Kolegji i Posaçëm i Apelimit gjatë një seance.
KPA Lajme Veting

Kolegji rrëzon ankimin e ish-gjyqtarit Skënder Damini

Kolegji i Posaçëm i Apelimit i çmon të pabazuara shkaqet e ngritura nga ish-gjyqtari i Apelit të Vlorës, Skënder Damini në ankimin e tij kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK që ndëpreu vetingun e këtij subjekti rivlerësimi pas dorëheqjes së tij, si dhe i hoqi të drejtën e rikthimit në sistemin e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme.

Gjyqtari Skënder Damini kërkoi më 17 nëntor 2021 dorëheqjen nga detyra, vetëm pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK i kishte kaluar barrën e provës për pasurinë, kriterin vetëm të rivlerësimit për të cilin ishte përmbyllur hetimi administrativ ndaj tij. Në përfundim, Damini kërkoi që procesi i vetingut ndaj tij të mos fillojë ose të pushohet, me qëllim shmangien e sanksionit që i ndalon rikthimin në drejtësi, megjithëse KPK ishte investuar për afro tre vjet.

Kjo kërkesë e Daminit nuk u pranua nga KPK që vendosi më 14 dhjetor të ndëpresë procesin e rivlerësimit për këtë subjekt dhe ti ndalojë riemërimin në institucionet e drejtësisë në pozicione që kërkojnë gëzimin e statusit të magjistratit, për një periudhë 15-vjeçare.

Në vendimin e arsyetuar të Kolegjit sqarohet se Damini pretendoi në ankimin e tij se KPK ka dhënë një vendim në mosrespektim të ligjit, duke trajtuar gabim të drejtën e fituar me ligj të magjistratit për dorëheqje. Ai kërkoi shfuqizimin e pikës së dytë që i ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vite, duke pretenduar se ishte në kundërshtim me parimin e proporcionalitetit, me garancitë juridike mbi të drejtën për privatësi që ofron neni 8 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe se ishte marrë në shkelje të së drejtës për një proces të rregullt ligjor pasi nuk është dëgjuar nga Komisioni lidhur me dorëheqjen.

KPA vëren se në vendimin e Komisionit nuk janë konstatuar shkelje procedurale të tilla, që të kërkonin korrigjimin e tyre, duke e kaluar gjykimin e çështjes në seancë gjyqësore publike. Për rrjedhojë, shqyrtimi i çështjes ka vijuar në dhomë këshillimi.

Pretendimi i Daminit se e ka dhënë dorëheqjen në kuadër të ligjit për “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe Komisioni e ka vlerësuar në mënyrë të gabuar në kuptim të nenit G të Aneksit të Kushtetutës që lidhet me procesin e vetingut, është vlerësuar i pabazuar nga KPA.

“Vullneti për të mos iu shmangur procesit të rivlerësimit, sipas përcaktimit të tij në dispozitat kushtetuese dhe në ligjin nr. 84/2016, shprehet vetëm nëpërmjet qëndrimit në detyrë dhe përfundimit të procesit të rivlerësimit. Në momentin që subjekti i rivlerësimit, me vullnetin e tij të lirë ndërpret detyrën funksionale që e bën atë subjekt të procesit të rivlerësimit ex officio, duhet të marrë parasysh edhe pasojën ligjore që sjell dorëheqja nga detyra në ecurinë e procesit të rivlerësimit sipas nenit G të Aneksit të Kushtetutës”, arsyeton Kolegji dhe sjell në vëmendje edhe jurisupdencën e Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë situatë.

KPA arrin në përfundimin se, për sa kohë dorëheqja e subjektit të rivlerësimit përmbush kriteret e përcaktuara në nenin G të Aneksit të Kushtetutës, atëherë pasoja juridike e parashikuar në këtë nen do të duhet të zbatohet në tërësinë e saj, duke i kufizuar dhe të drejtën për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

I pabazuar është gjetur edhe shkaku i ngritur në ankim për cënim të së drejtës për proces të rregullt ligjor, me pretendimin se nuk është dëgjuar në seancë publike. Kolegji ka verifikuar dokumentacionin e fashikullit të Komisionit për procesin e rivlerësimit të Daminit, nga ka rezultuar se Komisioni i ka kërkuar subjektit që të shprehë vullnetin e tij nëse dëshiron ose jo të marrë pjesë në seancë dëgjimore ku do të trajtohej ndërprerja e procesit të rivlerësimit në zbatim të nenit G të Aneksit të Kushtetutës, ku parashikohet edhe sanksioni.

Nga verifikimi ka rezultuar se Damini është shpehur se nuk ka dashur të marrë pjesë në seancën dëgjimore. “Në shqyrtim të fakteve të konstatuara si më sipër, trupi gjykues vlerësoi se mosdëgjimi i subjektit të rivlerësimit në seancë dëgjimore në Komision, ka ardhur si pasojë e vullnetit të vetë atij”, konstaton KPA.

Po ashtu, është rrëzuar edhe shkaku lidhur me pikën 2 të vendimit të Komisionit, me pretendimin se heqja e të drejtës për rikthimin në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare, është në kundërshtim me parimin e proporcionalitetit.

Trupi gjykues i KPA vëren se ky pretendim i Daminit lidhet lidhet me çështje ligjore të interpretimit të paragrafit 2 të nenit G të Aneksit të Kushtetutës dhe se nuk mund të jetë objekt i gjykimit në Kolegj, për sa kohë që ai është një parashikim kushtetues.

“Masa e kufizimit për të qëndruar 15 vite jashtë sistemit të drejtësisë, është përcaktuar nga kjo dispozitë kushtetuese, si një periudhë e caktuar, fikse, dhe jo e vendosur në marzhe, rast në të cilin vlerësimi i institucioneve të rivlerësimit për efekt të përcaktimit të periudhës së kufizimit, do t’i nënshtrohej parimit të proporcionalitetit,” argumenton Kolegji duke iu referuar edhe jurispudencës së Gjykatës Kushtetuese.

Po ashtu, janë vlerësuar të pabazuara dhe pretendimet se ky sanksion ka ashpërsi me natyrë penale dhe se është në kundërshtim me KEDNJ-në. Në përfundim, KPA ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Komisionit për këtë subjekt rivlerësimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *