Gjyqtari Laurent Fuçia pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

Gjyqtari Laurent Fuçia jep shpjegime për ankesat dhe denoncimet ndër vite

Gjyqtari Laurent Fuçia i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë u përball të enjten më 2 mars 2023 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime më së shumti për gjetjet në kriterin profesional lidhur më dhjetëra çështje për të cilat janë kryer ankesa në institucionet kontrolluese të sistemit gjyqësor si dhe denoncime nga publiku.

Gjatë hetimit administrativ, Komisioni nuk gjeti probleme domethënëse në kriterin e pasurisë dhe relatoi vlerësim pozitiv në kriterin e figurës.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Fuçia po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtare Alma Faskajn. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Laurent Fuçia u diplomua në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe u emërua si gjyqtar në Gjykatën e Vlorës, ku vazhdon ta ushtrojë edhe aktualisht funksionin. Me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Fuçia është caktuar në skemën e delegimit si gjyqtar i Apelit të Vlorës.

Pasuria

Komisioni nuk ka gjetur probleme në burimet e krijimit të një apartamenti të blerë në vitin 2014 kundrejt çmimit 55 mijë euro, një kredi në vlerën 40 mijë euro dhe 15 mijë euro që i janë dhuruar bashkëjetueses nga prindërit.

KPK ka hetuar për mundësinë e prindërve, të cilët rezultojnë se në vitin 2010 kanë shitur një apartament në Tiranë për çmimin 16 milionë lekë. Nga hetimi i kryer për krijimin e kësaj pasurie, ka rezultuar se prindërit e bashkëjetueses së subjektit kanë pasur burime financiare të ligjshme për blerjen e saj në vitin 2002 për 55 mijë euro. Po ashtu, ka rezultuar se prindërit e bashkëjetueses disponojnë një magazinë që e kanë dhënë me qira për shumën 1500 euro në muaj, si dhe se jetojnë e punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke siguruar të ardhura të mjaftueshme për dhurimet në favor të së bijës.

Megjithëse subjekti ka deklaruar se për blerjen e një automjeti me çmim 400 mijë lekë kanë shërbyer të ardhurat e bashkëjetueses nga qiradhënia e objektit në pronësi të të atit, KPK ka konstatuar pamundësi financiare, pasi nuk është deklaruar pakësimi i gjendjes cash në atë vit.

Po ashtu, KPK konstatoi mospërputhje të vlerave të likujditeteve. Gjyqtari Fuçia deklaroi se mospërputhjet mund të vijnë si pasojë e mospasqyrimit të pakësimit të gjendjes cash. “Vlerësoj se nuk ka deklarim të pasaktë për likujditetet,” tha ai.

Relatorja Çiftja deklaroi se veç balancës negative për blerjen e mjetit, gjithë periudha tjetër e verifikuar rezulton me bilanc pozitiv.

Gjetjet për profesionalizmin

Problemet më të shumta me të cilat u përball gjyqtari Fuçia kishin të bënin me çështjet e gjykuara prej tij. Në një prej tre çështjeve të përzgjedhura nga vetë subjekti, KPK konstatoi se nuk është identifikuar natyra e mosmarrëveshjes. Ndërsa në një prej pesë çështjeve të shortuara është evidentuar se Fuçia e ka marrë vendimin bazuar në pretendimet e të dyshuarit, pa hetuar nëse ato ishin ose jo të vërteta.

Nga verifikimi i të dhënave arkivore ka rezultuar se ndaj subjektit janë kryer 16 ankesa pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë gjatë periudhës së rivlerësimit 2013-2016.

Në vijim, relatorja Etleda Çiftja renditi pretendimet në këto ankesa, konkretisht për zhvillim të seancave pa njoftuar palët; mosverifikim të legjitimitetit të palëve; një vendim ku nuk është shënuar se pala e paditur ka qenë në mungesë duke i hequr të drejtën e rekursit; si dhe një ankesë e Prokurorisë së Përgjithshme për mosrespektim formal të ligjit në revokimin e një masë arresti dhe shuarjen e masës të një personi të kërkuar për ekstradim.

Çiftja bëri me dije se ndaj subjektit ka pasur një kërkesë nga Ministri i Drejtësisë për dhënie vërejtje publike, por që është rrëzuar nga ish-KLD me argumentin se kërkesa për masën disiplinore bazohej vetëm në një vendimarrje.

Në seancë u relatuan ankesa të tjera drejtuar ish-KLD-së nga ish-ÇEZ Shpëndarje dhe Avokatura e Shtetit për mosnjoftim të palëve për zhvillimin e seancave.

Në një rast, Komisioni konstaton se duket si e pambështetur një vendimarrje e subjektit për urdhërimin e regjistrimit të një prone në favor të palës paditëse, ndërkohë që kjo e fundit zotëronte vetëm të drejta reale.

I pyetur në seancë nga Komisioni dhe vëzhguesi ndërkombëtar lidhur me këtë gjetje, Fuçia pretendoi se ai nuk kishte marrë vendim që personit në fjalë t’i regjistrohej prona në hipotekë, por që t’i regjistrohej e drejta reale mbi atë pronë.

Në ankesat e drejtuara ndaj subjektit janë evidentuar edhe dy çështje prej Komisionit, sipas të cilit në një rast duket se subjekti ka vijuar procesin pa praninë e palës së paditur, ndërsa në tjetrin duket se i ka mohuar të pandehurit të drejtën për t’u dëgjuar.

Ndaj gjyqtarit Fuçia janë depozituar 23 denoncime, nga të cilat pesë kanë rezultuar të përsëritura.

Çiftja evidentoi një denoncim të kryer nga OSHEE, prej nga është konstatuar se subjekti duket se nuk ka vlerësuar dispozitat ligjore për njoftimin e vendimit. Sipas KPK, në një çështje duket se Fuçia e ka marrë vendimin pa u bazuar në ligjin procedural dhe në praktikën e Gjykatës së Lartë.

Gjyqtari Fuçia deklaroi se prej emërimit kishte përballuar një numër të madh çështjesh, si në aspektin sasior, ashtu edhe në atë cilësor. Ai vërejti se kishte qenë i angazhuar për trajnimin dhe përmirësimin e tij profesional si dhe kishte transferuar për në Gjykatën Kushtetuese për kontroll incidental shtatë çështje.

Sipas subjektit, një pjesë e denoncimeve dhe ankesave konsistojnë në vlerësimin e provave sipas bindjes së gjyqtarit, që nuk janë pjesë e procesit të rivlerësimit. Për një pjesë të këtyre ankesave tha se janë gjë e gjykuar pasi janë trajtuar nga institucionet përkatëse.

Lidhur me konstatimin për mosidentifikim të natyrës së mosmarrëveshjes, subjekti deklaroi se kishte të bënte me një gabim të llogaritur nga Komisioni i Kompesimit dhe Kthimit të Pronave.

Fuçia vërejti se vendimi është cënuar bazuar në një dispozite, që nuk ka qenë në fuqi kur çështja është trajtuar prej tij.

Lidhur me zbutjen e një mase sigurie, subjekti deklaroi se e kishte bazuar në ekspertimet mjeko-ligjore që paraqisnin gjendjen e rënduar shëndetësore të të pandehurit, që sipas tij, i rrezikohej jeta nëse do të qëndronte i izoluar. “Gjykata e Lartë i ka vlerësuar ndryshe provat. Kjo lidhet me bindjen e brendshme të gjykatës bazuar në vlerësimin e provave,” tha Fuçia.

Ai kundërshtoi edhe pretendimet për mosnjoftim të palëve dhe cënim të të drejtës së ankimit. Sipas subjektit, e drejta e ankimit lind kur palës i njoftohet vendimi i arsyetuar dhe jo dispozitivi i vendimit.

Lidhur me revokimin e masës së arrestit dhe shuarjen e kësaj mase për një person që kërkohej për ekstradim, Fuçia pretendoi se kishte pasur qëndrim të ndryshëm pasi në gjykim ishin prezantuar fakte të reja që nuk kishin qenë të pranishme në momentin e vendimarrjes së parë. Ai deklaroi se procesi i themelit për ekstradimin është tjetër nga ai për caktimin e masës. Sipas Fuçisë, Gjykata e Lartë e kishte refuzuar ekstradimin e këtij personi dhe vendimarrja e tij nuk kishte sjellë pasoja.

Fuçia deklaroi se nuk ishte njoftuar asnjëherë më parë për aktin e ish-KLD-së lidhur me tërheqjen e vëmendjes dhe e cilësoi atë të pabazuar në normë ligjore.

Për një rast kur ka caktuar masë sigurie më të butë nga ajo e kërkuar prej prokurorit, subjekti shpjegoi se në momentin arrestimit nuk dukej se kishte pasur vepër penale, pasi armët janë gjetur në tokë dhe nuk dihej se kujt prej të ndaluarve i përkisnin. Sipas Fuçisë, kishin qenë tre të arrestuar, por prokurori kërkonte masë sigurie vetëm ndaj njërit prej tyre.

Për ankesat ish-CEZ Shpërndarje, subjekti pretendoi se kjo palë ishte njoftuar dhe nuk ishte paraqitur. Sipas tij, bazuar në legjislacionin përkatës është vendosur vijimi në mungesë dhe se kjo situatë shmang njoftimin. Ai pretendoi se në këtë rast bëhej fjalë për intepretim ligjor, pasi një pjesë e magjistratëve vlerësonin si ai duke çmuar se nuk duhej bërë njoftimi në një rast të tillë, ndërsa të tjerët se duhej të njoftoheshin. Ndërkohë, pretendoi se njoftimi për OSHEE ka qenë i rregullt.

Subjekti deklaroi se pas vendimeve të Apelit kishte zbatuar praktikën e tyre, duke njoftuar palën. Relatorja Çiftja ndërhyri duke u sqaruar se kishin qenë në pritje që ai të dorëzonte në Komision ndonjë provë lidhur me pretendimet për njoftimet e vendimeve.

Gjyqtari Fuçia deklaroi se nuk dispononte prova për njoftimet. “Nuk disponoj prova për marrjen e dijenisë për vendimin, por prezumoj se njoftimet janë bërë nga sekretaria gjyqësore sipas procedures,” deklaroi ai.

Fuçia pranoi se Avokatura e Shtetit nuk ishte njoftuar, por ai pretendoi se ishte në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, që kishte marrë njoftim, por nuk ishte paraqitur.

Për një ankesë lidhur me mosregjistrimin audio të seancës, subjekti u mbrojt duke e quajtur si një parregullsi të sekretarisë gjyqësore.

Subjekti pretendoi se të gjithë të pandehurve në gjykim u kishte garantuar të drejtat e tyre. Ai ritheksoi se një pjesë e ankimeve kanë të bëjnë me vlerësimin e provave dhe zgjidhjen e themelit të çështjes.

Në përfundim të seancës, gjyqtari Fuçia kërkoi konfirmimin e tij në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 8 mars, në orën 09:50.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *