Anëtarët e KPA, Mimoza Tasi, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Sokol Çomo dhe Rezarta Schuetz. Foto: Nensi Bogdani/ BIRN.
Analiza KPA Lajme Veting

Kandidate apo magjistrate: Interpretimet e ndryshme në KPA për Esmeralda Ndocin

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi më 25 tetor 2022 të rrëzojë vendimarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për ndërprerjen e vetingut për ish-prokuroren e Shkodrës, Esmeralda Maillard Ndoci dhe ndalimin e saj për  t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme, për shkak të dorëheqjes nga detyra.

Shumica e trupit gjykues të KPA e përbërë nga relatorja Ina Rama dhe anëtaret Albana Shtylla e Mimoza Tasi i gjetën të drejta pretendimet e Ndocit se ajo nuk ishte subjekt rivlerësimi duke prishur vendimin e Komisionit dhe pushuar çështjen – vendimarrje që rrëzon sanksionin 15-vjeçar dhe i jep mundësinë ish-prokurores Ndoci të rikthehet në detyrë në të ardhmen, pa iu nënshtruar ex officio filtrit të rivlerësimit kalimtar të magjistratëve.

Në pakicë kanë dalë kryesuesja Natasha Mulaj dhe anëtari trupit gjykues, Sokol Çomo të cilët e konsiderojnë të pambështetur arsyetimin e shumicës. Sipas tyre, Ndoci gëzonte të drejtat dhe detyrimet e magjistratit kur ushtronte stazhin profesional dhe për rrjedhojë duhej të ishte kontrolluar si subjekt rivlerësimi.

Vetingu për Ndocin filloi në nëntor 2019, por pasi ish-prokurorja e Shkodrës kishte marrë leje të papaguar për dy vite, kërkoi dorëheqjen nga detyra, kërkesë që u miratua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP dhe nuk u ankimua prej saj.

Kur KPK e njoftoi për zhvillimin e seancës dëgjimore, Ndoci depozitoi fillimisht një kërkesë paraprake për konstatimin e moskompetencën lëndore të KPK-së për fillimin e procedurës së vetingut ndaj saj. Po ashtu, ajo kërkoi që në rast se do t’i rrëzohej kërkesa, atëherë t’i lihej një afat i arsyeshëm për kthimin e përgjigjeve të formularit – duke u konsideruar largësia e saj jashtë vendit, pasi jetonte në Afrikë.

Ndoci parashtroi si argument faktin se prej dy vjetësh qëndronte jashtë vendit pranë bashkëshortit të saj, pas marrjes së lejes së papaguar 2-vjeçare. Ajo shprehu vullnetin për t’u vetuar, por theksoi se për të qëndruar pranë bashkëshortit, i duhej të jepte dorëheqjen nga detyra.

KPK e rrëzoi kërkesën e Ndocit për moskopetencën me argumentin se procesit të rivlerësimit ex officio i nënshtrohen të gjithë gjyqtarët, prokurorët dhe kategoritë e tjera, pa bërë asnjë specifikim, ndarje në nënkategori apo dallim midis gjyqtarëve apo prokurorëve në detyrë dhe atyre jo në detyrë.

Po ashtu u rrëzua edhe kërkesa për shmangien nga sanksioni 15-vjeçar. Komisioni konstatoi se bazuar në kërkesën për dorëheqje të subjektit, vendimarrjen e KLP-së për mbarimin e statusit të magjistartit dhe mos ushtrimin e ankimit ndaj këtij vendimi, ishte konfirmuar vullneti i pavesuar i Ndocit për t’u larguar nga detyra.

Për rrjedhojë, bazuar në Aneksin e Kushtetutës ku përcaktohet se ndërprerja e procesit të rivlerësimit për shkak të dorëheqjes së magjistratëve shoqërohet edhe me ndalimin e rikthimit të tyre në sistemin e drejtësisë për 15-vjet, u vendos ndërperja e vetingut dhe sankasioni përkatës.

Ndoci paraqiti ankim në Kolegj ku kërkoi prishjen e vendimit të Komisionit dhe deklarimin e procedurës të përfunduar pa një vendim përfundimtar, pasi procesi i vetingut i nisur ndaj saj nuk mund të fillonte se i mungonte cilësia e subjektit të rivlerësimit, e meqë kishte nisur, nuk mund të vijonte. Po ashtu, ajo kërkoi mosaplikimin e sanksionit 15-vjeçar.

Interpretime të ndryshme

Referuar shkaqeve të ankimit, Kolegji ka çmuar se për zgjidhje shtroheshin dy çështje – nëse ankuesja Ndoci gëzonte statusin e magjistratit në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit të vitit 2016 për disa shtesa e ndryshime të Kushtetutës, ku përfshiheshin edhe përcaktime në funksion të reformës në drejtësi; nëse kjo prokurore ishte subjekt rivlerësimi; si dhe nëse vlerësimi i saj është një çështje që hyn në juridiksionin e organeve të rivlerësimit.

Shumica konstaton se Ndoci, pas përfundimit të vitit të dytë të formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës, ka kryer stazhin profesional dhe bazuar në propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm të datës 10 tetor 2016, është emëruar si prokurore një ditë më vonë në Prokurorinë e Shkodrës.

Shumica vëren se emërimi i Ndocit ka ndodhur në një kuadër ligjor të ri, i cili edhe pse u përgatit në paketën e përbashkët të ligjeve të reformës në sistemin e drejtësisë, nuk u arrit që të miratohej si i tillë në mënyrë harmonike në të njëjtën kohë.

Sipas shumicës, në kohën e daljes së drekretit të Presidentit të Republikës për emërimin e Ndocit, kishte hyrë në fuqi ligji për ndryshimet dhe shtesat në Kushtetutë, si dhe ligji për vetingun e magjistratëve. Ndërsa ka qenë i miratuar ligji për “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, por ka hyrë në fuqi më datë 22 nëntor 2016.

Shumica sjell në vëmendje se në kohën e emërimit të subjektit si prokurore, ka qenë ende në fuqi ligji i vitit 1996 “Për Shkollën e Magjistraturës”, i ndryshuar, i cili është shfuqizuar me hyrjen në fuqi të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, më datë 16 dhjetor 2016.

Bazuar në këto të dhëna, shumica konstaton se ndryshimet kushtetuese e kanë gjetur Ndocin në përfundim të periudhës së stazhit profesional, që përfaqësonte edhe vitin e tretë të Shkollës së Magjistraturës të kryer bazuar në ligjin e vitit 1996 për këtë shkollë, ku përcaktohet se individët që ndjekin studimet janë të titulluar si “kandidatë për magjistratë”.

Sipas shumicës, kjo dispozitë ligjore lidhte fitimin e titullit “magjistrat” me emërimin e tyre, duke bërë një dallim të qartë mes statusit si “kandidatë për magjistratë”, deri në fund të stazhit profesional dhe “magjistratë” vetëm pas emërimit.

Po ashtu, janë analizuar edhe dispozitat e ligjit të vitit 2001 “Për organizimin dhe funksionimin e  prokurorisë[…]”, prej nga shumica vlerëson se dallohet diferenca e të emëruarve si prokuror dhe atyre në stazhin profesional.

Në vendimin e shumicës theksohet se edhe sipas legjislacionit aktual, studentët e Shkollës së Magjistraturës konsiderohen sërish si “kandidatë për magjistratë” dhe se e marrin titullin “magjistrat” vetëm pas emërimit të tyre.

Në përfundim të shqyrtimit të këtij shkaku, shumica çmon se ankuesja nuk e ka pasur statusin e magjistratit në momentin e hyrjes në fuqi të legjislacionit për vetingun.

Për çështjen e dytë Kolegji ka shqyrtuar rrethanat e faktit që i referoheshin ushtrimit faktik të funksionit të prokurores, duke e mbështetur interpretimin në konkluzionin e parë se Ndoci gëzonte vetëm statusin e kadidates për magjistrate në kohën e hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore.

Sipas shumicës, ushtrimi i funksioneve të prokurores nga Ndoci përgjatë një viti kur ajo kryente stazhin profesional, jo vetëm që nuk justifikon shqetësimin e kushtetutbërësit për individët që kishin cenuar besimin e publikut, por edhe nuk mund të konsiderohet se janë ushtruar në kryerje të detyrës së prokurorit, por brenda një programi akademik.

Si argument, shumica sjell faktin se moskryerja në mënyrën e duhur të detyrave të prokurorit stazhier përgjatë kësaj periudhe mund të ndëshkohej në kuptim të ligjit me një vlerësim negativ të Këshillit Pedagogjik të Shkollës së Magjistraturës, me pasojë mosdiplomimin.

Sipas shumicës, përcaktimet ligjore për periudhën tranzitore në funksion të aplikimit të reformës në drejtësi, kanë pasur si qëllim që grupimi i magjistratëve ku bën pjesë Ndoci t’i nënshtroheshin juridiksionit të përgjithshëm.

“…Nuk mund të ketë pasur për qëllim t’i përfshijë ata në grupin e subjekteve të rivlerësimit që do t’i nënshtroheshin kontrollit, sipas juridiksionit të posaçëm të rivlerësimit, në zbatim të nenit 179/b të Kushtetutës, duke vendosur vetëm për këtë grupim një kontroll të dyfishtë” interpreton shumica, ndërsa kryerjen ose jo të kontrollit nga Prokurori i Përgjithshëm, çmohet se nuk mund të ndikojë në qëndrimin ligjor që KPA duhet të mbajë mbi interpretimin dhe zbatimiin e përcaktimeve kushtetuese.

Fakti që Ndoci ka depozituar deklaratat në funksion të vetingut është çmuar se nuk mund të afektojë interpretimin e përcaktimeve kushtetuese.

Shumica ka arritur në përfundimin se ankuesja nuk është një subjekt, i cili duhet të nënshtrohet ex officio procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe duke e konsideruar vendimarrjen e Komisionit në tejkalim të juridiksionit të tij, ka vendosur të prishë vendimin e shkallës së parë, si dhe pushoi gjykimin e çështjes, duke sjellë për rrjedhojë edhe rrëzimin e sanksionit 15-vjeçar.

Kryesuesja Natasha Mulaj e çmon të gabuar dhe në kundërshtim me Kushtetutën konkluzionin e shumicës.

“Esmeralda Maillard (Ndoci) ka ushtruar detyrën e prokurores si të gjithë magjistratët e tjerë, fakt që gjen reflektim edhe në librezën e saj të punës, ku gjatë periudhës së stazhit figuron si ‘Prokurore’, po kështu gjatë kësaj periudhe ka kryer veprime hetimore, ka marrë vendime të cilat janë të ankimueshme, ka përfaqësuar organin e akuzës në çështje të ndryshme në gjykatë, ka përfituar pagë të njëjtë me magjistratët e tjerë, duke qenë e barabartë me ta,” vlerëson Mulaj dhe sjell si referencë edhe kandidatët për gjyqtarë që kanë ushtruar detyrën e gjyqtarit pa asnjë kufizim me gjyqtarët e tjerë.

Mulaj shton se fakti që Ndoci ka gëzuar të drejtat dhe detyrimet e statusit të magjistratit përforcohet dhe nga përmbushja prej saj e detyrimit për të depozituar në ILDKPKI deklaratat e interesave privatë për periudhën 2015-2016 kur ishte duke kryer stazhin; nga depozitimi i deklaratës së pasurisë “veting”; si dhe deklaratave periodike vjetore në vitet pasardhëse.

“Natyrshëm në këtë rast të lind pyetja përse, pikërisht, pasi kishte filluar procesi i rivlerësimit, znj. Esmeralda Maillard (Ndoci) kujtohet të kërkojë që mos t’i nënshtrohet procesit të rivlerësimit, në një kohë kur vetë ajo ka vlerësuar të paraqesë deklaratën pranë ILDKPKI-së, duke shprehur kështu vullnetin për t’u rivlerësuar, pa ngritur dyshimin se në atë periudhë nuk i përkiste kategorisë së parashikuar nga neni 179/b, pika 3 e Kushtetutës,” shprehet Mulaj dhe sjell në vëmendje se Ndoci ka paraqitur kërkesë për dorëheqje në mars të vitit 2022, me argumentimin për të jetuar jashtë vendit, pranë bashkëshortit.

Ajo vëren se Ndoci nuk e ka ankimuar vendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit.

“Pretendimi i subjektit në ankim se nuk ka qëllim shmangien nga procesi i rivlerësimit, por dorëheqjen nga detyra për shkak të kushteve familjare, nuk është bindës, për vetë faktin se subjekti i rivlerësimit mund të vijonte këtë proces, nëpërmjet përfaqësueses së saj ligjore,”, shprehet Mulaj dhe thekson se Ndoci ka hequr dorë nga vetingu me vullnetin e saj të lirë. Ajo e vlerëson të drejtë vendimin e KPK-së dhe kërkon lënin në fuqi.

Gjyqtari Sokol Çomo e cilëson të pajustifikueshëm interpretimin e shumicës që ka çuar në konkluzionin se Ndoci nuk duhej t’i nënshtrohej procesit të vetingut dhe kërkon lënien në fuqi të vendimit të Komisionit.

Megjithëse ai shpreh dakordësi për konstatimin e fakteve juridike që kanë rëndësi për zgjidhjen e çështjes, shpreh qëndrim të ndryshëm lidhur me interpretimin dhe zbatimin e parashikimeve kushtetuese dhe legjislacionit të reformës në drejtësi.

Çomo sjell në vëmendje se në momentin e emërimit, nuk është kryer ndonjë proces verifikimi paraprak i Ndocit për pasurinë dhe figurën, situatë që e çmon në kundërshtim të hapur me urdhërimet kushtetuese.

Ai vlerëson se Ndoci gjatë periudhës së stazhit profesional në vitin 2016 gëzonte të drejta dhe kishte detyrime njësoj si magjistratët. Sipas Çomos, Ndoci i ka gëzuar këto të drejta dhe detyrime deri në momentin dorëheqjes nga funksioni i prokurorit. Ai sjell në vëmendje edhe faktin se Ndoci në kuadër të këtyre detyrimeve ka plotësuar formularët e vetëdeklarimit, duke treguar se e njihte detyrimin për t’ju nënshtruar procesit të vetingut.

“Emërimi i subjektit të rivlerësimit në kundërshtim me parashikimet kushtetuese të nenit 148/ç, sa i takon mungesës së verifikimit të ankueses për pasurinë dhe figurën, në gjykimin tim dikton një interpretim sistematik të kuptimit të zgjeruar të termit ‘prokuror’, sipas parashikimit të pikës 3, të nenit 179/b të Kushtetutës, duke përfshirë në këtë mënyrë ankuesen në rrethin e subjekteve, të cilët, sipas kësaj dispozite duhet të rivlerësohen ex officio”, arsyeton Çomo dhe shton se kjo mënyrë interpretimi do të ndalonte gjendjen e paligjshmërisë së krijuar me emërimin e saj si prokurore, si dhe do të përmbushte qëllimin e reformës në drejtësi për të rikthyer besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë, me një sistem “ku magjistratët ushtrojnë misionin e dhënies së drejtësisë, pasi të jenë verifikuar në lidhje me integritetin e figurës, ligjshmërinë e pasurisë së tyre dhe profesionalizmin”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *