Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i rrëzoi si të pabazuar shumicën e konkluzioneve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për pasurinë, figurën dhe profesionalizmin e prokurorit të Korçës, Dashnor Nure duke e rikthyer atë në detyrë.
Komisioni konkludoi se subjekti nuk kishte burime të ligjshme për blerjen e një automjeti dhe krijimin e një gjendje cash, si dhe se ishte përpjekur të fshehë apo të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasuritë e tij.
Në kontrollin e fiugrës, u konkludua se informacionet që disponoheshin në ngarkim të Nures, ishin të bazuara në fakte dhe rrethana konkrete. Sipas KPK, edhe nëse këto konstatime nuk do të ishin të mjaftueshme për të arritur në një konkluzion lidhur me kontrollin e pastërtisë së figurës, u çmua se mospërmbushja e rregullt e detyrës cenonte pastërtinë e figurës dhe shkallën e besueshmërisë së subjektit të rivlerësimit. Megjithëse për profesionalizimin u arrit në përfundimin se ka nivel kualifikues, në vlerësimin tërësor u arsyetua se Nure nuk kishte vepruar në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, si dhe u arrit në përfundimin se kishte cenuar shkallën e besueshmërisë së tij.
Shumica e konkluzioneve të KPK u gjetën të padrejta nga Kolegji që pas shqyrtimit të çështjes në dhomë këshillimi, vendosi më 9 dhjetor të vitit të kaluar, të konfirmojnë Nuren në detyrë.
Arsyetimi KPA
Nure ka deklaruar në deklaratën veting si pasuri të vetme në zotërim të tij, një automjet të blerë në vitin 2004, si dhe gjendje cash në shumën 650 mijë lekë. Po ashtu, ka deklaruar gjendje cash në vitin 2004 në shumën 900 mijë lekë.
Komisioni nuk ka konsideruar si shpenzim për blerjen mjetit shumën 400 mijë lekë të vendosur në kontratën e nënshkruar nga subjekti, por atë në kontratën e blerjes nga shitësi në vlerë më të madhe prej 5300 eurosh, si dhe detyrimet e taksës doganore në vlerën totale prej 894.578 lekësh. Nga analiza e kryer në KPK, ka rezultuar pamundësi finaciare në shumën 656 mijë lekësh.
Për shkak të këtij rezultati negativ, Komisioni ka konkluduar se veprimet e subjektit për të deformuar të vërtetën lidhur me këtë pasuri përfaqësojnë përpjekjet e tij për të justifikuar mungesën e burimeve të ligjshme.
Bazuar në analizën e provave të administruara gjatë hetimit administrativ, Kolegji ka marë në shqyrtim pretendimin e subjektit se Komisioni në mënyrë të gabuar e të padrejtë, ka përfshirë si vlerë të blerjes së automjetit një shumë më të lartë se ajo e përcaktuar në kontratën noteriale të shitblerjes.
Nure ka shpjeguar se nuk ka pasur dijeni për vlerën me të cilën e kishte blerë shitësi makinën. Në vijim, ka sqaruar se ka paguar edhe detyrimin doganor dhe se vlera e automjetit ka rezultuar më e lartë se ajo e caktuar në kontratën e shitblerjes.
Sipas Kolegjit, duket se subjekti nuk ka dhënë shpjegime bindëse apo të arsyeshme mbi diferencën e vlerave të shpenzuara për blerjen e makinës prej shitësit e më pas prej atij vetë, duke mos i dhënë asnjë kuptim logjik këtij transaksioni. KPA shton se në një moment të hetimit administrative, duket se subjekti është pajtuar me llogaritjen nga Komisioni të vlerës së shpenzuar për blerjen e kësaj pasurie, si dhe ka ndërtuar pretendime të tij alternative edhe mbi këtë version të analizës.
Nisur nga këto të dhëna, trupi gjykues i KPA vlerëson se pretendimi i subjektit për të përfshirë në analizë si vlerë të blerjes së automjetit shumën e përcaktuar në kontratën e shitblerjes së tij, është bërë i qartë vetën në ankim e për rrjedhojë është konsideruar i pabazuar. Për rrjedhojë, gjendet e drejtë përllogaritja e vlerës 5300 euro në analizën financiare të kryer nga KPK për blerjen e makinës.
Ndërkohë, ndryshe nga KPK, vlerësohet se Nure nuk ka bërë deklarim të pasaktë duke pasqyruar në deklaratën veting çmimin e caktuar në kontratën e shitblerjes së automjetit.
Po ashtu, Kolegji mban qëndrim të ndryshëm edhe lidhur me mënyrën e kryerjes së analizës financiare për këtë pasuri. Kolegji ndryshe nga KPK, vlerëson se duhet të përfshihet në analizë një shumë prej 250 mijë lekësh, e siguruar nga shitja e një automjeti të mëparshëm. Sipas KPA, ndonëse kjo shumë nuk është cituar shprehimisht si një vlerë e përdorur për blerjen e automjetit në 2004-ën, duhet të përfshihej në të ardhurat e subjektit pasi është krijuar përpara se të kryhej blerja.
Fakti që Nure ka shënuar në deklaratën veting se, e ka blerë automjetin me të ardhurat nga puna, konsiderohet prej KPA se ai nuk ka përdorur burime të huaja si hua apo dhurime. Ky pohim i subjektit çmohet se nuk përjashton përdorimin e të ardhurave të krijuara nga shitja e një pasurie të mëparshme të tij, që ka qenë e financiuar po me të ardhurat nga puna.
Kolegji vëren se analiza financiare e Komisionit për vitin 2004 është kryer së bashku për të dy pasuritë, si për automjetin ashtu dhe për gjenden cash, meqenëse janë deklaruar si të krijuara në fund të atij viti.
Në kushtet kur automjeti është blerë në nëntor 2004 dhe të faktit që kursimet në cash, të cilat i përkasin atij viti kalendarik, materializohen deri në fund të dhjetorit, trupi gjykues vlerëson se analiza për mundësinë e pagesës së çmimit të makinës duhet të bëhet deri në tetor. Kjo, edhe nisur nga fakti se kursimet në cash janë deklaruar si të krijuara nga pagat dhe disbursimi një kredie në dhjetor të 2004-ës.
Sipas analizës financiare të kryer në KPA, Nure ka rezultuar se ka pasur mundësi financiare për blerjen e automjetit në nëntor të 2004-ës. Ndërsa për krijimin e gjendjes cash në vitin 2004 në vlerën 900 mijë lekë, ka rezultuar balancë negative në shumën prej 56 mijë lekësh.
Nure ka kundërshtuar edhe analizën financiare të KPK të kryer për gjendjen cash prej 650 mijë lekësh, të deklaruar në deklaratën veting, duke pretenduar se është përdorur metodologji e gabuar.
Komisioni ka konkluduar se gjendja cash është krijuar në janar të vitit 2017, pasi nuk janë deklaruar kursime në vitet 2014, 2015 dhe 2016. Ndërkohë, është konsideruar i pabesueshëm pretendimi se kjo shumë rridhte nga kursimet e vitit 2004, pasi subjekti ka qenë përgjatë kësaj periudhe në marrëdhënie kreditimi dhe në pamundësi shlyerje për to.
Kolegji e ka përqëndruar analizën në deklaratat e viteve 2014, 2015 dhe 2016, në të cilat subjekti nuk ka deklaruar kursime. Pavarësisht analizës financiare të këtyre viteve, që sipas KPA, duket se rezulton me bilanc pozitiv, pretendimi i subjektit se mosdeklarimi i kursimeve në cash në këto vite është vetëm një pakujdesi, çmohet pa efekt në vlerësimin e situatës. Për rrjedhojë, trupi gjykues çmon të drejtë analizën e KPK se gjëendja cash e shënuar në deklaratën veting është krijuar në janar të vitit 2017, si dhe bilanci negativ në masën prej 545 mijë lekësh, për krijimin e kësaj pasurie.
Nure ka kundërshtuar qëndrimin e KPK edhe lidhur me adresat e banimit të deklaruara nga subjekti. Ai ka pretenduar se është i gabuar konkluzioni i KPK se banesa e vëllezërve ku ka jetuar për pak kohë është pasuri e fshehur e tij, duke e cilësuar si produkt të një analize hamendësuese, që nuk përkon me realitetin dhe nuk është e bazuar në fakte e prova.
Kolegjii konstaton se subjekti i rivlerësimit në deklaratën veting ka deklaruar adresën tek e cila ai banonte realisht në momentin e plotësimit të kësaj deklarate, e cila rezulton të përfaqësojë vendbanimin e tij në momentin e plotësimit të kësaj deklarate. Për rrjedhojë, nuk konstatohet pasaktësi në këtë deklarim.
Nure nuk rezulton të ketë deklaruar në vite, në mënyrë të plotë dhe të saktë, adresat e banimit apo të regjistrimit në gjendje civile. Për pasojë, Kolegji e çmon të drejtë konkluzionin e KPK se, se mungesa e deklarimit të vendbanimit në deklaratat periodike vjetore pamundëson kontrollin e plotë lidhur me vendqëndrimet e tij.
Megjithatë, KPA konstaton se këto pasaktësi duket se vijnë edhe për shkak të situatës specifike të prokurorit Nure, për aryse se nuk ka pasur në pronësi një banese përgjatë atyre viteve. Kjo rrethanë, sipas Kolegjit, ka diktuar edhe lëvizjen e tij në disa banesa të ndryshme në pronësi të personave të tjerë, duke prodhuar edhe një lloj mungese koherence dhe paplotësie në deklarimin e duhur të tyre.
Ndërkohë, KPA rrëzon dyshimet e ngritura nga KPK për pasuri të fshehur të subjektit në emër të vëllezërve. Kolegji konstaton se, përveç vetëdeklarimit të subjektit se ai ka banuar për një periudhë 2-vjeçare në banesën e vëllezërve të tij, asnjë e dhënë tjetër e dalë nga hetimi nuk rezulton të lidhë atë me këtë pasuri.
“Përkundrazi, të dhënat e vetme që kanë rezultuar nga hetimi provojnë vetëm faktin se kjo banesë është ndërtuar prej vëllezërve që në vitin 2000, kur subjekti jetonte dhe punonte në Ersekë, është përdorur gjithmonë prej dy familjeve të tyre, madje edhe tabela fotografike e administruar nga ALUIZNI, pasqyron një banesë të konceptuar e ndërtuar për qëllime të banimit të vetëm dy familjeve dhe këto dy familje janë ato të vëllezërve të subjektit”, konstaton Kolegji.
Për rrjedhojë, kontrolli i burimeve të krijimit të shtëpisë së vëllezërve të subjektit, çmohet se nuk paraqet asnjë lidhje me marrëdhënien e tij me këtë pasuri.
KPA vlerëson se Komisioni ka bërë një vlerësim të paqartë lidhur me këtë çështje e në mungesë të një analize të rrethanave që e ka shtyrë atë drejt këtij konkluzioni. “…Trupi gjykues, nga shqyrtimi i kujdesshëm i çdo të dhëne që rezulton nga hetimi, nuk konstatoi asnjë fakt që justifikon fillimisht, orientimin e Komisionit drejt hetimit për kontrollin e kësaj pasurie dhe më pas as dhe ndonjë fakt që provon në ndonjë mënyrë të arsyeshme një lidhje të subjektit me këtë pasuri, e cila, për më tepër, të shkaktojë ndonjë përgjegjësi të tij lidhur me këtë prone”, citohet në vendim.
Lëvizja e subjektit në banesa të tjera me qira deri ditën e nënshkrimit të deklaratës së pasurisë veting, por edhe më vonë deri në vitin 2023 kur ka blerë një banesë në pronësi të tij, konsiderohet se konfirmon faktin se Nure nuk ka lidhje me atë pasuri.
Pas rishikimit të analizës financiare të KPK, Kolegji ka konstatuar bilanc negativ në shumën totale prej 602 mijë lekësh, që e vlerësuar nën dritën e proporcionalitetit dhe objektivitetit, është çmuar e pamjaftueshme për të sjellë penalizim.
Kolegji ka analizuar konkluzionet e Komisionit lidhur me figurën, duke i çmuar të pabazuara. Ndryshe nga KPK, Kolegji vlerëson se subjekti ka vepruar sipas kërkesave ligjore në dy çështjet objekt hetimi administrativ, si dhe se i ka arsyetuar vendimarrjet e tij. Për pasojë, konkluzioni i Komisionit se subjekti ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë, lidhur me këto gjetje, gjendet i padrejtë dhe i paargumentuar. Sipas KPA, nuk mund të nxirret asnjë përfundim negativ për sa i përket kontrollit të figurës së subjektit të rivlerësimit.
Po ashtu, nga verifikimi i çështjeve të trajtuara në aspektin profesional, Kolegji konstaton se subjekti ka përdorur në mënyrë të arsyeshme dhe efikase mekanizmat ligjorë për të garantuar të drejtat e palëve në proces. Ato konstatime të KPK që janë gjetur të drejta prej Kolegjit, janë çmuar pa peshë në arritjen e një konkluzioni lidhur me kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale.
Në përfundim, Kolegji ka konkluduar se prokurori Dashnor Nure arrin nivel të besueshëm në të tre kriteret dhe e ka rikthyer atë në detyrë.




