Trupa e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit gjatë një procesi. Foto: Nensi Bogdani/ BIRN.
Analiza KPA Veting

Argumentet e KPA për lënien në fuqi të shkarkimit të gjyqtares Herila Çela

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA konstaton se ka gjetur të drejtë një pjesë të shkaqeve të ngritur në ankimin e gjyqtares së Vlorës, Herila Çela kundër vendimarrjes së Komisionitt ë Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin e saj. Kolegji vlerëson se shkarkimi i gjyqtares Çela duhet lënë në fuqi për shkak të pamundësisë financiare dhe gjendjes së saj në kushtet e konfliktit të interesit. Ndërkohë që nuk shprehet lidhur me konkluzionin e KPK, që në vlerësimin tërësor konstatoi se subjekti gjendej në kushtet e cënimit të besimit të publikut,

Herila Çela e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 dhe punoi për dy dekada pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Vendimet e gjyqtares Herila Çela u bënë dy herë objekt i kërkesave të Ministrisë së Drejtësisë për procedimin disiplinor të saj dhe në vitin 2014 i’u vendos masa “vërejtje me paralajmërim”, por kjo masë u rrëzua nga Gjykata Administrative e Apelit. Po ashtu me vendim gjykate u rrëzua dhe një gjovë e ILDKPKI-së për gjendjen në kushtet e konfliktit të interesit, por KPA vlerësoi se legjislacioni e përcakton qartë është një gjendje e tillë, që në këtë rast konsideroi se është e provuar nga aktet e administruara.

Mungesë burimesh

Komisioni ka arritur në konkluzionin se gjyqtarja Çela dhe personat e lidhur me të kanë pasur mungesë të burimeve të ligjshme për krijimin e dy depozitave në vlerat 944 mijë lekë dhe 630 mijë lekë në vitin 2006, pasi ka rezultuar bilanc negativ në shumën 1 milion lekë.

Ashtu si dhe gjatë hetimit administrativ në KPK, subjekti ka mbajtur të njëjtin qëndrim, duke pretenduar se si burim krijimi për këto depozita kanë shërbyer kursimet e prindërve të saj, si dhe arkëtimi i shumës 1 milion lekë nga shitja e truallit në pronësi të nënës. Ajo ka shpjeguar se vlera monetare për shitjen e truallit është përfituar përpara lidhjes së kontratës së shitjes të nënshkruar në mars të 2007-ës.

Bazuar në aktet e administruara, Kolegji vlerëson se mbeten në nivel deklarativ pretendimet e subjektit se likujdimi i çmimit për shitjen e truallit është kryer në shtator të vitit 2006 dhe jo në mars të 2007-ës, kur është nënshkruar kontrata. Po ashtu, kanë mbetur pa peshë përcaktuese dhe pretendimet se kishte mundësi për të investuar në këto depozita nga të ardhurat e biznesit të bashkëshortit, pasi burimi i deklaruar nga vetë subjekti ka qenë “dhuratë nga prindërit”. Për rrjedhojë, edhe KPA vlerëson se gjyqtarja. Çela dhe personat e lidhur kanë qenë në pamundësi për krijimin e këtyre depozitave në vitin 2006.

KPK ka konstatuar pamundësi në shumën 848 mijë lekë, edhe për një depozitë tjetër në vlerën 539 mijë lekë, me burim të deklaruar të ardhurat gjatë periudhës 1997-2003.

Çela ka theksuar se depozita është krijuar para emërimit të saj në detyrë. Ajo ka kërkuar që në analizë të përfshihen të ardhurat nga biznesi bashkëshortit, duke shpjeguar se këto të ardhura nuk i ka pasqyruar në deklaratën veting për shkak të vështirësisë që kishte hasur në deklarim.

Lidhur me faktin se kjo pasuri është krijuar para fillimit të detyrës, Kolegji sjell në vëmendje se standardi i kontrollit i vendosur në kuadër të reformës në drejtësi, kërkon verifkimin e plotë të pasurive të deklaruara dhe nuk e kufizon atë në pasuri të krijuara para apo pas emërimit në detyrë të magjistratit.

Nga analiza financiare për të ardhurat për periudhën 1997-2003, ka rezultuar se subjekti i rivlerësimit ka pasur mungesë të burimeve të ligjshme për të përballuar shpenzimet dhe gjithashtu për të krijuar kursime, duke rezultuar me bilanc negativ në masën prej 847 mijë lekësh. KPA ka kryer edhe një analizë alternative, duke përllogaritur fitimin e mundshëm nga aktiviteti i bashkëshortit si person fizik, me marzh fitimi 30% mbi xhiron e parashikuar në fletën e njoftimit të tatimit, por sërish ka rezultuar pamundësi financiare.

Gjyqtarja Çela është gjetur me bilanc negativ në shumën 2.1 milionë lekë, edhe për dy depozita të tjera në vlerat 2.8 milionë lekë dhe 2.7 milionë lekë. Sipas KPK, ajo ka rezultuar në pamundësi për krijimin e këtyre depozitave në vitin 2004 dhe për shtimin e likujditeteve dhe kryerjen e shpenzimeve në 2010-ën.

Subjekti ka pretenduar se, megjithëse KPK ka njohur të ardhurat nga aktiviteti privat i bashkëshortit, nuk jep asnjë argument përse nuk i njeh të ardhurat për vitin 2003. Ajo ka nënvizuar se ka paraqitur të njëjtin dokumentacion për të vërtetuar ushtrimin e aktivitetit të personit fizik nga bashkëshorti, në të tri këto vite.

Duke iu referuar argumenteve të subjektit se pasaktësitë në deklarime nuk mund të sjellin pasoja kur janë të pashoqëruara me pamundësi financiare, Kolegji konstaton se në këtë rast faktet tregojnë një tjetër realitet. Sipas KPA, në rastin e procesit të rivlerësimit të Çelës, ka rezultuar se të ardhurat e pretenduara nuk janë deklaruar në deklaratën e pasurisë veting e në deklaratat periodike, si dhe nuk janë provuar me dokumentacion justifikues ligjor.

Po ashtu, për një dhurim nga prindërit si burim për shtimin e depozitave në vitin 2010, që konstatohet se është deklaruar nga subjekti për herë të parë pas kalimit të barrës së provës në KPK, Kolegji vlerëson se ka mbetur në nivel deklarativ.

“Kjo vlerë, përveçse nuk është deklaruar në deklaratën e pasurisë vetting apo deklaratat periodike vjetore si burim i krijimit të këtyre depozitave, është deklaruar për herë të parë nga subjekti i rivlerësimit vetëm pas kalimit të barrës së provës në Komision, si dhe nuk u provua me dokumentacion justifikues ligjor, duke mbetur kështu në nivel deklarativ”, arsyeton Kolegji.

Edhe prej analizës financiare të kryer në KPA, janë konfirmuar balancat negative në konstatuara në KPK, për pamundësi në investimin e depozitave në vitin 2004 dhe shtesat në 2010-ën. Po ashtu, është konfirmuar pamundësia financiare prej 235 mijë lekësh e konstatuar nga Komisioni, edhe për blerjen e një automjeti të llojit “Nissan” në shkurt të vitit 2007.

Megjithëse pamundësia financiare prej 6.1 milionë lekësh u reduktua në 4.2 milionë lekë nga analiza financiare e kryer në Kolegj, sërish ajo u gjet shkarkuese.

Konflikti i interesit

Komisioni ka konstatuar se subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur kanë krijuar të ardhura apo përfitime si pasojë e situatës së konfliktit të interesit, pasi bashkëshorti ka lidhur kontrata me institucione tё ndryshme publike. Sipas KPK, nga verifikimi i dokumenteve të administruara në dosjen e ILDKPKI, rezulton se shoqëria e zotëruar nga bashkëshorti i gjyqtares Çela është shpallur fitues në disa procedura të prokurimit publik deri në vitin 2017.

Subjekti ka parashtruar, se edhe sikur të supozohet se bashkëshorti i saj ka konsumuar këtë kundërvajtje, në kushtet kur nuk është konstatuar asnjë indicie e qenies së saj në keqbesim, kjo gjetje e Komisionit nuk mund të ketë ndikim në procesin e rivlerësimit apo në marrjen e masës disiplinore ndaj saj.

Në përgjigje të barrës së provës, ajo ka deklaruar se, për të qenë në kushtet e konfliktit të interesit, kërkohet që zyrtari, për shkak të interesave të tij privatë, të ketë ndikuar apo, në pamje, duket se ka ndikuar ose mund të ndikojë në kryerjen në mënyrë të padrejtë të detyrave të tij si zyrtar. Çela ka theksuar se jo vetëm nuk ka pasur dijeni, por edhe nuk ka pasur mundësi për të ndikuar de facto apo në dukje në procedurat e prokurimit publik, kjo për faktin se veprimtaria si gjyqtare zhvillohet pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe jo pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, e cila ka në kompetencën e saj lëndore shqyrtimin e të gjitha konflikteve që lidhen me procedurat e prokurimit apo të konflikteve në zbatimin e kontratave me institucionet publike. Për rrjedhojë, ka pretenduar se nuk ka pasur konflikt interesi, as në dukje.

Po ashtu, subjekti ka parashtruar se tashmë për këtë konflikt interesi ka vendimarrje të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, që ka marrë formë të prerë dhe nuk mund të gjykohet përsëri.

Në vendim konstatohet se, nga verifikimi akteve rezulton që Inspektori i Përgjithshëm i ILDKPKI-së, të ketë vendosur ndaj Çelës masën administrative dënim me gjobë, në shumën 200 mijë lekë, me arsyetimin se nuk ka marrë masat e duhura ligjore për parandalimin sa më të hershëm të konfliktit të interesit.

Subjekti ka kërkuar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative Tiranë shfuqizimin e vendimit të ILDKPKI-së. Në dhjetor të vitit 2022, gjykata ka pranuar kërkesën Çelës, duke e rrëzuar gjobën e caktuar ndaj saj.

Kolegji nuk është ndalur në arsyetimin e vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë të paraqitur nga subjekti në funksion të hetimit administrativ, por sjell në vëmendje se ligji “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, ndalon shprehimisht përfitimin e të ardhurave nga lidhja e kontratave me institucione publike për funksionarët publikë dhe personat e lidhur me to.

“…Për efekt të këtij procesi dhe rrethanave të konstatuara, mbetet e provuar se subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur me të kanë krijuar të ardhura dhe përfitime si pasojë e situatës së konstatuar të konfliktit të interesit”, vlerëson Kolegji dhe konkludon se qëndron përfundimi i KPK, se subjekti gjendet në kushtet e konfliktit të interesit.

KPA nuk shprehet lidhur me konkluzionin e KPK në vlerësimin tërësor të çështjes për cënimin e besimit të publikut, por vëren, se pavarësisht se një pjesë e shkaqeve të ngritura në ankim nga Çela u gjetën të drejta, nuk mund të konsiderohen të tilla që të ndryshonin vendimin e KPK për shkarkimin e këtij subjekti rivlerësimi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *