Analiza Komisioneri Publik

Pasuria e nënës dhe e ish-bashkëshortit, Komisioneri Publik apelon vendimin për gjyqtaren Alma Brati

Komisioneri Publik mendon se KPK nuk ka kryer si duhet hetimet mbi pasuritë e gjykatëses së Shkallës së Parë në Tiranë Alma Brati dhe se nuk ka verifikuar nëse nëna e saj dhe ish-bashkëshorti kishin burime të ligjshme pasurie. Komisioneri i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit rishikimin e  dosjes së Bratit për kriterin e pasurisë. 

Seanca e KPK-së ku u lexua vendimi për gjyqtaren Alma Brati | Foto nga : Aleksandra Bogdani

Gjykatësja e Shkallës së Parë në Tiranë, Alma Brati ia doli të kalojë vetingun në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK) megjithëse me një vlerësim minimal në kriterin e profesionalizmit, por Komisioneri Publik mendon se KPK nuk ka kryer si duhet hetimin dhe se ka neglizhuar të verifikojë nëse dy persona të lidhur me gjykatësen kishin burim të ligjshëm pasurie.

Komisioneri në kërkesën për rishikim të vendimit të KPK-së drejtuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA) të bërë publike të martën, shprehet po ashtu se pasaktësitë e gjetura edhe nga shkalla e parë e vetingut duheshin interpretuar si deklarim i rremë, ndërsa i kërkon KPA-së të bëjë një hetim të plotë të çëshjes së Bratit mbi kriterin e pasurisë.

“Komisioneri Publik çmon se mangësitë e konstatuara në hetimin dhe vlerësimin drejt të fakteve nga ana e Komisionit për kontrollin e pasurisë së subjektit të rivlerësimit justifikojnë rishikimin e vendimit. Mangësitë e vërejtura mund të rregullohen nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”, thuhet në kërkesën e Komisionerit Publik Dariel Sina.

Apelimi i konfirmimit të gjykatëses së Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, kandidate për Këshillin e Lartë Gjyqësor, është i treti i kërkuar nga Komisioneri Publik, i cili është një ndër tre institucionet e rivlerësimit kalimtar për gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë dhe ka për detyrë përfaqësimin e interesit publik gjatë kryerjes së procesit të vetingut. Më herët ai ka apeluar vendimet e KPK-së për anëtarin e Gjykatës së Lartë Edmond Islamajn dhe kreun e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja.

Komisioneri po ashtu ka bërë publike se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), i cili vëzhgon procesin, i ka kërkuar të apelojë vendimet e KPK-së për gjykatësit Xhezair Zaganjori, Artur Malaj e Gentian Medja dhe prokurorin Gentjan Osmani.

Vendimi i arsyetuar i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) në rastin e gjykatëses Brati gjeti se deklarata e pasurisë së saj ishte me pasaktësi, por në fund treshja që shqyrtoi këtë rast e kryesuar nga Pamela Qirko me relatore Genta Tafa (Bungo) dhe anëtar Lulzim Hamitaj vlerësoi se këto pasaktësi nuk sillnin shkarkimin.

Por Komisioneri Publik Dariel Sina thotë se hetimi i KPK-së sa i përket kriterit të pasurisë nuk ka qenë i plotë dhe se arsyetimi i trupës që shqyrtoi rastin e Bratit duhet të rishihet. Sipas tij janë “katër shkaqe”, që duhej të ishin hetuar më mirë nga KPK.

Burimi i pasurisë së nënës dhe huadhënëses

Sina shkruan se “Komisioni nuk ka hetuar dhe arsyetuar” mbi burimin e pasurisë së një të afërmeje të gjykatëses e cila i ka dhënë asaj një hua 25.000 euro dhe as mbi burimin e pasurisë së nënës së gjykatëses e cila i kishte dhuruar Bratit 1.8 milion lekë për shlyerjen e kësaj huaje.

Huaja dhe dhurimi siç del edhe në vendimin e zbardhur të KPK-së ishin bërë për blerjen e një apartamenti në vitin 2015 në shumën 80 mijë euro. Brati sipas vetëdeklarimit e ka përballuar blerjen duke marrë ndër të tjera edhe një hua 25 mijë euro nga një e afëme e saj në shkurt të vitit 2016 dhe e ka shlyer këtë hua në gusht të po atij viti me ndihmën e një dhurate të marrë nga nëna.

KPK pasi ka marrë disa deklarata noteriale e deklarime nga personat e përfshirë dhe po ashtu edhe disa të dhëna për pasurinë e tyre si dhe gjendje të llogarive bankare për vitin 2006 e të ngjashme, i ka cilësuar ato të rregullta dhe të ligjshme.

Por Komisioneri mendon se KPK nuk ka bërë hetim të mjaftueshëm dhe se nëna e gjykatëses e cila i ka dhuruar asaj 1.8 milion dhe po ashtu edhe huadhënësja duhej të ishin hetuar si persona të lidhur me gjykatësen.

Komisioneri thotë se justifikimi i pasurisë i pranuar në këtë rast nga KPK ishte i pamjaftueshëm. “Konkluzioni i Komisionit, përveç faktit se nuk provon ligjshmërinë e burimit, i bazuar në pasjen e llogarisë bankare, vlerësojmë se është i paplotë, pasi nuk mbështetet në asnjë analizë financiare”, thotë Komisioneri Sina.

Ai arsyeton se fakti që nëna e subjektit ka pasur një depozitë bankare me vlerë 12 mijë euro deri në vitin 2006, nuk ishte i mjaftueshëm për të justifikuar dhënien e dhuratës me vlerë të përafërt në vitin 2016, pasi ndërkohë llogari ishte mbyllur dhjetë vjet më herët. Po ashtu komisioneri thotë se për shkak të shpenzimeve të kryera gjatë periudhës 2006-2016 nga dhuruesja përfshi pagesa këste kredije, pagesa për qira shtëpie e të ngjashme “dhuruesja ka qenë në pamundësi financiare dhe pa asnjë burim të ligjshëm për sigurimin e një shume të tillë”.  Komisioneri thotë se ngjashëm KPK nuk kishte verifikuar plotësisht burimin e pasurisë së huadhënëses, siç ka vepruar në raste të ngjashme.

Burimi i pasurisë së ish-bashkëshortit

Po ashtu komisioneri e cilësoi të paezauruar hetimin në lidhje me pensionin ushqimor që ish-bashkëshorti i gjykatëses i jepte kësaj të fundit. Komisioneri thotë se fillimisht kishte një mospërputhje prej 240 mijë lekësh mes shumës se përmendur në deklaratën veting prej 3.1 milion lekësh dhe atë në deklaratat periodike ku shuma rezulton 2.9 milion lekë.

Po ashtu sipas tij Komisioni nuk ka hetuar burimin dhe ligjshmërinë e këtyre parave. “Për këto të ardhura nuk ka asnjë dokument provues mbi vërtetësinë dhe ligjshmërinë e tyre, fakt i cili ndikon edhe në analizën financiare negative mbi likuiditetet dhe pasuritë e subjektit të rivlerësimit”, shkruan Sina.

Komisioneri ka kundërshtuar arsyetimin e KPK-së se gjykatësja nuk kishte detyrim të shpjegohej për pensionin ushqimor pasi këto para përfitoheshin nga fëmijët. Sina thotë se sipas deklarimeve të vetë subjektit, kjo e ardhur është përdorur edhe për qëllime të tjera dhe ka shërbyer si burim krijimi pasurie.

“Në këto kushte, barra për justifikimin e ligjshmërisë duhet ti kalonte si subjektit dhe ish-bashkëshortit të saj”, thuhet në kërkesën e apelimit. Ndërkohë sipas Komisionerit as gjykatësja as ish-bashkëshorti i saj nuk provojnë dot nëse këto të ardhura kanë pasur burim të ligjshëm.

Duke pranuar se pensioni që ish-bashkëshorti paguante për fëmijët ishte i patatueshëm, Komisioneri vëren se kjo nuk duhej të kishte penguar KPK që të hetonte nëse burimi i këtyre të ardhurave ishte i liugjshëm. Ai thotë se ish-bashkëshorti i Bratit nuk kishte mundësi finaciare për të garantuar shuma të tilla kesh dhe se ai vetë ka pranuar për KPK “se shumën 1.000.000 lekë e kishte marrë hua tek disa shokë”.

Komisioneri thotë se KPK në raste të tjera nuk ka pranuar të tilla deklarata noteriale dhe se kjo deklaratë “nuk mund të përbënte provë të besueshme dhe të pranohej nga Komisioni”.

Pasaktësitë dhe mosdeklarimet

Më tej komisioneri thotë se Brati ka bërë deklarime periodike të rreme dhe jo të sakta.

“Subjekti i rivlerësimit prej deklarimit të parë të interesave privatë (2007) e në vijim ka qenë i pasaktë dhe ka kryer deklarim të rremë, reflektuar edhe në deklaratën “Vetting””, thotë Sina. Komisioneri thotë se gjykatësja nuk kishte deklaruar një hua në shumë 3200 euro të marrë në vitin 2009 dhe as shitjen e një makine në 2012 me vlerë 100.000 lekë. Sipas Komisionerit kjo nuk është deklaruar as në deklaratën “Vetting” në vitin 2017.

Veç kësaj sipas Sinës, KPK nuk ka hetuar burimin e ligjshëm të huasë prej 3.200 euro me qëllim rikonstruksionin e një banese të blerë në vitin 2002 dhe se për këtë nuk ishte marrë asnjë provë.

Po ashtu Komisioneri thotë se KPK nuk ka arsyetuar siç duhet sa i përket mospërputhjeve që lidhen me këtë banesë të parë të blerë nga gjykatësja dhe të afërmit e saj në fillim të viteve 2000.  Komisioneri thotë se ka ndryshime mes kontratës noteriale ku trualli rezulton me sipërfaqe 158 m2, ndërkohë që sipas certifikatës së pronësisë “blerësit figurojnë pronarë të sipërfaqes 179.84 m2 truall”.

KPK arsyetoi se “se subjekti nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi për veprimet e noterit” duke ia lënë këtij të fundit “fajin” për pasaktësitë dhe mospërputhjet. Por Komisioneri thotë se rrethanat duhej të detyronin KPK që të hetonte më tej në sqarimin e kësaj situate pasi noteri kishte deklaruar se “punonjësit e hipotekës e bënin vetë ndarjen e pasurisë së tjetërsuar nga pjesa tjetër që i mbetej pronarit”.

Komisioneri theksoi se në vitin 2004 kur ishte bërë rregjistrimi, Brati ishte me punë pranë Zyrës Vendore të Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP). Sipas Sinës fakti që problemet me këtë kontratë dhe rritja e sipërfaqes së truallit të përfituar nga gjykatësja dhe familja e saj në certifikatë përkojnë me periudhën 2003-2007 – kur ajo ishte në punë pranë ZVRPP-së dhe deklarimet e noterit ishin indicie që rëndonin pozitën e gjykatëses.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *