H..

Sipas DSIK, kushërinjtë e saj janë proceduar penalisht për trafik të lëndëve narkotike dhe se janë favorizuar në masën e dënuarit nga gjyqtarja Mici, si pjesë e trupit gjykues.

Konstatimet e DSIK janë kundërshtuar nga Mici dhe janë gjetur të pabazuar edhe nga Komisioni. Trupi gjykues thotë se nuk është gjetur asnjë fakt që të evidentojë ndonjë favorizim nga subjekti në zhvillimin e proceseve gjyqësore dhe as në masën e dënimit të dhënë për secilin prej shtetasve të gjykuar prej saj.

Lidhur me proceset ndaj kushërinjve, KPK konstaton se Mici nuk ka qenë pjesë e asnjë prej trupave që i kanë gjykuar dhe se ata janë dënuar sipas ligjit.

Në përfundim, trupi gjykues, konstaton se nuk u gjendën fakte apo rrethana favorizimi që t’i atribuohen subjektit, të cilat do të mund ta penalizonin atë në vlerësimin e kontrollit të kriterit të figurës.

Në vendim thuhet se Komisioni, verifikoi edhe çështjen e diskutuar dhe bërë publike që i përket vendimit, për lirimin para kohe me kusht të ish-kreut të “Bandës së Durrësit”, Lulëzim Berisha, ku subjekti i rivlerësimit ka qenë në cilësinë e anëtares.

Më 5 dhjetor 2016, pas një serie vendimesh të diskutueshme gjyqësore për ulje dënimi, raporteve të institucioneve të vuajtjes së dënimit që e përshkruajnë atë si “të dënuar shembullor” dhe një garanci për punësimin e ofruar nga kryebashkiaku Vangjush Dako, që analizohen edhe në vendimin e KPK, gjykata e Apelit Durrës vulosi lirimin e Lulzim Berishës.

I arrestuar më 6 prill 2006, Lulzim Berisha ka qëndruar fizikisht 10 vjet e tetë muaj në burg nga dënimi i tij prej 25 vitesh. Aktualisht ai është në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj në vitin 2005.

KPK vëren se vendimi i korrikut të vitit 2014 i Gjykatës së Lartë që ndryshoi masën e dënimit nga burgim i përjetshëm me 25 vjet burgim, i hapi Berishës rrugën për të kërkuar ulje dënimi. Ndërsa një vendimi i mëpasshëm i Gjykatës së Krujës që caktoi vuajtjen e dënimit në një burg të sigurisë së zakonshme i dha atij mundësinë të përfitonte dyfishin e uljes së dënimit për çdo vit kalendarik, nga 45 ditë, në 90 ditë.  Më pas ka filluar seria e vendimeve për uljen e dënimit.

“[…]trupi gjykues konstaton se nga gjyqtarë të tjerë janë ndërmarrë disa vendimmarrje gjyqësore, të cilat i kanë mundësuar të dënuarit që hap pas hapi të arrijë deri në kërkimin e lirimit para kohe me kusht, ku subjekti i rivlerësimit, vetëm në këtë të fundit, ka rolin e njërit prej anëtarit në shqyrtimin e kësaj kërkese dhe, më tej, edhe në vendimmarrjen në fjalë”, citohet në vendim.

Sipas KPK, nuk rezulton të jetë deformuar situata faktike e rrethanave që plotësonin kriteret ligjore për lirimin me kusht, por maksimalisht mund të diskutohet mbi momentin e vendimmarrjes.

Gjyqtarja Mici ka dhënë argumentet e saj lidhur me pretendimet e prokurorisë se Gjykata e Apelit ka përllogaritur dhe pranuar ¾ e vuajtjes së dënimit ditën e gjykimit në Apel. Ajo ka pretenduar se kjo nuk vjen në kundërshtim me ligjin pasi, i dënuari duhet të ketë plotësuar ¾ e vuajtjes së dënimit për t’u liruar me kusht, në kohën kur atij i jepet kjo liri nga gjykata.

Sipas KPK, konstatohet se përtej kriterit të plotësimit të vuajtjes së 3⁄4 të dënimit, nuk janë konstatuar mangësi dhe madje as nuk ka pasur dyshime dhe nuk janë pretenduar mosplotësime të kritereve të tjera ligjore për lirimin me kusht, as nga prokurori që ka paraqitur rekurs dhe as nga Gjykata e Shkallës së Parë, që e ka rrëzuar kërkesën vetëm për moskryerjen e 3⁄4 të dënimit.

Në përfundim, KPK përmend faktin se rekursi i prokurorisë i përket kryesisht themelit të çështjes dhe shprehet se nuk ka tagrin të vlerësojë gjykimin e korrektësisë së vendimit apo të analizojë themelin e çështjes gjyqësore, duke e dërgimin për inspektim në ILD.

Komisioni nuk ka gjetur probleme penalizuese edhe në denoncimet nga publiku dhe çmon se dërgimi për inspektim i njërës prej dosjeve të gjykuara nga subjekti me cilësinë e anëtares së trupës gjyqësore, është e pamjaftueshme për të konkluduar rekomandimin e saj për trajnimin një vjeçar pranë Shkollës së Magjistraturës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *