Trupa e KPK-së gjatë seancës për prokuroren Elveta Murra. Foto: Vladimir Karaj.
KPK Lajme Veting

Elveta Murra përballet me barrë prove për bilanc negativ prej 14 milionë lekësh

Ndryshe nga sa është e zakonshme në seancat dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku palët zakonisht debatojnë mbi barrën e provës, në seancën e të enjtes avokati i prokurores Elveta Murra pranoi një pjesë të problemeve që rrezikojnë karrierën e klientes së tij.

Avokati Koçi Mato i tha Komisionit se subjekti i mbrojtur prej tij kishte bërë deklarime të pasakta, kishte gabime në plotësimin e deklarimeve dhe se disa prej kontratave të shit-blerjes së pasurisë nuk ishin në formën e kërkuar nga ligji, por pretendoi se këto ishin pasoja të informalitetit në vend dhe kërkoi rihapje të hetimit në dy kriteret e tjera.

Më herët, Roland Ilia, relatori i trupës me kryesuese Etleda Çiftjan dhe anëtare Pamela Qirko lexoi gjetjet e Komisionit, që nxirrnin prokuroren me mungesë burimesh në shumën totale prej 14 milion lekësh. Sipas Ilias, problemet rridhnin nga transaksionet për blerjen e një apartamenti 3+1 në Elbasan, blerjen dhe shitjen e një garsoniereje dhe dy apartamenteve në Pogradec, shitjen e një sipërfaqeje toke dhe transaksionet me makinat.

Ai po ashtu vuri në dukje mosdeklarimin e një kredie të marrë nga djali dhe paraqitjen e një dokumenti fotokopje të deklarimit vjetor të pasurisë, i cili ishte i ndryshëm nga origjinali i administruar nga ILDKPKI.

Elveta Murra e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1985. Ajo punon prej më shumë se tre dekadash si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Elbasan. Vëzhgues ndërkombëtar ishte Gerrit Sprenger.

Problemet e pasurisë

Seanca e të enjtes nisi me një kërkesë ndjese nga avokati i Murrës, Koçi Mato, i cili i tha Komisionit se kërkonte ndjesë për shtyrjen e tre seancave “për shkak të problemeve shëndetësore”.

Më pas relatori Ilia lexoi gjetjet e Komisionit vetëm në kriterin e pasurisë. Ilia tha se një apartament i blerë për rreth 5.5 milion lekë në vitin 2008, ishin gjetur një sërë problemesh vetëm bazuar në deklarimet e prokurores.

Sipas Ilias, koha e pagesës së kësteve për të blerë apartamentin dhe burimet që kishin shërbyer për të ishin deklaruar në forma të ndryshme dhe kontradiktore prej Murrës. Ai tha se referimi si burim i shitjes së një sipërfaqeje toke për shumën 4.5 milionë lekë dhe shitjes së një apartamenti 2+1 për 2.6 milionë lekë, nuk ishin marrë në konsideratë pasi kishin ndodhur pas nënshkrimit të kontratës që parashikonte se këstet shlyheshin brenda vitit 2008.

Ilia tha se në përgjigje të pyetësorëve, Murra kishte dhënë shpjegime të ndryshme, duke e komplikuar situatën dhe se shpjegimet nuk përkonin me ato që ishin gjetur në dokumentet e nënshkruara për këtë pasuri.

Po ashtu, sipas relatorit nuk u provua shitja e tokës për shumën 4.2 milionë lekë. Ai tha se mënyra se si ishte bërë transaksioni ishte jo në formën e kërkuar nga ligji dhe nuk kishte gjurmë të transferimit të parave. Kjo shumë sipas Ilias nuk u mor në konsideratë në analizë financiare.

Njësoj probleme u gjetën edhe me transaksionet me disa apartamente në Pogradec. Ilia tha se KPK kishte gjetur mosdeklarime dhe deklarime të pasakta të sipërfaqeve dhe vlerave të tyre. Se qëndrimet e subjektit në deklaratat vjetore, atë veting dhe në pyetësor ishin të ndryshme dhe se shumat e përfituara në këto transaksione nuk konsideroheshin të ligjshme, pasi për to nuk ishin paguar detyrimet tatimore. Një garsionere që ishte në fillim të këtyre transaksioneve rezultonte herë me sipërfaqen 25 metra dhe herë të tjera me sipërfaqen 46 metra. Ilia tha se edhe vlera e saj kishte ndryshuar dhe se nuk qe i qartë çmimi i saj.

Ilia tha se subjekti kishte pretenduar mbulimin e disa shpenzimeve me kursimet, por sipas tij KPK nuk kishte gjetur deklarim të pakësimit të gjendjes cash apo kursimeve në vitet kur këto referohej se ishin përdorur.

Ndërkohë, Ilia tha se ishin gjetur probleme në mosdeklarimin e saktë të parave në një llogari bankare dhe po ashtu mosdeklarimi i llogarive të personave të lidhur. Ai tha se prokurorja nuk kishte deklaruar as një kredi të marrë nga i biri. Relatori vuri në dukje se pasi ishte vënë në dijeni për këtë fakt, Murra kishte dorëzuar fotokopje të faqes 10 të një deklarimi vjetor në të cilin pretendohej se ishte deklaruar kredia, por Ilia tha se kjo faqe nuk ishte e njëjtë me dokumentin që Komisioni kishte administruar nga ILDKPKI.

Probleme rezultuan edhe në transaksionet me dy makina. Ilia tha se dy mjete ishin blerë me çmim të lirë dhe ishin shitur më pas me një çmim më të lartë. Ai vuri në dukje se të ardhurat e përfituara nga këto transaksione nuk ishin marrë parasysh, pasi për to nuk rezultonte i paguar tatimi. Pas heqjes nga analiza e këtyre të ardhurave, subjekti dhe bashkëshorti rezultuan me pamundësi në blerjen e një mjeti të ri në Gjermani.

Mbrojtja

Avokati Koçi Mato bëri një mbrojtje të shkurtër në seancë. Ai renditi fillimisht një listë me prova që kishte sjellë, përfshi deklarata noteriale që duhej të provonin disa nga transaksionet dhe një ekspertizë kontabiliteti për të ardhurat e subjektit.

Pasi vlerësoi hetimin e kryer nga trupa, avokati tha se kërkonte që këto të merreshin në konsideratë, së bashku me justifikimin e tij se informaliteti dhe praktika e re e deklarimit të pasurisë kishin sjellë pasaktësitë në vite. Ai tha se shumë subjekte kishin pasur probleme në deklarimin e pasurive në mënyrë të saktë, ndërsa shtoi se kontratat që nuk ishin në formën e kërkuar nga ligji ishin pasojë e informalitetit në vend.

Mato tha se KPK duhej të merrte për bazë faktin se të gjitha transaksionet kishin sjellë në blerjen e një apartamenti dhe një makine. Sipas tij, kalimi nga një apartament 1+1 në një 2+1 dhe në një 3+1, duke shitur njërin për të financuar blerjen e tjetrit ishte tregues që subjekti nuk kishte vënë pasuri.

Mato po ashtu i kërkoi KPK-së që të rishikonte analizën financiare dhe të ulte shpenzimet e qëndrimit të djalit të subjektit në Gjermani. Avokati tha se KPK kishte llogaritur shpenzimet e djalit në shumën 50 euro dita si turist, por këmbënguli se ai kishte qenë në një kamp refugjatësh. Mato tha se kishte sjellë një dokument nga Gjermania që e provonte këtë.

Në fund, ai i kërkoi Komisionit të rihapte hetimin në dy kriteret e tjera dhe të konsideronte se ajo ishte e përshtatshme në kriterin e pasurisë. KPK vendosi që të njoftojë vendimin për çështjen në datën 23 qershor.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *