Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i gjeti të drejta konkluzionet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për problemet e konstatuara në kriterin e pasurisë për gjyqtarin e Beratit, Durim Hasa, si dhe për qëndrimet e mbajtura prej tij në gjykimin e disa çështjeve, duke lënë në fuqi shkarkimin për deklarim të pamjaftueshëm dhe cënim të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë. Po ashtu, KPA rrëzoi edhe pretendimet e ngritura nga subjekti në drejtim të procesit të rregullt ligjor.
Durim Hasa e ka nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 dhe punoi fillimisht si gjyqtar në Gjykatën e Skraparit. Prej vitit 2008 deri në shkarkimin e tij nga detyra më datë 14 qershor të vitit 2021, ai e ushtroi funksionin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat.
Problemet për pasurinë
KPK konstatoi se Hasa kishte kryer deklarim të pasaktë për një apartament me sipërfaqe 96.6 m2 në Tiranë të porositur në vitin 2006 dhe të blerë në 2007-ën, si dhe nuk ka pasur burime të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie. Sipas Komisionit, Hasa nuk kishte deklaruar saktë burimin e krijimit të një vlere monetare prej 34 mijë eurosh, që ka shërbyer për të blerë apartamentin, pasi në deklaratën veting ka shënuar si burim të ardhurat e familjes, ndërsa në 2006-ën ka deklaruar dhe një dhuratë nga babai e hua në vëllai.
Komisioni nuk mori në konsideratë kursimet e pretenduara në shumën 200 mijë lekë para fillimit të detyrës në vitin 1992, që bazuar në jurispudencën e Kolegjit mbi të ardhurat e përfituara deri në atë periudhë, u vlerësuan të papërfillshme për shkak të inflacionit deri në 400% që kaloi ekonomia shqiptare në atë periudhë.
Po ashtu, në shkallën e parë të vetingut u vlerësua se Hasa nuk provoi me dokumentacion ligjor burimin e ligjshëm të një huasë 400 mijë lekë të marrë nga vëllai, si dhe as mundësinë e babait, që me burime të ligjshme t’i dhuronte 1 milion lekë.
Hasa në ankim ka pretenduar se familja e origjinës i dha 200 mijë lekë në mesin e vitit 1994, pas largimit të tij, për kontributin që kishte dhënë. Ai ka shpjeguar se nuk mund t’i provojë pasi ka qenë aktivitet informal. Ndërkohë, ka kundërshtuar moskonsiderimin e tyre për shkak të inflacionit, duke argumentuar se në atë periudhë pati rritje të ndjeshme të çmimeve për produktet bujqësore dhe blegtorale, që gjeneruan likuiditete për familjen bujqësore.
Po ashtu, ka pretenduar se nuk ka mospërputhje të shumës së deklaruar si pakësim i gjendjes cash, por gabim në përllogaritjet e kryera në deklarimin e kursimeve të vitit 2006. Hasa ka parashtruar gjithashtu, se babai dhe vëllai kanë pasur mundësi për t’i dhënë shumat e deklaruara, pasi kanë ushtruar aktivitet bujqësor dhe blegtoral.
Ashtu si KPK, edhe Kolegji vlerëson se subjekti nuk ka qenë ka qenë i saktë në deklarimin e burimeve të krijimit të kësaj pasurie, pasi në 2006-ën ka pasqyruar huan marrë të vëllait dhe dhurimin e prindërve duke i atribuuar si burim krijimi për vlerën e përdorur për pagesën e apartamentit. Ndërsa në deklaratën veting këto aspekte nuk janë pasqyruar, si dhe as nuk është shpjeguar mospërputhja me rezultatet e hetimit.
Kolegji e ka gjetur të drejtë arsyetimin e Komisionit për të konsideruar inflacionin pas viteve 90’ dhe pamundësinë për të krijuar kursime të qenësishme. Ndërkohë, edhe vëllai dhe prindërit kanë rezultuar në pamundësi për dhënien e huasë e të dhurimit. Sipas KPA, nga analiza finaciare rezulton balancë negative në shumën 1.4 milionë lekë për krijimin e kësaj pasurie.
Po ashtu, në Kolegj është konfirmuar pamundësia financiare për blerjen e një apartamenti në Berat në vitin 2015 dhe pasaktësia në deklarimin e çmimit të kësaj pasurie. Megjithëse Hasa ka deklaruar se apartamenti është blerë për 2.4 milionë lekë, nga hetimi administrativ ka rezultuar që në harkun kohor janar – mars 2015 të ketë paguar nëpërmjet bankës në favor të shitësit, shumën prej 2 milion e 950 mijë lekësh – 550 mijë lekë më shumë nga çmimi.
Pretendimi i subjektit, se shitësi i ka kthyer atij një pjesë të kësaj shume apo shpjegimet për arsyet për të cilat palët kanë zgjedhur të veprojnë sikurse është dokumentuar nga aktet bankare, konsiderohet si i pabesueshëm, pasi ka mbetur deklarativ. “Jo vetëm nuk ka asnjë gjurmë të kthimit të shumës prej 550.000 lekësh shitësve, por versioni i fakteve të prezantuara nga subjekti është alogjik e nuk bën kuptim nga cilido aspekt i analizuar”, konstaton Kolegji dhe ka gjetur të drejtë konkluzionin e KPK se për këtë pasuri është paguar shuma prej 2 milionë e 950 mijë lekësh. Nga analiza financiare për pagesën e çmimit të apartamentit dhe mbulimin e shpenzimeve në vitin 2015, ka rezultuar bilanc negativ në shumën 1 milion lekë.
Sipas KPK, deklarimet kontradiktore dhe një sërë transaksionesh joformale të gjyqtarit Hasa në lidhje me dy apartamente në qytetin e Çorovodës, ka sjellë vështirësi në kontrollin e ligjshmërisë së këtyre pasurive.
Edhe sipas Kolegjit, rezulton se Hasa ka kryer një sërë transaksionesh pa dokumentacion dhe në kundërshtim me ligjin, përfshirë blerjen e një apartamenti nga një individ që nuk kishte të drejtë ta shiste, veprimet e shitjes më pas riblerjen e një pasurie për të cilën nuk kishte titull pronësie.
“…Subjekti i rivlerësimit rezulton të ketë zgjedhur të veprojë në informalitet, në mënyrë të përsëritur, për arsye të pashpjeguara prej tij”, konstaton KPA.
Megjithatë, ndryshe nga KPK që i ka konsideruar si shkelje etike këto veprime, Kolegji sjell në vëmendje se deri në vitin 2006 kur janë kryer, nuk ka pasur ende një grup parimesh të formalizuara, sikurse Kodi Etikës Gjyqësore, e për rrjedhojë nuk i ka konsideruar këto gjetje penalizuese në këtë drejtim.
Nga ana tjetër, trupi gjykues i Kolegjit vëren se, në kushtet që veprimet e subjektit janë tërësisht deklarative, vërtetësia e tyre mbetet e pamundur për t’u verifikuar në drejtim të kohës dhe çmimit të shitblerjes së pasurisë.
KPA ka verifikuar analizën financiare të përgjithshme prej nga është konfirmuar bilanci negativ total në vlerën 4.7 milionë lekë.
Cënimi i besimit
Komisioni ka konkluduar se subjekti ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë, bazuar në verifikimin e disa indicieve të përcjella nga organet verifikuese për përfshirje të Hasës në veprime korruptive apo të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm për të favorizuar të pandehurit, si dhe me veprimet e kryera me apartamentet në Çorovodë e për një huadhënie.
Edhe Kolegji i ka vlerësuar këto rrethana në drejtim të vlerësimit tërësor, duke e gjetur të drejtë konkluzionin e KPK se subjekti ka ndërmarrë veprime e marrë vendime të cilat cënojnë besimin tek drejtësia.
Trupi gjykues i KPA konstaton ndër të tjera se vendimmarrjet e subjektit për një të dyshuar janë kryer në kushtet e papajtueshmërisë, pasi veç miqësisë që kishin, Hasa i kishte dhënë hua me interes.
“Vendimmarrja në kushtet e miqësisë me të dyshuarin vë në pikëpyetje objektivitetin e subjektit dhe duhet të ishte bërë shkas që ai të jepte dorëheqjen. Disa javë pasi subjekti ka marrë vendimin e dytë për zbutjen e masës së sigurimit, huamarrësi ka lëshuar edhe deklaratën noteriale të përdorur nga subjekti gjatë kontrollit në ILDKPKI për të shpjeguar deklarimin e tij në deklaratën e 10 viteve më herët për fitimin e interesit në shumën 200.000 lekë”, konstaton Kolegji.
Nga ana tjetër, në kushtet që përfundimi i marrëdhënies së huas përpara vendimmarrjes së subjektit në procesin penal mbeti deklarativ, KPA vëren se është e pamundur të përjashtohet ekzistenca e marrëdhënies debitor-kreditor mes gjyqtarit dhe palës në vendimmarrje, ç’ka përbënë shkak për heqje dorë.
“…Minimalisht në versionin e paraqitur prej tij – ekzistencën e marrëdhënies miqësore afatgjatë me një palë në një proces të ndjekur prej tij – ka qenë në kushtet e papajtueshmërisë dhe duhet të kishte kërkuar dorëheqjen”, arsyeton Kolegji dhe i gjen rrethanat të mjaftueshme për situatën e cënimit të besimit.
Po ashtu, gjendet i bazuar edhe konkluzioni tjetër i KPK për rastin e takimit të subjektit me dy persona për një vendimarrjeje. “Në kushtet që subjekti e ka konfirmuar takimin me dy persona për efekt dhe përpara vendimmarrjes përfundimtare për këtë të pandehur në vitin 2019, sikurse Komisioni, edhe trupi gjykues i Kolegjit konstaton se përputhen indiciet nga organet ligjzbatuese me faktet e rezultuara gjatë hetimit”, citohet në vendim.
Kolegji sjell në vëmendje dhe faktin se Hasa ka votuar në pakicë për shqyrtimin e çështjes me gjykim të shkurtuar për këtë të pandehur, ndonëse ka qenë në mënyrë të shprehur i ndaluar për veprat penale për të cilat po kryhej gjykimi. “…Subjekti duket të ketë treguar qasje favorizuese ndaj të pandehurit në kushtet që nëse ai interpretim do të kishte shumicë votash, i pandehuri do të përfitonte zbritjen e 1/3 së dënimit”, konstaton KPA dhe shton se mbetet i paprovuar versioni i Hasës se, personi me të cilin u takua nuk është përpjekur të ndikonte mbi vendimarrjen.
Probleme janë gjetur dhe në një vendimarrje të subjektit për zëvendësimin e masës së sigurimit të një të pandehuri nga “arrest në burg”, në “detyrim paraqitje” – lehtësim që është kryer pasi i hetuari është marrë i pandehur, si dhe në kushtet kur ka rezultuar përsëritës në kryerjen e paligjshmërisë.
Ashtu si KPK, edhe Kolegji vlerëson se subjekti e ka favorizuar të pandehurin duke i zbutur masën e sigurimit të pandehurit. “Zëvendësimi i masës së sigurimit pak ditë pasi i dyshuari ka marrë cilësinë e të pandehurit dhe ka pranuar kryerjen e veprës penale në mënyrë të përsëritur, edhe në analizën e kryer nga trupi gjykues i Kolegjit duket të përbëjë një qëndrim favorizues të subjektit, që përkon me indiciet që rezultojnë nga informacioni i përcjellë nga organet ligjzbatuese”, vlerrëson Kolegji dhe shton se Apeli e ka ndryshuar masën duke arsyetuar se nuk kishte rrethana që tregonin nevojë për ta zbutur.
Në përfundim, është gjetur i drejtë konkluzioni i Komisionit se gjyqtari Dyrim Hasa ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë dhe se ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia.




