Gjyqtaret e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit gjatë një seance. Foto: Nensi Bogdani/ BIRN.
KPA Lajme

Kolegji urdhëron KPK-në që të kryejë vetingun e ish-gjyqtarit Besnik Maho

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të hënën më 13 maj vendimarrjen për ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK lidhur me përfundimin e vetingut të ish-gjyqtarit të Pogradecit, Besnik Maho pa një vendim përfundimtar. Po ashtu, Komisioni u urdhërua të përfundojë procesin e rivlerësimit kalimtar për Mahon.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 15 nëntor 2023 përfundimin pa vendim përfundimtar të çështjes në lidhje me kërkesën e ish-gjyqtarit Besnik Maho për t’iu nënshtruar vetingut. Sipas KPK, Maho nuk i kishte kryer tre vjet punë si gjyqtar, që u konsiderua si afat i nevojshëm për t’u bërë pjesë e procesit të rivlerësimit.

Kjo vendimarrje u ankimua nga komisioneri Florian Ballhysa i cili vërejti në ankim se Maho ka shprehur vullnetin për t’iu nënshtruar vetingut si ish-gjyqtar dhe se ka dorëzuar kërkesat për tre kriteret. Ashtu, si në ankim, edhe gjatë parashtrimeve e në konkluzionet përfundimtare, Ballhysa konstatoi se Maho e plotëson kushtin për t’u konsideruar subjekt rivlerësimi nga radhët e ish-gjyqtarëve, pasi rezulton se ka punuar me atributet e gjyqtarit nga shtatori i vitit 2004 deri në maj të vitit 2008, kur është larguar nga detyra.

Edhe Maho paraqiti ankim në Kolegj duke kërkuar të njëjtën gjë, prishjen e vendimit të Komisionit dhe kryerjen e vetingut të tij.

Gjatë shpalljes së vendimit, kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Natasha Mulaj pohoi se ishte gjetur i drejtë pretendimi i ankuesve. Sipas KPA, konsiderohet se Maho e ka pasur statusin që në momentin e dekretimit për stazhin e gjyqtarit, në shtator të 2004-ës, e për rrjedhojë përmbushet afati për rivlerësimin e tij si ish-gjyqtar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *