Analiza Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Kërkesa për inspektim e masë disiplinore ndaj prokurorit Beluri, “ndau” KPK

Vendimi i zbardhur i KPK-së shpjegon se megjithëse unanime në konfirmimin në detyrë të prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme Kostaq Beluri, trupa gjykuese u nda për pjesën e vendimit që e çon prokurorin për inspektim dhe masë disiplinore. Shumica e KPK-së cilësoi të paplotë hetimin e një çështje, ku i dyshuar ishte gjykatësi i shkarkuar Admir Thanza.

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Kostaq Beluri në seancën dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto: LSA

Ndërsa ka pasur pak punë me verifikimin e pasurive dhe pastërtinë e figurës të prokurorit të Prokurorisë së Përgjithsme Kostaq Beluri, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u ndal më gjatë në shqyrtimin e aftësive profesionale të prokurorit.

Vendimi i zbardhur i publikuar të martën nga KPK, zbulon se ndërsa qe unanim në konfirmimin e Belurit për kriteret e pasurisë dhe pastërtisë së figurës, treshja gjykuese u nda sa i përket qëndrimit për kriterin e fundit.

Shumica, relatorja Brunilda Bekteshi dhe anëtari Luzim Hamitaj, votoi që një nga çështjet që kishte hetuar Beluri të shkonte për inspektim ndërsa i dha atij vetëm vlerësim minimal për aftësitë profesionale, ndërsa kryesuesi i trupës Olsi Komici ndërsa e quajti formimin profesional të Belurit të mjaftueshëm tha se çështja nuk duhej të ishte dërguar për inspektim.

Vendimi ndaj Belurit është i pari që ndërsa i jep konfirmimin në detyrë përcjell edhe kërkesën për inspektim që mund të pasohet me masë disiplinore ndaj prokurorit.

Prokurori Kostaq Beluri ka një karrierë të gjatë në Prokurori dhe në Policinë e Shtetit, ku ka ndërtuar një reputacion me hetimin e çështjeve që lidhen me krimin e organizuar. Ai ka mbajtur postet e zv.drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës, drejtorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit në vitet 2004-2007 dhe zv.prokuror i Krimeve të Rënda. Prej vitit 2014, ai punon në Prokurorinë e Përgjithshme dhe aktualisht kryen funksionin si prokuror i sektorit të Verifikimit të Integritetit.

Çështja për të cilën Beluri u mbajt përgjegjës se nuk kishte realizuar mirë hetimet kishte të bënte me hetimet për një dosje korrupsioni e cila përfshinte gjykatësin Admir Thanza, i cili u shkarkua nga KPK.

Sipas KPK-së hetimet kishin nisur nga Prokuroria e Shkodrës e cila akuzonte për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “kallëzimit të rremë” drejtorin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Shkodër.  Bashkëshortja e këtij të fundit, noterja me inicialet L.H sipas KPK shfrytëzoi lidhjet e saj me njerëz të sistemit të drejtësisë për të shmangur arrestimin e të shoqit.

Gjatë seancës dëgjimore për Belurin, relatorja Bekteshi shpjegoi se noterja ishte mbajtur nën vëzhgim dhe filmuar nga Forca Operacionale e Policisë së Shtetit teksa takohej me shtetasin G.B dhe gjyqtarin Admir Thanza. Sipas saj po ashtu në të dyja rastet, noterja është parë të shkëmbejë para.  Prokuroria e Shkodrës  kishte përgjuar gjithashtu një bisedë të dyshimtë telefonike pas takimit të noteres me gjyqtarin Thanza.

Duke qenë se Thanza ishte anëtar i Gjykatës së Lartë dhe dyshohej për korrupsion, Prokuroria e Shkodrës shpalli moskompetencën dhe ia kaloi dosjen për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Përgjithshme. Prokurori Beluri e regjistroi procedimin nr.3 më 3 mars 2016 dhe pas disa veprimesh hetimore vendosi pushimin e çështjes.

Pikërisht  ky vendim ishte ai që u debatuar gjatë seancës dëgjimore të Belurit, ndërsa anëtarët e KPK-së vunë në dyshim vendimin e prokurorit dhe i kërkuan atij informacion për veprimet hetimore të ndërmarra për këtë dosje.

Në vendimin e zbardhur, ku ndryshe nga vendime të mëparshme të KPK-së, mungojnë arsyetimet apo mbrojtja vetë Belurit apo qëndrimet e përfaqësuesit të ONM-së gjatë seancës dëgjimore, thuhet se KPK nuk qe dakord me qëndrimin e Grupit të Punës pranë Prokurorisë së Përgjitshme, që nuk kishte gjetur probleme në këtë dosje.

Sipas KPK Grupi i Punës në PP kishte parë vetëm veprimet e kryera nga ana e prokurorit, “pa analizuar mangësitë e kësaj dosjeje, sikurse janë konstatuar nga hetimi i Komisionit”. Ky i fundit thotë se gjeti që Beluri nuk kishte ndjekur “logjikën për shtrirjen e hetimit edhe në drejtime të tjera”.

Ndër mangësitë e vërejtura KPK renditi  një sërë veprimesh sipas saj të pakryera prej Belurit. “Mospërfundimi i veprimeve hetimore, moszgjerimi i rrethit të personave që kishin dijeni mbi rrethanat e çështjes, të atyre të dyshuar se mund te kishin kryer veprën penale, si dhe mosanalizimi i deklarimeve që ndodhen në dosje, duke evidentuar: – mungesën e hetimit të thelluar mbi një numër telefonik, mosçmuarjen e përgjimeve  telefonike të personave nën hetim me persona të tjerë që lidhen me ta,  mosbërjen e ballafaqimit, si dhe moskërkimin e sqarimeve nga personi nën hetim (L.H.) dhe as nga persona të tjerë që kishin  dijeni mbi rrethana të dobishme mbi kuptimin e bisedave të kriptuara, mosbërjen e hetimit/analizë pasurore/financiare e pasurive dhe llogarive të personave nën hetim”, thuhet në vendim.

Po ashtu aty vlerësohet se Beluri nuk kishte kryer hetim proaktiv dhe nuk kishte shfrytëzuar shërbimet e specializuara të shtetit për të zbuluar fakte që nuk mund të realizoheshin me mjete të zakonshme të hetimit.

Por në fund trupi gjykues tha se këto probleme nuk çonin në shkarkimin e Belurit. Në arsyetim thuhet se “Trupi gjykues çmon se mangësitë e konstatuara vetëm në një prej dosjeve të hetuara nga subjekti, janë të pamjaftueshme për t’i çmuar ato si cilësi të papranueshme në pune, gjykim të dobët”.

Vendimi i zbardhur vë në dukje se dosjet e tjera të hetuara nga prokurori kishin qenë pa probleme. Në vendim thuhet se nuk rezultuan elemente “që ta identifikonin atë me të meta apo probleme në gjykimin e rasteve të tjera individuale, të tilla si mosrespektim i afateve ligjore, referenca të gabuara ligjore, dosje  të paplota, nuk i rezultuan të dhëna apo gjetje negative nga regjistri i ankesave dhe procedimeve disiplinor”.

Duke arsyetuar pas këtyre gjetjeve trupi gjykues vlerësoi se mangësitë e konstatuara vetëm në një rast “nuk janë të mjaftueshme për të arritur në vlerësimin e tij  “me mangësi” ose si  “i papërshtatshëm””.

Megjithatë dy nga anëtarët e trupit gjykues vendosën se kjo çështje duhej të  dërgohej “për inspektim  të shkaqeve që mund të përbëjnë shkelje disiplinore”. Kryesuesi i trupës Olsi Komici nuk qe dakord me këtë vendim. Në arsyetimin e pakicës vetëm për këtë pikë Komici thotë se mangësitë e konstatuara nga shumica janë shpjeguar nga subjekti i rivlerësimit në sqarimet e tij dhe se ai nuk mund të kryente më hetim proaktiv për shkak të kohës që kishte kaluar. “Mangësitë e konstatuara nga Komisioni janë veprime që lidhen me hetimin proaktiv, i cili është kryer nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër”, thotë Komici.

Ai po ashtu argumenton se në këtë rast nuk kishte prova për shkelje disiplinore. “Vlerësimi i fakteve dhe provave në çështjen e hetuar nga subjekti i rivlerësimit mendoj se nuk janë objekt i procedimeve disiplinore”, shprehet ai.

Beluri gjatë seancës dëgjimore i tha KPK-së se dosjen e kishte marrë dy muaj pas ndjekjes së të dyshuarve në terren dhe se hetimet ishin kryer në shumicën e tyre nga Prokuroria e Shkodrës. Ai shtoi se kishte qenë në kushtet e pamundësisë së hetimeve proaktive dhe për këtë vlerësoi provat që ndodheshin në dosje.

Beluri u pyet gjatë seancës edhe nga vëzhguesi ndërkombëtar se pse nuk kishte ndërmarrë përgjime telefonike apo vëzhgime në terren për rastin. Ai u përgjigj se dy muaj pas episodit kjo ishte  gjykuar e panevojshme, pasi nuk kishte më pritshmëri për korrupsion.

Në verifikimin e pasurisë, sipas vendimit të zbardhur KPK gjeti nga hetimi i saj problem pamjaftueshmërinë e një shume prej 259 mijë lekësh për periudhën 1988-1997. Beluri e justifikoi këtë pamjaftueshmëri me ndryshimet në kursin e këmbimit të dollarit, monedhë në të cilën ai tha se kishte mbajtur kursimet. KPK  pranoi se nuk kishte referenca për të llogaritur shpenzimet jetike në atë periudhë dhe as referencë për kursin e këmbimit prej vitit 1990 deri në vitin 1997.

KPK gjeti po ashtu pasaktësi në deklarimet e Belurit, por ato u sqaruan prej këtij të fundit dhe kishin të bënin me llogarinë e pagës dhe interesat e përfituara prej kësaj. Në fund KPK vendosi se “Beluri ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *