Prokurori Agron Bushati pas seancës në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme

KPA njihet me parashtrimet në vetingun e prokurorit Agron Bushati

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të mërkurën më 5 nëntor me parashtrimet në çështjen e vetingut të prokurorit të Shkodrës, Agron Bushati, që kanë të bëjnë me gjetje në kriterin profesional dhe etikën. Prokurori Klodian Braho, i cili përfaqëson drejtuesin e SPAK, Altin Dumani në këtë çështje, deklaroi se janë konstatuar shkelje, sjellje e veprime që bien ndesh me standardet e etikës së magjistratit, të tilla që kualifikohen në ato që cenojnë besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë. Ai kërkoi shkarkimin e Bushatit nga detyra, ndërsa ky i fundit dhe përfaqësuesja e tij ligjore, avokatja Romina Zano, i cilësuan shkaqet e ankimit të pamjaftueshme për të cënuan vendimarrjen e Komisionit që konfirmoi subjektin në detyrë.

Prokurori Agron Bushati u përball më 27 shtator të vitit 2023 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore u pyet dhe dha përgjigje më së shumti lidhur me një denoncim të orëve të fundit, në të cilin ishte paraqitur një video ku shfaqej subjekti me armë të ftohta, prova të prokurorisë, brenda makinës së tij të parkuar në rrugë ku luante me të bijën, për të cilën ai sqaroi se praktikon artet marciale. Subjekti kërkoi që kjo video të mos cënonte karrierën dhe pagën e tij, që e cilësoi si të ardhurën kryesore për familjen. KPK nuk evidentoi probleme penalizuese në kriterin e pasurisë dhe të figurës, ndërsa në aspektin profesional u trajtuan masat disiplinore të marra ndaj tij, si dhe disa denoncime e kallëzime penale. Komisioni vendosi ta konfirmojë Bushatin në detyrë, ndërkohë që u transferuan për verifikim të mëtejshëm pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD të dhënat e denoncimit të fundit.

Komisionerja Publike, Irena Nino ankimoi të premten më 3 nëntor vendimin e konfirmimit në detyrë të prokurorit të Shkodrës, Agron Bushati, duke kërkuar shkarkimin e tij për probleme në kriterin profesional. Ajo argumentoi se mosveprimet e këtij subjekti në hetimin e disa procedimeve, si dhe në një rast nxjerrja e armëve të ftohta nga dhoma e provave të prokurorisë dhe mbajtja e tyre në ambjent privat, e vendosin në situatën e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.

Prokurori Braho deklaroi se u qëndronin shkaqeve të ankimit dhe solli në vëmendje në fillim të parashtrimeve praktikën e KPA lidhur me kompetencën e Komisionit për transferimin e çështjeve pranë ILD-së për inspektim. Ai vërejti se në raste të tilla duhet të ketë shkelje jo serioze e pa pasoja të rënda procedurale për palët, si dhe që shkelja të jetë brenda afatit të parashkrimit pesëvjeçar. Ndërsa lidhur me cënimin e besimit të publikut, konstatoi se një shkak i tillë që sjell shkarkimin nga detyra të subjekteve të rivlerësimit, konkludohet kur sjelljet e magjistratëve minojnë integritetin e institucioneve të drejtësisë dhe cënojnë besimin e publikut tek ky sistem.

Braho iu referua një vendimeve të Gjykatës së Lartë dhe Apelit Shkodër, të viteve 2022 e 2014, ku sipas tij, është konstatuar se prokurori Agron Bushati në një çështje nuk ka kryer veprime sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurës Penale që kishte detyrim të zbatonte. Po ashtu, Braho shtoi se kur subjekti është pyetur lidhur me kallëzimin në fjalë, është përgjigjur se nuk ka qenë në gjendje të kujtonte asgjë, pasi kishte kaluar një hark kohor i konsiderueshëm. Sipas drejtuesit të SPAK, shkelja e konstatuar në mosveprimin e subjektit të rivlerësimit, është e tillë që kualifikohet në ato që cenojnë besimin e publikut te drejtësia.

Në vijim, u trajtua denoncimi i mbërritur në KPK pak para seancës dëgjimore të subjektit për videon ku ai shfaqet me provat e sekuestruara të prokurorisë, një thikë e një dorezë hekuri. Braho solli në vëmendje shpjegimet e Bushatit, i cili ka deklaruar para Komisionit se ngjarja ka ndodhur në vitin 2017-2018, në makinën e tij, me bashkëshorten, e cila ka regjistruar videon, dhe vajzën e tij, zëri i së cilës dëgjohej duke qeshur. Bushati e ka cilësuar si një ngjarje intime brenda familjes, një shaka që po bënte për të ngritur humorin e vajzës, e cila kishte pasur një ditë jo të këndshme dhe ai kishte dashur ta bënte për të qeshur, duke u hequr si një personazh i filmave vizatimorë. Ai ka sqaruar se kjo ngjarje nuk ka pasur elemente kanosjeje ndaj askujt dhe se armët e ftohta i ka marrë për pak minuta nga dhoma e provave të prokurorisë ku punonte, duke pretenduar se të tilla mjete mund të bliheshin në atë kohë në treg, lirisht.

Ndryshe nga KPK që e dërgoi këtë çështje për verifikim të mëtejshëm pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, drejtuesi i SPAK vëren se veprimi i kryer nga subjekti i rivlerësimit vjen në kundërshtim me standardet e etikës dhe rregullave të sjelljes së magjistratit. Sipas Brahos, ngjarja në fjalë është e paverifikueshme nga ILD, pasi ka kaluar më shumë se pesë vjet nga momenti kur ka ndodhur e për rrjedhojë është parashkruar. Për këtë arsye, sipas tij, i është paraqirut Kolegjit për kontroll.

Sipas drejtuesit të SPAK, sjellja e Bushatit në këtë rast bie ndesh me mënyrën e sjelljes që pritet nga një prokuror, i cili duhet të kujdeset që veprimet e tij të jenë në përputhje me detyrimet e marra përsipër. Për rrjedhojë, drejtuesi i SPAK e vlerëson situatën në cënim të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë. Braho tha se në gjendjen që janë aktet, kërkojnë ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin nga detyra të prokurorit Agron Bushati.

Në prapësim të ankimit, përfaqësuesja ligjore e subjektit, avokatja Romina Zano deklaroi se shkaqet e ankimit janë të pabazuara në argumenta ligjorë. Sipas saj, bëhet fjalë për sjellje të paqëllimshme e pa pasoja reale të subjektit të rivlerësimit gjatë ushtrimit të detyrës, pa peshë konkrete, si dhe për mangësi formale të trajtuara me masë disiplinore nga organet përkatëse. Zano theksoi se rastet e evidentuara tregojnë se nuk bëhet fjalë për një model sjelljeje të përsëritur të subjektit. “SHkaqet nuk mund të cënojnë vendimin e Komisionit. Komisioneri Publik ka gabuar pasi trajton mangësi të izoluara dhe të konstatuara në një kohë të shtrirë”, tha Zano ndër të tjera.

Lidhur me denoncimin për videon ku subjekti shfaqet me armë të ftohta, prova të prokurorisë, Zano e cilësoi si një episod privat, që është parashkruar. Sipas saj, për shkak të mungesës s ëelementëve shkak-pasojë, kjo ngjarje nuk mund të ngrihet në nivelin e cënimit të besimit të publikut.

Zano parashtroi se subjekti ka bërë humor me të bijën, ndërkohë që regjistrimi nuk është bërë publik. Ajo shtoi se dorëzimi i këtij denoncimi një ditë para seancës në KPK, ka pasur si qëllim që ta zërë në befasi. Sipas avokates, subjekti e ka ndarë regjistrimin tek disa kolegë.

“Një video kaq personale, nuk mund të shërbejë për bazë racionale për cënimin e besimit të publikut”, argumentoi Zano dhe shtoi se objektet që shfaqen në videoi nuk kanë qenë pjesë e ndonjë hetimi aktiv, si dhe nuk rezulton e provueshme të janë marrë nga dhoma e provave. “Diçka e paqellimshme dhe pa pasoja nuk mund te sjelle penalizim”, pohoi ajo dhe vërejti se ekspozimi jashtë kontekstit ka krijuar dëm moral tek fëmijet e mitur të subjektit dhe ka cënuar perspektivën e tyre në sport.

Për një procedim të vitit 2003, të trajtuar në ankim, Zano nënvizoi se, në thelb, bëhet fjalë për një devijim të metodologjisë, por jo të sjelljes profesionale të subjektit, pasi nuk ka pasur ndonjë qëllim përfitimi. Po ashtu, theksoi se kjo situatë nuk është ëprsëritur më, pas saknsionit të dhënë nga Prokurori i Përgjithshëm.

Zano kundërshtoi edhe konstatimet e tjera. Lidhur me konstatimin se subjekti nuk mbante mend detaje e një kallëzimi, ajo nënvizoi se subjekti kishte deklaruar se kjo kishte ndodhur për shkak të kohës së gjatë që kishte kaluar.

Për konstatimin e Gjykatës së Lartë, ajo tha se bëhet fjalë për një gabim në procedurë që nuk mund të lexohet në drejtim të cënimit të besimit të publikut.

Për një tjetër çështje të vitit 2002, Zano tha se subjekti nuk e kishte marrë asnjëherë në dorë fashikullin. Sipas saj, megjithëse figuronte emri i tij, nuk gjendej nënshkrimi që të tregonte marrjen në dorëzim.

Edhe kur subjekti u pyet nga trupi gjykues nëse e kishte nënshkruar aktin, ai theksoi se nuk e kishte bërë një gjë të tillë.

Në përfundim, Zano deklaroi se shkaqet e evidentuara nuk e arrijnë pragun e cenimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë dhe nuk plotësojnë kriteret që do të mund të çonin në aplikimin e masës së shkarkimit nga detyra.

Në vijim, subjekti i rivlerësimit iu përgjigj pyetjeve të relatores së trupit gjykues, në funksion të shqyrtimit të çështjes.

Bushati dhe Zano kërkuan lënien në fuqi të konfirmimit.

Për denoncimet e reja, prokurori Braho deklaroi se nuk evidentohen shkaqe për vijimin e hetimeve.

Pasi u konsultua, trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor të çështjes, duke pranuar në cilësinë e provës aktet e depozituara nga subjekti i rivlerësimit, si dhe të mos çelë hetimin gjyqësor për denoncimin e ri.

Në përfundim, u vendos mbyllja e shqyrtimit gjyqësor dhe u ftuan palët që të paraqesin konkluzionet në seancën e ardhshme që do të zhvillohet më datë 13 nëntor në orën 09:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *